RRËFIMI PËR PLAKËN QË VDIQ NË SEXHDE

Rrëfimin në vijim na e rrëfen familja e një plake, e cila në atë kohë i kishte arritur të tetëdhjetat dhe jetonte në Rijad, kryeqytetin e Arabisë Saudite. Plaka një ditë nga ditët ishte ulur me disa nga gratë, dhe e vërejti se ato kohën e tyre e kalojnë në muhabete e thashetheme, në përgojim e bartje të fjalëve, filania e gjatë e tjetra e shkurtë, njëra e bukur e tjera e shëmtuar, njëra e martuar e tjetra e ndarë. Plaka e vërejti se në ato muhabete nuk ka asnjë dobi dhe u largua për në shtëpinë e saj ta përmend Allahun, ashtu siç edhe vepronte gjithmonë. E mori sexhaden dhe filloi të falë namaz nate ashtu si vepronte edhe netëve tjera, mirëpo kjo natë do të dallohet nga ato të tjerat me diçka. Duke u falur plaka e nxjerr një zë, gjë që ia tërhoqi vëmendjen të birit të saj, të cilin e kishte të vetëm dhe i cili e respektonte nënën e vet shumë. I biri hyri në dhomë dhe e pa nënën se kishte ra në sexhde dhe kishte mbetur në atë gjendje. Plaka e thirri duke i thënë o biri im, në këtë moment nuk më lëviz nga trupi asgjë, përveç gjuhës. I biri i tha: Nëna ime do të dërgoj në spital. Plaka ia kthehu: Jo o biri im, më lerë këtu. I tha: Jo pasha Allahun, do të shkoj me ty në spital.

Mblidhen mjekët të shikojnë se çka munden të bëjnë, mirëpo e konstatojnë se ata nuk munden të bëjnë asgjë me caktimin e Allahut.

Plaka i drejtohet të birit dhe i thotë: O biri im, për hir të Allahut të lutem më dërgo në shtëpinë time dhe në sexhaden time. Kthehet plaka në shtëpinë e saj dhe i biri i saj i jep abdes dhe e vendos mbi sexhaden e saj dhe në atë gjendje që ishte fillon të falet.

I biri thotë: Pas një kohe të shkurtë, para sabahut, nëna ime më thirri dhe më tha: O biri im, të lë në mbrojtje të Allahut, i cili i mbron robërit e Tij dhe nuk i humb … dhe tha: Esh-hedu en la ilahe il-lAllah ue esh-hedu en-ne Muhameden resulullah … pastaj i mori frymëmarrjet e fundit dhe ndërroi jetë.

Nuk i mbeti të birit tjetër, përveç se t’ia lajnë xhenazen, duke qenë ajo në atë gjendje, në sexhde, dhe ta qefinosin duke qenë ajo në atë gjendje dhe ta bartin për t’ia falur namazin, duke qenë ajo në atë gjendje, e pastaj ta dërgojnë deri te varret dhe ajo të jetë në atë gjendje dhe t’ia zgjerojnë varrin më shumë që ta varrosin duke qenë në atë gjendje.

Njeriu si vdes, ashtu do të ringjallet Ditën e Kiametit para Allahut, e kjo plakë vdiq në sexhde dhe në sexhde do të ringjallet para Allahut, Ditën e Kiametit, me lejen e Allahut.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU