Ruajtja e unitetit pavarësisht dallimeve

Historia ka qenë dëshmitare e shumë e shumë luftë- rave, përplasjeve dhe kundërshtimeve. Jemi krijuar të ndryshëm. Gjuhët, ngjyrat, dëshirat dhe në shumicën e rasteve edhe gjërat që i pëlqejmë apo nuk i pëlqejmë janë të ndryshme nga njëra-tjetra. Krijuesi i Madhërishëm nuk ka krijuar asnjë të ngjashëm me tjetrin në këtë botë. Edhe nëse flasim të njëjtën gjuhë, toni i zërit ndryshon. Edhe nëse ngjajmë në formë, në thelb jemi të ndryshëm. Kështu është gatuar brumi i ekzistencës sonë. Jemi krijuar një nga një dhe të veçantë. Kjo e vërtetë madhështore është vetëm një nga argumentet e panumërta, që tregojnë fuqinë dhe madhështinë e Tij. Dhe pavarësisht se jemi të ndryshëm, Ai ka kërkuar diçka prej nesh; ruajtjen e paqes. Të bëhemi njerëz që miqësojnë dhe miqësohen. Të socializohemi, madje të vëllazërohemi. Të mos bëhemi prej atyre që derdhin gjak, krijojnë ngatërresa, ndarës e përçarës, që grinden me njëri-tjetrin e ndahen në grupe, por të bëhemi një popull me dinjitet që bashkon dhe pajton. Mirë, po përse njerëzit e derdhin gjakun e njëritjetrit? Përse nuk janë miq, por bëhen armiq?

Në vend që ta kthejnë në xhenet botën ku jetojnë, përse e kthejnë në xhehenem? Zoti ynë na i tregon një nga një të gjitha shkaqet e kë- tyre. Ai na njeh me smirën e njeriut, ambicien, dëshirat e tij të pakufishme, egërsinë e tij kur posedon fuqi, prirjen për t’u ndjerë zot, arrogancën, egoizmin, logjikën e tij për të skllavëruar të tjerët, intolerancën ndaj dallimeve, pëlqimin e vetvetes, garën e tij për më shumë, ndjenjën e tij për t’u lavdëruar dhe shumë e shumë sëmundje të tjera të ngjashme. Ndonjëherë, këto të vërteta i tregon me anë të tregimeve, duke na bërë të kuptojmë se shkaku i armiqësisë ndërmjet bijve të babait tonë Ademit (a.s.), Kabilit dhe Habilit, ishte smira e Kabilit. Po ashtu edhe mosmarrë- veshjen midis Jusufit (a.s.) dhe vëllezërve tij e lidh me zilinë. Ai na tërheq vëmendjen tek arroganca e Karunit, i cili ishte mjaft i pasur e i pushtetshëm; thekson tiraninë e Faraonit dhe dëshirën e tij për të qenë zot, i cili mori fuqi në sajë të pushtetit. Tregon për ndjenjën e humbjes së pushtetit dhe smirën e armiqve të pejgamberëve, të cilët u kumtonin njerëzve fenë e vërtetë.

Për sa kohë të ekzistojnë njerëzit e paformuar, të cilët nuk janë pjekur në zjarrin e shpalljes hyjnore, ndjenjat e të cilëve nuk janë hijeshuar, që janë të paedukuar dhe të trashë, edhe këto armiqësi do të vazhdojnë të ekzistojnë deri në Ditën e Kiametit. Atëherë, a është e mundur që të gjithë njerëzit një- herësh të pajtohen, të bëjnë paqe, të përmirësohen e pastrohen? Nëse do Zoti ynë, po! Mirëpo, Ai nuk e dë- shiron që kjo gjë të ndodhë në mënyrë të detyrueshme dhe me forcë. Ai ka dëshiruar që ata të cilët e kanë kuptuar dhe përvetësuar të vërtetën, të bashkohen dhe të vendosin drejtësinë mbi tokë. Por si do të mund të realizohet kjo? E shprehur ndryshe, a është e mundur të gjesh unitetin/bashkimin në vorbullën e prirjeve të ndryshme? Si do të përcaktohen kriteret e saj? Kush do ta marrë përsipër formimin e një xhemati/shteti/kombi/umeti të tillë? Kjo është çështja më e rëndësishme! Ky është ideali më i madh: Përgjegjësia e ndërtimit të sundimit të së drejtës dhe të vërtetës mbi tokë. Po, nuk është e mundur t’i miqësosh, t’i bashkosh e t’i vëllazërosh njerëzit, duke eliminuar dallimet në formën dhe përmbajtjen e tyre. Po ashtu, nuk është e mundur as që dëshirat të bëhen një e vetme. Atëherë, nuk mund të bëhet fjalë për një zgjidhje tjetër, përveçse të mblidhemi përreth disa vlerave të përbashkëta dhe të formojmë një “shoqëri vlerash” ose, e thënë ndryshe, “një shoqëri virtytesh”. A mundet që njerëzimi i kapluar nga shumë dobësi, të formojë vetë një shoqëri të tillë virtytesh? Mbase në ndërgjegjen e një natyre të paprishur mund të formohet një sistem i tillë vlerash. Mirëpo, t’i mbledhësh ndërgjegjet e tilla në një vend dhe të shpallësh zërin e ndërgjegjeve në formën e një sistemi parimesh pa u ndikuar nga asgjë, me qëllim që këto të jenë mbizotëruese, është pothuajse e pamundur. Në fakt, në ditët tona këto lloj grupesh janë formuar (kombet e bashkuara e të ngjashme). Por për shkak të dyfytyrësisë dhe qëndrimit të tyre në anën e të fortit dhe interesave, tashmë është bërë e qartë para të gjithë botës se një mendim i tillë nuk është gjë tjetër përveçse disa rreshtave mbi letër. Atëherë, çfarë duhet të bëhet? Pikësëpari, të theksojmë se të vërtetat që kanë sjellë të gjithë pejgamberët janë parimet hyjnore të qytetërimit të virtyteve, i cili do të vendosë paqen dhe qetësinë mbi tokë. Natyrisht se këto parime nuk do të pranohen një për një nga të gjithë njerëzit. Mirëpo, nëse formohet një umet/popull i fortë, i mbërthyer me njëritjetrin rreth këtyre parimeve dhe bëhet mbizotërues në tokë, atëherë do të mund të flasim për drejtësinë dhe paqen e vërtetë. Formimi i një umeti të tillë është përgjegjësia më e madhe e familjes njerëzore.

Ndërsa çdo lloj grindjeje, mosmarrëveshjeje dhe kundërshtie, që e copëton këtë unitet, është një nga gjynahet më të mëdha. Ne kemi në dorë Kuranin Fisnik, që është edhe sistemi i fundit i vlerave që na ka ardhur prej Zotit tonë. Ata që e zotërojnë këtë libër, nuk duhet të ekzistojnë vetëm për veten e tyre, por për të gjithë njerëzimin, sepse Zoti ynë, i Cili është pronari i këtij libri, ka urdhëruar: “Ju jeni populli më i mirë, i dalë për njerëzimin…” dhe për ta çuar në vend këtë përgjegjësi: “ju do të urdhëroni të bëhen vepra të mira, e do të ndaloni të këqijat”1 . Prandaj, “ju nuk do të përçaheni, vëllazëria jua nuk do të cenohet dhe do të jeni të fuqishëm”. Çelësi kryesor i të qenit një dhe të bashkuar, është libri i Allahut. Për këtë arsye, ne duhet të kapemi fort pas sistemit të vlerave që ka shpallur Ai. Të ndahesh në grupe, të prishësh unitetin, të copëtosh fenë dhe në vend që t’i konsiderosh pasuri, t’i shndërrosh në shkaqe copëtimi medh’hebet, mendimet, metodat dhe xhematet që kanë dalë në emër të fesë, duke u zhytur në sëmundjen e fanatizmit, është një krim shumë i rëndë, në radhë të parë ndaj umetit Islam dhe pastaj ndaj gjithë njerëzimit. Ata që veprojnë kështu, marrin pjesën e tyre të fajit prej çdo krimi dhe padrejtësie që ndodh mbi tokë. Dhe dënimin e kësaj do ta shijojnë në mënyrën më të hidhur, si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër. Allahu i Madhëruar, në lidhje me këtë fund të hidhur, urdhëron: “Mos u bëni si ata që, pasi u erdhën provat e qarta, u përçanë dhe u grindën. Për këta do të ketë dënim të madh.” (Al’ Imran, 105) “Me të vërtetë, ti s’ke të bësh fare me ata që e përçajnë fenë e tyre dhe shndërrohen në sekte. Te Allahu është puna e tyre e pastaj Ai do t’u tregojë çfarë patën punuar.” (En’am, 159) Nëse atyre, që ndahen në grupe në emër të fesë dhe e dobësojnë umetin, do t’u priten lidhjet me Pejgamberin (a.s.), duhet menduar se çfarë do të pësojë ai njeri apo ata njerëz që e shkatërrojnë unitetin midis besimtarëve për hir të kësaj bote, të interesave apo pushtetit. Uniteti kërkon durim, sakrificë, solidarizim, falje, mirëkuptim, altruizëm dhe dorëzim ndaj Zotit dhe të vërtetës. Armiku më i madh i unitetit është smira dhe egoizmi. Kur individët dhe grupet që pretendojnë se i takojnë umetit, të shpëtojnë prej këtyre sëmundjeve, do të arrijnë mëshirën e Zotit dhe fitues do të dalë i gjithë njerëzimi. Ata që jetojnë vetëm për veten, janë njerëz shpirtngushtë. Ndërsa besimi është një dritë hyjnore që i zgjeron shpirtrat. Kush është shpirtngushtë, ka edhe besimin e dobët.