shkolla

Rreth 600 mësimdhënës e mbi 200 nxënës u larguan nga vendi pas liberalizimit të vizave

Numri i nxënësve që kanë kërkuar dokumentet për të migruar jashtë vendit në gjysmë vjetorin e parë të këtij viti shkollor dhe vetëm dy muaj pas liberalizimit të vizave, ka arritur në 267.

Megjithatë, numri më i madh raportohet se është i mësimdhënësve.

Janë afër 600 mësimdhënës të cilët janë larguar jashtë vendit, e ku ka nga ata që dalin edhe pa e lajmëruar largimin nga puna.

Ndërsa, nxënësit po kërkojnë flet kalimet me arsyen për bashkimi familjar dhe shkollim në një shtet tjetër.

Nga drejtuesit e Sindikatës së Arsimit dhe disa drejtor të shkollave, kjo gjendje nëpër shkolla po konsiderohet shqetësuese, madje ata theksojnë se nëse vazhdon ky fluks i largimit të nxënësve dhe mësimdhënësve, shkolla në vend do të mbesin të zbrazura.

Vetëm në shkollën fillore “Mihal Grameno”, në Fushë-Kosovë, kanë kërkuar flet-lëshim 75 nxënës dhe një mësuese.

Drejtori i kësaj shkolle, Ismet Gashi tha se këto fletë-lëshime për të lënë shkollën, nuk janë të fundit.

Sipas tij, edhe një numër tjetër i nxënësve janë në pritje të dokumenteve për t’u larguar nga shkolla.

“Sipas fjalëve janë bashkim familjar se i kanë familjarët e tyre atje dhe shkojnë për jetës më të mirë dhe kanë kërkuar bashkim familjarë”, tha Gashi për KP.

Po ashtu, edhe drejtoresha e shkollës fillore “Gjergj Fishta”, Supije Zhitia ka treguar se numri i nxënësve ka rënë dhe se kanë pasur disa kërkesat për fletë-kalime me arsyetimet për bashkim familjarë jashtë vendit.

“Liberalizimi, mendoj që nuk është i mirëseardhur, nataliteti ka rënë, për shkolla është brengë”, tha Zhitia.

Ndërkaq, se shkollat do të mbesin edhe pa mësimdhënës e thotë nënkryetarja e Sindikatës së Arsimit, Vjollca Shala.

Shala tha se liberalizimi i vizave është një rrugë e hapur për të ikur mësimdhënësit.

“Numri sipas kryetarëve të sindikatave komunale, është diku afër 600 mësimdhënës tani më veçse nuk i kemi në shkollat tona. Nëse vazhdon një trend i tillë i ikjes së mësimdhënësve në një të ardhme që shkollat të mbesin pa mësimdhënës, sidomos për ata nga klasa e parë deri në të pestën, pa dashur të përjashtojë klasat e gjashta deri në të nëntën”, tha Shala.

E Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në një përgjigje me shkrim, kanë treguar se numri i nxënësve të cilat kanë kërkuar dokumentet e tyre për t’u larguar nga shkolla është 267.

“Numri i nxënësve të larguar nga institucionet para universitare (publike dhe private) në gjysmë vjetorin e parë të këtij viti shkollor ishte 267. Kurse, në vitin shkollor 2022/2023, ky numër ishte 388”, kanë shkruar MASHT-i.