Të paktën 70 persona janë zhdukur në rrëshqitjen e dheut që ndodhi në minierën e gurit të çmuar në veri të Mianmarit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të BBC-së mësohet se ka ndodhur një rrëshqitje dheu rreth orës 04:00 sipas kohës lokale në një minierë në rajonin Hpakant të provincës Kachin të Mianmarit.
Të paktën 70 persona që punonin në minierë janë raportuar si të zhdukur.
Përderisa përpjekjet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë, vlerësohet se shumica e të zhdukurve nga rrëshqitjet e dheut janë minatorë të paligjshëm.
Mianmari, i cili ka burimet më të mëdha të nefritit në botë ka përjetuar shumë aksidente minerare gjatë viteve.
Megjithëse minierat janë të ndaluara në rajonin Hpakant, banorët vendas, kushtet ekonomike të të cilëve janë përkeqësuar për shkak të papunësisë dhe pandemisë së COVID-19 i shpërfillin ndalimet.
Pak ditë më parë u njoftua se të paktën 10 minatorë humbën jetën nga rrëshqitjet e dheut në një minierë në të njëjtën zonë.
Në vitin 2020 më shumë se 160 minatorë, shumica prej tyre emigrantë, humbën jetën në aksidentin e minierës në Hpakant.