Rrushi (arab. inab ) Rrushi i tryezës

All-llahu i gjithëfuqishëm e përmend rrushin gjashtë herë në Kur’an, si njërën ndër mirësitë e panumërta të cilën Ai ua ka dhuruar krijesave të veta. Kjo pemë është fryt i kësaj bote, siç është edhe i botës tjetër – i Xhennetit. Në hadith është shënuar gjithashtu se i Dërguari i All-llahut , s.a.v.s., e ka dashur rrushin dhe ftoin.

Rrushi ka substanca ushqyese të shumta. Ai mund të hahet i freskët dhe i thatë, i gjelbër dhe i pjekur. Rrushi i tryezës është një lloj i rrushit të cilin do ta përshkruajmë në këtë kapitull dhe këtë e bëjmë me qëllim që ta dallojmë nga rrushi i verës. Rrushi mund të klasifikohet si frut, ushqim, mëlmesë, pije dhe ilaç. Në botanikë, rrushi është klasifikuar si kokërr. Rrushi i shartuar rritet në hardhi dhe ngjyra e tij shkon nga e gjelbër e çelur deri në të zezë. Rrushi i gjelbër është më i ëmbël kur e ka ngjyrën e verdhë dhe është më i ushqyeshëm se rrushi i zi, bile edhe atëherë kur të dytë janë njësoj të ëmbël.

Temperamenti i rrushit është i nxehtë dhe i lagësht. Më i miri është rrushi i pjekur dhe në kalavesh (vile) kompakt. Rrushi më i mirë për t’u ngrënë dhe më i ushqyeshëm është ai që është vjelë dy-tre ditë më parë, sesa rrushi që hahet sapo të vilet, ngase ky i fundit mund të shkaktojë fryrje dhe gazra në lukth dhe në zorrë dhe është më mirë mos të hahet derisa t’i zbutet lëkura.

Vlerat ushqyese të rrushit të tryezës janë të ngjashme me atë të fikut dhe të rrushit të thatë (stafidhe). Rrushi rrit tendosjen e trupit, kurse rrushi pa fara vepron si purgativ i lehtë. Ngrënia e rrushit në mënyrë intensive shkakton dhembje koke, e cila mund të shërihet duke ngrënë shegë të hidhura. Rrushi ndihmon gjithashtu në rritjen e peshës trupore dhe bashkë me hurmat e freskëta quhen fruta mbretërorë.

* Rrushi është pemë e shijshme, aromatike dhe e ushqyeshme, që rinon dhe ushtron efekt të fuqishëm në organizëm. Ai e pastron, e përtërin, e bën më të bukur, më të freskët, lehtëson apo mënjanon shumë probleme shëndetësore.

Rrushi përmban vitaminë A, B 1, B 2, B 6, C dhe PP, pastaj minerale (kalcium, fosfor, hekur dhe magnezium).

Mjekësia bashkëkohore ka vërtetuar këto veti shëruese të rrushit:

pastron gjakun dhe tërë organizmin;
forcon mëlçinë, kurse personat që vuajnë nga gastriti u preferohet të përdorin tri herë në ditë nga 200 deri 300 gr një ose dy orë para bukës;
është ilaç efikas kundër hemorroideve (majasëllit). Preferohet të hahen 400 g rrush i zi para bukës;
për nxjerrjen e gurëve nga veshkat hahen 300 g rrush të zi para bukës. Kjo kurë zgjat 20 ditë pa ndërprerje;
të sëmurët nga prostata duhet të hanë tre herë në ditë nga 300 deri 400 g rrush të zi pas buke. Kjo kur zgjat dhjetë ditë pa ndërprerje;
për sëmundjet e lëkurës dhe për freskimin e saj, rrushi përdoret duke e kombinuar me vitamina.
Fruti përmban sasi të konsiderueshme sheqeri (25%), acide organike, kripëra të kalciumit, hekur, mjaft vitamina të grupit B dhe C, lëndë tonike etj.

Lëngu i rrushit është ilaç efikas për shërimin e sëmundjeve të mëlçisë dhe fshikës biliare, në sëmundjet e zemrës, të veshkave, të mushkërive dhe hemorroideve.

Rrushi ka edhe veti diuretike dhe përdoret me sukses tek personat që kanë gurë në veshkë, në fshikën e tëmblit dhe tek ata që vuajnë nga nefriti (pezmatimi i veshkave).

Një kurë rrushi u bën shumë mirë personave me reumatizëm dhe artrit.

Rrushi përdoret me sukses të dukshëm edhe tek ata që vuajnë nga pleuriti (pezmatimi i pëlhurës së mushkërive), bronkiti kronik, tek astma e lehtë dhe e mesme bronkiale, si dhe në sëmundjet e tjera të mushkërive.