AddText_09-07-08.10.48

RRUGA E UDHËZIMIT

Allahu i dhuroi robërve të Tij shumë begati, e ndër begatitë më madhështore, është begatia e udhëzimit në këtë fe! Me meritat e Tij u udhëzuan të udhëzuarit, dhe me drejtësinë e Tij devijuan të devijuarit. Allahu thotë: “Disa Ai i ka udhëzuar në rrugë të drejtë, kurse disa të tjerë e kanë merituar humbjen”. (El-A’raf: 30)

Udhëzimi është dhuratë nga Bujari, dhe nuk i dhurohet çdokujt! Ky udhëzim, nuk realizohet me shpresa dhe me dëshira. Ka mundësi të mos arrish deri në udhëzim edhe me prezencën e sebepeve: “përkundrazi, Allahu ju ka dhuruar mirësi dhe ju ka udhëzuar në besim”. (El-Huxhurat: 17)

S’ka shpëtim nga ndëshkimi, dhe s’ka mundësi të arrihet deri tek lumturia, vetëm se nëpërmjet udhëzimit. Udhëzimi është begatia më madhështore e Allahut, dhe për këtë arsye robi detyrohet të jetë falënderues. Allahu i Madhëruar thotë: “Përmendni Atë që ju ka udhëzuar në rrugën e drejtë, sepse ju më parë ishit të humbur!”. (El-Bekare: 198)

Të kërkuarit e përqendrimit në të, është nga lutjet më të veçanta të njerëzve të mirë: (Ata thonë:) “O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të shmangen (nga e vërteta), pasi na ke udhëzuar në rrugën e drejtë, dhe jepna mëshirë prej Teje; vërtet, Ti je Dhuruesi i Madh!”. (Ali Imran: 8)

S’ka rrugë e cila të çon në Xhenet, përveç se rrugës së udhëzimit: “dhe ata do të thonë: “Qoftë lavdëruar Allahu që na udhëzoi në këtë. Ne nuk do të ishim udhëzuar, sikur të mos na udhëzonte Allahu”. (El-A’raf: 43)

Koka e lutjeve dhe më e mira ndër to, është lutja për udhëzim. Ajo lutje e përfshin përmirësimin e robit në fe, në dynja dhe në ahiret. Për këtë arsye, muslimani u urdhërua ta lute Zotin e vet në çdo namaz, që t’i dhurojë udhëzim!

Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Duaja më e dobishme dhe më madhështore dhe më gjykuese, është duaja e sures Fatiha: “Udhëzona në rrugën e drejtë!”. (El-Fatiha 6); ngase robi për udhëzimin është më nevojtar, se sa për ushqimin dhe pijen”.

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i urdhëronte shokët e tij të luten për udhëzim. Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i ka thënë: “Thuaj, o Zot, më udhëzo dhe më drejto”.

Muaviju, Allahu qoftë i kënaqur me të, e përcjell se atij i kishte pas thënë: “O Zot! Bëje atë të udhëzuar dhe udhëzo me të”.

Nga lutjet e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ishte: “O Zot! Më udhëzo dhe më lehtëso udhëzimin mua”.

Për hir të vlerës së madhe të udhëzimit, asnjë popullit s’i ka munguar udhërrëfyes, as paralajmërues dhe as thirrës në të. Allahu thotë: “Në të vërtetë, ti je vetëm paralajmërues. E, për çdo popull ka udhërrëfyes”. (Er-Ra’d: 7)

Hapja e zemrave të njerëzve është në dorën e Allahut, dhe krijesat nuk posedojnë asgjë, përveç se marrjes së sebepeve: “Thuaju: “Të Allahut janë Lindja dhe Perëndimi. Ai udhëzon kë të dojë në rrugën e drejtë”. (El-Bekare: 142); “Vërtet, ti (Muhamed) nuk mund të udhëzosh kë të duash, por është Allahu Ai që udhëzon kë të dëshirojë”. (El-Kasas: 56)

Shoku i mirë dhe fetar është përkrahja më e mirë për udhëzim. Ai të rikujton kur harron, të ndihmon kur neglizhon, nga ai nuk dëgjon vetëm se fjalë të bukura dhe nuk sheh vetëm se vepër të mirë. Shoqëria e mirë, është adhurim që e përcjellë kënaqësi dhe shoqëri dhe të shtohet imani dhe sjellja. Realiteti i saj, është se ajo, është një trup me shumë zemra. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Besimtarët janë si një njeri”.

Shoku ka ndikim në fenë, sjelljen dhe moralin e atij që e shoqëron. Njeriu njihet sipas shoqërisë së tij. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Njeriu është në fenë e shokut të tij, le të shikojë secili prej jush se këndë po e shoqëron”.

Shoku i keq të thërret në largim nga adhurimi dhe t’i zbukuron të ligat, është afër teje në rehati, kurse larg teje në vështirësi. Dëmi i tij është i llojllojshëm dhe vjen në forma të ndryshme. Islami paralajmëroi nga shoqërimi i tyre dhe ulja me ta. Shoku i keq dhe shoqërimi i tij, janë humbje në dynja dhe pendim në ahiret. Allahu thotë: “Atë Ditë keqbërësi do të hajë gishtat e duarve të veta, duke thënë: “Ah, sikur ta kisha marrë rrugën (e drejtë) me të Dërguarin! Ah, sikur të mos e kisha bërë filanin mik! Ai më ka larguar nga Këshilla (Kur’ani) që më kishte ardhur!” Në të vërtetë, djalli e braktis gjithmonë njeriun në çastin e nevojës”. (El-Furkan: 27-29)

Prezenca nëpër mexhliset e ulemave është nga sebepet e udhëzimit. Në diturinë e tyre dhe mësimin e tyre, ka shtim të imanit. Në fytyrat e tyre ka shenja të devotshmërisë. Ndeja me ta t’i rikujton të parët e këtij Umeti dhe ta rikujton ahiretin. Ndeja me ta jep shumë mirësi dhe begati, për këtë arsye, bëhu më i afërmi i tyre dhe shoqëroi ata. Mejmun ibën Mehran, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Përmirësimin e zemrës sime, e gjeta në ndejën me ulema!”.

Pastrimi i zemrës nga të ligat dhe ruajtja e saj nga çdo që e fëlliqur, nga dyshimet dhe epshet, është nga shkaqet e udhëzimit. Dyshimi kur hy në zemër, atëherë, ajo e bën të vështirë lidhjen e robit me Allahun.

Shikimi dhe dëgjimi i haramit dhe i gjërave të ndaluara nëpër media dhe jashtë tyre, e errëson zemrën nga mëkatet e shumta. Kush ballafaqohet me dyshime dhe epshe, e pastaj kërkon udhëzimin, e ka të vështirë ta gjejë atë. Në kohën kur zbriste shpallja dhe sahabët e shoqëronin të Dërguarin e Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ai, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, frikohej për ta nga fitnet dhe ua ndalonte t’i afrohej atyre.

Shpirti është lakmues nëse shkon pas lakmive dhe ndalet nëse e privon nga to. Prandaj, frenoje atë me frenat e urdhëresave dhe të ndalesave. Largoju nga shkaqet e fitneve dhe burimeve të saj, ngase afrimi i tyre është sprovë, nga e cila njeriu që bie në të, është shumë rëndë të shpëtojë.

Mbisundimi i epsheve është kurorë, mbrojtja nga dyshimet e ngrit shpirtin, mbrojtja e gjymtyrëve nga gjynahet është përqendrim për në udhëzim, me lejen e Allahut. Nënshtrimi ndaj epshit, dhe ndaj pasioneve dhe ndaj dëfrimeve, janë nga hyrjet e shejtanit. I lumtur është ai që garon pas të mirave dhe e pengon shpirtin nga ajo që i bën dëm, e nuk i bën dobi, dhe punon sipas porosisë së të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ku thotë: “Përfito nga çdo gjë që të bën dobi. Mbështetju Zotit dhe mos u trego asnjëherë i paaftë dhe dështak”.

Kalimi i kohës duke i respektuar prindërit, duke e vizituar farefisin dhe duke i ndihmuar muslimanëve, është adhurim.

Gjynahet, gjynahqarin e çojnë në shkatërrim. Adhurimi i tepërt është një nga faktorët e përqendrimit në fe dhe nga shkaqet e ruajtjes së Allahut të robit të Tij. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Ruaje Allahun, Allahu do të ruajë ty!”.

Njerëzit më të mirë, ata ishin shëmbëlltyrë në adhurim. Allahu i Madhëruar për Ibrahimin, alejhi selam, thotë: “Me të vërtetë, Ibrahimi ka qenë prijës shembullor (me të gjitha virtytet e mira), i përulur para Allahut, me besim monoteist dhe nuk ka qenë nga idhujtarët”. (En-Nahl: 120)

Të parët e këtij Umeti e adhuronin Allahun tepër. Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, për ibën Kajimin, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nuk njoh nga dijetarët e kohës sime, si ai në adhurime. E kishte një metodë të veten në namaz. Atë e zgjaste shumë, e zgjaste rukunë dhe sexhden, dhe nganjëherë e kritikonin shokët e tij për këtë, mirëpo, ai nuk kthehej nga metoda e të falurit të namazit të tij”.

Kur’ani është feneri i udhëzimit dhe i përmirësimit: “Në të vërtetë, ky Kur’an udhëzon drejt asaj që është më e mira dhe u jep lajmin e gëzuar besimtarëve, që bëjnë vepra të mira, se ata do të kenë shpërblim të madh”. (El-Isra: 9) Leximi i vazhdueshëm i tij është ruajtje, me lejen e Allahut, nga sherret e fitnet dhe mbrojtje nga dyshimet dhe epshet.

Vizita e varrezave për rikujtim dhe mësim, është një Sunet i bazuar për ta rikujtuar ahiretin, dhe të ndihmojë në përqendrim në çështjet e dynjasë, të largojë nga mëkatet dhe nga shpresat e gjata. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Vizitoni varrezat, ngase vizita e tyre ta rikujton ahiretin”. Kush e rikujton vdekjen shpesh, do të përmirësohen gjendjet e tij.

Zemrat janë mes dy gishtave të Gjithëmëshirshmit, i rrotullon ato si të donë. S’ka gjë, më të dobishme dhe më të mirë, se sa duaja për të arritur deri te ajo që e do. Për këtë arsye, përulu para Zotit tënd, gjatë ditës dhe natës, që Ai të bën nga robërit e Tij të mirë.

Nëse e sheh se shumica e njerëzve në tokë janë gjynahqar, mos të të mashtrojë ky fakt e të largohesh nga kjo fe. Tradita e Allahut në tokë, është që gjynahqarët të jenë më shumë se ata që e adhurojnë Allahun. Allahu i Madhëruar thotë: “Në të vërtetë, shumë njerëz janë të pabindur”. (El-Maide: 49)

Ti shiko të vërtetën e jo numrin. Allahu e përshkroi Ibrahimin, alejhi selam, se është umet edhe pse ishte një, i vetëm: “Me të vërtetë, Ibrahimi ka qenë prijës shembullor (me të gjitha virtytet e mira), i përulur para Allahut”. (En-Nahl: 120)

Fudajl ibën Ijadi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Mos u largo nga e vërteta për shkak numrit të vogël që e pasojnë dhe mos e paso të kotën për shkak të shumicës që pas i shkojnë”.

Begatia e Allahut mbi ty, me përmirësim dhe udhëzim, duke e ditur se shumica e njerëzve janë në devijim, të shtojë në vetvete udhëzimin dhe të nxit në thirrjen e të tjerëve në rrugë të drejtë.

Tradita e Allahut në këtë jetë është të sprovohet ai që kapet për këtë fe, me qëllim që të përforcohet i sinqerti në fe. Allahu thotë: “Ne i kemi sprovuar ata që kanë qenë para tyre, në mënyrë që, Allahu të dallojë ata, që thonë të vërtetën dhe, ata që gënjejnë”. (El-Ankebut: 3)

Jobesimtarët talleshin me pejgamberët e Allahut. Allahu tha: “Me të vërtetë, janë përqeshur shumë të dërguar para teje, por ata që përqeshnin i përfshiu ajo me të cilën ata talleshin”. (El-En’am: 10) Çdo i dërguar që dërgohej, akuzohej me magji dhe me çmenduri: “Kështu, sa herë që një i dërguar vinte te popujt para tyre (mekasve), ata thoshin: “Është magjistar” ose “Është i çmendur!”. (Edh-Dharijat: 52) Shokët e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, përqesheshin nga hipokritët: “duke ia shkelur syrin njëri-tjetrit, sa herë që ata kalonin pranë tyre”. (El-Mutafifin: 30)

Ai që tallet me përqendrimin tënd, ta rrit vlerën dhe t’i shton meritat. U gjuajtën me akuza të ndryshme dhe me shpifje njerëzit më të mirë. Kjo është përgëzim i sinqertë i përqendrimit në fe. Mos u pikëllo, ngase ajo që e nxit përqeshësin është pasimi i epshit dhe injoranca: “Kështu, ata i mohuan ato padrejtësisht dhe me mendjemadhësi”. (En-Neml: 14)

Përqeshësi në thellësi të shpirtit shpreson udhëzim, por atë nuk e posedon. Allahu thotë: “Do të vijë dita (e Kiametit), kur mohuesit do të dëshirojnë që të ishin muslimanë”. (El-Hixhr: 2)

Nëse tallen me ty, rikujtoje talljen që iu bë të dërguarve dhe sabrin e tyre dhe mos i shkatërro veprat e tua me zemërim apo hidhërim, kapu për faljen dhe mëshirën dhe neglizhoi ata që tallen me ty. Allahu thotë: “Prandaj, ti bëhu i durueshëm (o Muhamed), ashtu siç kanë duruar me këmbëngulje të dërguarit e vendosur”. (El-Ahkaf: 35)

I suksesshëm është ai që e kërkon dritën e udhëzimit dhe mëkatarin e thërret në pendim dhe i hap krahët e tij për atë që është sprovuar me gjynahe, duke e thirr me urtësi, butësi dhe dituri.

Krijesat më të lumtura në të dyja botët janë ata të udhëzuarit. Atyre u jepet furnizimi, lumturia, ndihmohen nga ana e Allahut në adhurime dhe nuk mund t’i godet asnjë sherr në dynja dhe ahiret.

Ai që kapet për dritën e udhëzimit, Allahu ia shton dritën edhe më tepër: “Allahu ua shton udhëzimin atyre, që janë në rrugë të drejtë”. (Merjem: 76)

Shejh Dr. Abdulmuhsin El Kasim    

Nga arabishtja: Irfan JAHIU