O ju vëllezër besimtarë, frikohuni Allahut dhe largohuni padrejtësisë. Çdo ditë dëgjoni për përfundimet e zullumqarëve dhe shikoni me sytë e juaj se çfarë ndëshkime u dërgon Allahu atyre dhe familjeve të tyre duke ua shkatërruar pasuritë, shtëpitë dhe duke ua zhdukur gjurmët sikur se të mos kishin qenë prezentë asnjëherë më herët. Këto pamje le të mbeten mësim për ju, i lumtur është ai i cili merr mësim prej të tjerëve.
Padrejtësia ndahet në tre lloje:
Lloji i parë: Padrejtësia mes robit dhe Zotit të tij, e ajo është shirku. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe”. Llukman 13. Këtë lloj padrejtësie Allahu e falë vetëm se me pendim të sinqertë. Në rast se robi vdes pa u penduar prej këtij mëkati Allahu nuk do t’ia falë asnjëherë në ahiret. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Vërtet, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush apo diçka tjetër veç Atij”. Nisa 48, dhe “Sigurisht, atij që adhuron tjetërkënd përveç Allahut, Allahu do t’ia ndalojë Xhenetin dhe strehim i tij do të jetë Zjarri. Për keqbërësit nuk ka ndihmës”. Maide 72.
Lloji i dytë: Padrejtësia që ia bën njeriu vetvetes me veprimin e mëkateve duke e përjashtuar këtu shirkun. Në këtë rast njeriu është vet shkaktar për fitimin e zemërimit dhe dënimit të Allahut ndaj tij. Allahu, azze ue xhel, thotë: “O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato”. Tehrim 6. Ky lloj i padrejtësisë është nën vullnetin e Allahut, nwse të donë ia falë robit të Tij e nwse donë e dënon. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Vërtet, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush apo diçka tjetër veç Atij, por gjynahet e tjera më të vogla ia fal kujt të dojë”. Nisa 48.
Lloji i tretë: Padrejtësia mes njerëzve, duke ia cenuar njëri tjetrit shenjtërinë e gjakut, nderit dhe pasurisë. Ky lloj i padrejtësisë nuk falet, përveç se kur donë ta falë ai që i është bërë padrejtësi. Në rast se i dëmtuari nuk dëshiron që t’ia fal dëmbërësit, atëherë i jepet mundësia të kërkon që dëmbërësi të dënohet në dynja dhe ahiret.
Imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij e shënon një hadith prej Ebu Hurejrës, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut,alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Do tw hakmerreni Ditën e Kiametit mes veti (dëmbërësi do t’i kthejë padrejtësitë me dhurimin e të mirave tek i dëmtuari dhe do t’i marrë të këqijat), derisa edhe kafshët do të hakmerren mes veti, delja pa brirë do të hakmerret ndaj deles me brirë”.
Imam Buhariu dhe Muslimi, Allahu i mëshiroftë, në librat e tyre e shënojnë një hadith tjetër prej Ebu Hurejrës, Allahu qoftë i kënaqur me të,se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: ”Kush i ka bërë një padrejtësi vëllait të vet në nderin e tij a diku tjetër, le t’i kërkojë falje atij për sot, para asaj kur nuk do të ketë dinarë e as dërhemë: por nëse nuk do të ketë vepra të mira, atëherë do t’i merren mëkatet e të dëmtuarit dhe do t’i jepen atij (që ka bërë zullum)”.
Imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, po ashtu e shënon një hadith tjetër prej Ebu Hurejrws, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “A e dini kush është i falimentuar (muflis)?” I thanë: “I falimentuar te ne është ai i cili nuk ka as para, as mall”. Tha: “I falimentuar i umetit tim është ai që vjen në Ditën e Gjykimit me namaz, me zekat, me agjërim dhe vjen me mëkatin e sharjes së një personi, me shpifje të një tjetri, me ngrënien e pasurisë së një tjetri, me gjakderdhjen e një personi, me rrahjen e një tjetri, kur t’u jepen atyre prej veprave të mira të këtij dhe nëse harxhohen mirësitë e tij para se t’u paguhen borxhet, atëherë do të merren prej mëkateve të tyre dhe do t’i ngarkohen këtij, pastaj ky do të hidhet në zjarr”.
O ju musliman, nuk lejohet marrja e pasurisë së muslimanit përveç se me lejen dhe me dëshirën e plotë të tij. Shenjtëria e pasurisë së muslimanit është e barabartë me shenjtërinë e gjakut dhe nderit të tij, prandaj nuk të lejohet marrja e pasurisë dhe banimi në shtëpinë e tij pa lejen dhe dëshirën e tij. Profeti, sal-allahu alejhi ue selem, thotë: ” Kush bën zullum (dhunë, padrejtësi) sa një pëllëmbë tokë, do të jetë i ngarkuar me shtatë (do ta bartë në qafë në Ditën e gjykimit)”.
Disa prej njerëzve mendojnë se gjykimi i sunduesit apo gjyqtarit në favor të tij kundër vëllait të vet musliman ia jep të drejtën që t’ia merr pasurinë apo t’ia largon vetes përgjegjësinë e marrjes së asaj pasurie. Kjo është gabim. Gjyqtari është njeri i cili mund të gabon dhe t’ia qëllon, por ti në rast se e din se nuk je meritor për atë pasuri detyrohesh që të largohesh prej saj. Ky është i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, i cili u thoshte njerëzve: “Vërtet unë jam njeri, ju në konfliktet tuaja më drejtoheni mua. Është e mundshme që ndonjëri prej jush është më i aftë që t’i shtrojë argumentet e veta dhe unë të gjykoj në dobi të tij, sipas asaj që kam dëgjuar. Andaj kujt t’ia shqiptoj të drejtën e vëllait të tij, vërtet ia kam shkëputur një pjesë të zjarrit (të Xhehenemit)”.
Ky hadith është prej argumenteve më të qarta se gjykimi i gjykatësit nuk e bën të ndaluarën hallall dhe nuk mundet të jetë arsye për zullumqarin që nëpërmjet këtij gjykimi ta arsyeton marrjen e pasurisë së huaj. Profeti, sal-allahu alejhi ue selem, thotë: “Kush e padit tjetrin në të kotë dhe e dinë atë, do të jetë Allahu i zemëruar me të derisa ta largon atë padi”.
Zullumqari i cili fshihet pas kësaj “perdeje” po t’ia kishte marrë ndokush pasurinë e tij me të njëjtin pretekst do t’i vinte shumë keq, do të ndjente në vete dhembje, do të kërkonte prej gjyqtarit që përsëri ta rishikon çështjen e tij dhe do ta rriste zërin twrw ditën e natën kundër atij që i ka bërë padrejtësi.
Prandaj, o ju robër të Allahut frikojuni Allahut dhe frikojuni padrejtësisë dhe të gjitha llojeve të saj dhe dijeni se padrejtësia Ditën e Kiametit do të shumëfishohet: “Sigurisht, të padrejtët do ta shohin se në çfarë mundimi do të kthehen (pas vdekjes)“. Shuara 227. Përfundimi i zullumqarëve është i keq, dënimi i tyre në ahiret është me zjarr të xhehenemit dhe Allahu u kërcënohet me mallkim dhe me dënim të dhembshëm. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Mallkimi i Allahut qoftë mbi të padrejtët”. Hud 18, dhe “Ne kemi përgatitur për mohuesit keqbërës një zjarr, që do t’i rrethojë nga të gjitha anët (si çadra). Nëse do të kërkojnë ndihmë, do t’u jepet një ujë si xehja e shkrirë, që do t’ua përcëllojë fytyrat. Sa pije e tmerrshme është ajo e sa strehim i keq është ai (zjarri)“! Kehf 29.
O ti njeri i padrejtë e dëmbërës, mos mendo se Allahu nuk do të hakmerret dhe nuk do të ndëshkon për ato padrejtësi e dëme që ua ke bërë njerëzve, të cilët nuk gdhihen në mëngjes vetëm se të zemëruar prej teje dhe nuk flenë natën vetëm se duke bërë dua kundër teje. Dije se duaja e të dëmtuarit ngrihet mbi qiej dhe mes saj dhe mes Allahut nuk ka hixhab: ” Vallë, a nuk e di ti se çfarë ka bërë Zoti yt me fisin Ad, banorë të Iremit me pallate shumështyllëshe, të atillë që nuk janë krijuar askund tjetër në tokë si ata?! Dhe me fisin Themud, që gdhendi shkëmbinjtë në luginë (për të bërë shtëpi)? Dhe me Faraonin, njeriun e hunjve (ku torturonte njerëzit)? Të gjithë këta shkelën çdo kufi në vendet e tyre, duke shtuar atje shthurjen dhe korrupsionin, prandaj Zoti yt lëshoi mbi ata kamxhikun e dënimit. Vërtet, Zoti yt është gjithnjë në pritë!”. Fexhër 6-14.
Mjerë për ata që bëjnë padrejtësi ata janë të humbur në dynja, ndërsa në ahiret i pret dënim i dhembshëm. Do të kërkojnë ndihmë që t’ju lehtësohen vuajtjet, mirëpo nuk do t’ju përgjigjet askush. Për ta nuk do të ketë pushim, nuk do të ketë rehati, nuk do të ketë ndihmës dhe mëshirë, për ta do të ketë vetëm se dënim dhe dënim. Do të pendohen prej veprave të tyre dhe do t’ju rrjedhin lot si lumenj kur do t’ju kujtohen padrejtësitë dhe dëmet që ua bënin njerëzve, mirëpo ky pendim do të jetë i shumë vonuar.
O ju musliman,
Allahu, azze ue xhel, thotë: “Mos mendo kurrsesi që Allahu nuk e vëren atë që bëjnë keqbërësit! Ai vetëm ua shtyn (dënimin) deri në Ditën, kur sytë e tyre do të zgurdullohen (nga tmerret që do të shohin), dhe, duke vrapuar me kokë lart, nuk do të mund t’i lëvizin sytë, ndërsa zemrat e tyre do të jenë të zbrazëta (nga tmerri). Ti (o Muhamed) paralajmëroji njerëzit për Ditën që atyre do t’u vijë dënimi e keqbërësit do të thonë: “O Zoti ynë, na lër edhe për pak kohë! Ne do t’i përgjigjemi thirrjes Tënde dhe do t’i pasojmë të dërguarit!” Por atyre do t’u thuhet: “Vallë, a nuk betoheshit më parë se s’do të kishte zhdukje për ju? Ju banuat në vendbanimet e atyre që e kishin ngarkuar veten me gjynahe dhe e kishit të qartë se si kishim vepruar me ta. Dhe Ne ju kishim treguar shumë shembuj.” Ata kurdisin dredhitë e tyre, por Allahu i di dredhitë e tyre. Edhe sikur prej dredhive të tyre të shembeshin malet, ata nuk do t’ia dalin mbanë. As mos mendo se Allahu nuk do t’ua mbajë premtimin e Vet të dërguarve. Allahu është vërtet i Plotfuqishëm dhe i Zoti për shpagim. Ditën, kur Toka do të ndërrohet me tokë tjetër, por edhe qiejt, të gjithë do të dalin para të Vetmit dhe Ngadhënjyesit Allah. Dhe atë ditë do t’i shohësh keqbërësit të lidhur në pranga; rrobat do t’i kenë prej katrani e zjarri do t’ua mbështjellë fytyrat, (Kështu do të jetë) në mënyrë që Allahu të shpërblejë cilindo për atë që ka punuar. Allahu është vërtet i shpejtë në llogari. Ky (Kuran) është shpallje e qartë për njerëzit, me qëllim që ata të marrin paralajmërim nëpërmjet tij, që ta dinë se Allahu është Një Zot i Vetëm dhe që të këshillohen njerëzit e mençur! Ibrahim 42-52.
nga arabishtja: Irfan JAHIU