13-1

Rrjet i ri Bashkëpunimi për Sigurinë Kibernetike

Ky takim synon të lehtësojë bashkëpunimin mes agjencive të sigurisë kibernetike, të promovojë praktikat më të mira dhe të hedhë themelet për krijimin e Rrjetit të Bashkëpunimit për Sigurinë Kibernetike.

Bashkëpunimi rajonal në fushën e sigurisë kibernetike është thelbësor për përballimin e sulmeve dhe kërcënimeve të ndryshme kibernetike, por edhe për forcimin e infrastrukturës digjitale. Këtu u përqendrua takimi i parë teknik i agjencive të sigurisë kibernetike të Ballkanit Perëndimor, Gjeorgjisë dhe Moldavisë.

Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Igli Tafa, u shpreh se Shqipëria ka bërë hapa përpara drejt përmirësimit të sigurisë kibernetike dhe është e gatshme të ofrojë mbështetjen e saj edhe për vendet e tjera të rajonit.

“Shqipëria ka bërë një progres të mirë në legjislacionin në fushën e sigurisë kibernetike. Këtë maj kemi lançuar një direktivë të re për sigurinë kibernetike, e cila është përafruar me direktivën evropiane. Ne jemi gati te kontribuojmë duke ndarë eksperiencën tone me te gjitha vendet e tjera te Ballkanit Perëndimor, Moldavinë dhe Gjeorgjinë. Është e rëndësishme që të prioritizohet investimi në edukimin për sigurinë kibernetike, promovimi i programeve për ndërtimin e afteësisë dhe mbështetja e mendjeve te reja te ndritura ne rajon mund te krijoje një force punëtore me te afte për tu përballur me kërcenim kibernetike.”

Gjatë takimit, Mirlinda Karçanaj, Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, u ndal në sulmin kibernetik të para dy vitesh nga Irani.

“Mesazhi jonë ndaj komunitetit botëror të sigurisë kibernetike është se Shqipëria ka përballuar një nga sulmet më të rënda kibernetike në historinë e saj. Kjo qëndrueshmëri ishte e mundur falë aleatëve tanë historikë dhe strategjikë, veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ne besojmë se bashkëpunimi me organizatat dhe partneret ndërkombëtare, ndarja e informacionit dhe ndërtimi i kapaciteteve, ne mund te përballemi dhe te ndalojmë armiqtë tanë. Misioni i Shqipërisë është qe te kontribuoje drejt një mburoje, ku IA është forca shtytëse e mekanizmit kombëtar te mbrojtjes.”

Ky takim synon të lehtësojë bashkëpunimin mes agjencive të sigurisë kibernetike, të promovojë praktikat më të mira dhe të hedhë themelet për krijimin e Rrjetit të Bashkëpunimit për Sigurinë Kibernetike. /SCAN