Rritet në 73 numri i viktimave nga tërmeti në Indonezi

Është rritur në 73 numri i personave që kanë humbur jetën nga tërmeti me fuqi prej 6.2 ballë që ndodhi më 15 janar në provincën Sulawesi Perëndimor të Indonezisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Kreu i Qendrës së informacionit dhe komunikimit të Agjencisë Kombëtare të Menaxhimit të Fatkeqësive (BNPB), Raditya Jati tha se 27.850 personat e evakuuar për shkak të tërmetit janë vendosur në zona të sigurta në 25 pika të ndryshme.

Jati bëri të ditur se numri i personave që kanë humbur jetën ka arritur në 73 prej të cilëve 9 persona në qytetin Majene dhe 64 persona në rajonin Mamuju.

Ai theksoi se nga tërmeti janë plagosur rëndë 253 persona të cilët vazhdojnë trajtimin në spitale dhe se në rajon po vazhdojnë punimet e kërkim-shpëtimit.

Agjencia e Meteorologjisë, Klimatologjisë dhe Gjeofizikës (BMKG) kishte njoftuar se tërmeti i 15 janarit i cili u raportua të jetë regjistruar në një thellësi prej 10 kilometrash dhe 6 kilometra në verilindje të qytetit Majene, është ndjerë edhe në qytetet Palu dhe Makasar.