Në vitin 1993 kur i erdhi fletë-arresti hoxhës dhe patriotit të madh të shqiptarëve, Jakup Asipit, nga Sllupçani, Zoti e mëshiroftë, nuk ishte e befasishme për ata që e përjetuan atë kohë ngase pushtetit dhe regjimit maqedon i kishte hije ta bënte një gjë të tillë. Atyre iu pengonte (dhe edhe sot iu pengon) çdo vlerë kombëtare, kulturore, intelektuale e fetare që i emancipon shqiptarët. Dhe nuk çuditemi! Maqedonët – sllavët e veshin të njëjtën ‘këmishë raciste’ që e veshin edhe serbët, edhe grekët, edhe rusët etj…! Dhe jo vetëm tek rasti i Jakup Asipit, por historikisht e dimë se gjithmonë hoxhallarët kanë qenë shënjestër sulmi. Në Egjipt ka ndodhë që regjimi diktatorial i ka burgosur hoxhallarët dhe ua ka sjellur qentë nga Rusia me aeroplan dhe ua ka futur në burg për t’i hangër ata dhe ashtu ka ndodhë – ua kanë lënë vetëm eshtrat. Ose në kohën e Ata Turkut, i cili i fuste hoxhallarët në burg dhe për t’i degraduar, ua varrte kryqat në qaf dhe i shpallte si ‘mercenarë rusë, të fshehur në uniformën e hoxhës’ dhe në fund pasi e arrinte qëllimin e degradimit para besimtarëve, i mbyste. Dy shembujt e fundit i kam dëgjuar nga Mulla Jakup Asipi. Pastaj në kohën e sistemit komunist. E shumë shembuj tjerë në botë…! Ndërsa sot në vitin 2014, ku të gjithë thërrasin në demokraci e liberalizëm, në sistem vlerash e liri të shprehjes, në barazi e drejtësi, madje brenda një kombi – duke qenë shqiptarë, me synim drejt integrimit evropian e të ndodhin arrestime të hoxhallarëve për shkak se dikujt në pushtet s’po i pëlqen retorika religjioze, e cila mbështetet në argumentet fetare dhe është brenda frymës tradicionale të institucionit të BIK-ut, kjo mua më befason dhe më krijon përshtypje se politika kosovare për dikë është ‘nënë’ e për dikë është ‘njerkë’! Në veçanti kur krijohen probleme inekzistente dhe ekstremisht hiperbolizohen duke bërë >>boom mediatik<< dhe kështu për t’i mbuluar marrëzirat dhe skandalet e tyre politike, ata godasin me diçka të ndjeshme dhe tërhjekun vëmendjen publike duke e zhvendosur atë për pak kohë për t’i krijuar vetes lehtësi në realizimin e interesave politike të cilat s’janë tjetër pos personale; pushtet, famë e pasuri. Këtyre u them “sahan-lëpirësa”! Po të mos mbështeteshin interpretimet e hoxhallarëve në argumentet fetare dhe brenda frymës tradicionale të BIK-ut, atëherë do t’i gëzohesha arrestimit të tyre. Madje do t’ju ftoja që t’i linqojmë sepse demagogët nuk na duhen. Por realiteti është e kundërta! Ndoshta as hoxhës nuk i pëlqen veprimtaria kriminale dhe dosja e zezë e disa politikanëve, por ata nuk e mobilizojnë xhematin – ithtarët e tyre që të shkaktojnë trazira sociale në shenjë kundërshtimi e revolte. Edhe pse mund ta bëjnë! Por me maturi dhe me ‘armën’ e quajtur argument, kritikojnë dhe ftojnë qytetarët të mos i pasojnë në veprimtari devijante dhe nuk e destabilizojnë situatën sikur ata që me çdo kusht e çmim sakrifikojnë çdo gjë për ta mbajtur pushtetin dhe nganjëherë edhe për t’u hakmarrur për hir të interesit të pushtetit. Kam shpresuar se Prokuroria e Gjyqësia janë transparente dhe jo dorë e zgjatur e pushtetit të cilat
punojnë me direktiva si në sistemet jodemokratike, por po del të jetë e kundërta. Ne nuk e duam fatin e njëjtë siç e kanë disa popuj dhe vende në botë me trazira sociale, protesta e luftra civile, të cilat shpërthejnë si rezultat i konflikteve ideologjike të cilat instrumentalizohen nga qarqet e pushtetit, mediave dashakeqe e tendencioze dhe pseudo-intelektualëve. E aq më pak kur fenë e paraqesin si ‘promotor të problemeve’ dhe lufta bëhet në emër të fesë! Por e duam një shoqëri demokratike, liberale, të sigurtë, ku respektohet ligji dhe institucioni, me një sistem të ngritur vlerash dhe ku nuk i cenohet askujt liria e shprehjes brenda suazave ligjore dhe etike. Mbi të gjitha, një shoqëri, ku krimineli i vërtetë vuan në burg, ndërsa i drejti, i dinjitetshmi dhe i pafajshmi jeton i lirë. Pra një shoqëri që frymon lirshëm dhe nuk i vuhet dhunshëm çizmja e pushtetit në qaf. Mendoj se ekstremizmi politik në Kosovë është 1001 herë më i rrezikshëm se ekstremizmi fetar (apo se elementet ekstreme fetare). Ekstremizmin nuk e kemi shpikur ne, ai ekziston në çdo vend e shoqëri dhe madje elemente të ekstremizmit mund të shfaqen edhe në vendet dhe shoqëritë më demokratike, më ligjore dhe më të sigurta në botë sepse gjithkund ka individë euforikë e injorantë që destabilizojnë rendin social. Por kjo nuk na bën as inferior e të rrimë duarkryq sepse mendjet e ekuilibruara nuk e duan ekstremizmin, por kjo as nuk na mobilizon ekstremisht që ta luftojmë ekstremizmin duke alarmuar shoqërinë për diçka inekzistente dhe të paqenë, siç pretendohet në >>terrorizmin islamik<<. ”Terrorizmi Islamik”?! Nëse ekziston, atëherë fuqishëm qëndrojnë edhe këto tri koncepte apo nocione, që dikush mund t’i përdorë si sllogane apo si teknika të shpërlarjes së trurit: 1. Lufta është paqe! 2. Liria është skllavëri! 3. Injoranca është forcë! Kush pajtohet me këto tri definicione absurde dhe paradoksale dhe m’i argumenton ato se ashtu qëndrojnë dhe njëra e prodhon tjetrën, atëherë edhe unë do të besoj në >>terrorizmin islamik<< në Kosovë dhe do ta ndërroj qasjen time kritike!
Labinot Kunushevci, sociolog