Rusia kërcënon se do të bllokojë YouTube-n

Rusia kërcënon se do të bllokojë YouTube-n

Agjencia Federale Ruse e Teknologjive të Informacionit dhe Mbikëqyrjes së Masmedias (Roskomnadzor) njoftoi se YouTube mund të bllokohet në Rusi për shkak të mbylljes së dy kanaleve në gjuhën gjermane të Russia Today (RT), transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim Roskomnadzor reagoi ndaj YouTube-s e cila mbylli të dy kanalet gjermane që i përkisnin RT-së.

Në deklaratën se i është dërguar një letër Google-s, pronarit të YouTube-s, për shkak të vendimit në fjalë thuhet se “Në letër u kërkua të rikthehet vendimi për mbylljen e kanaleve në të kundërtën YouTube mund të bllokohet në Rusi”.

Në deklaratë gjithashtu thuhet se Google mund t’i nënshtrohet gjobave të ndryshme.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se ka indikacione se Google shkel ligjet ruse. “Nëse agjencitë tona përkatëse arrijnë në përfundimin se kjo është me të vërtetë shkelje e legjislacionit tonë, ne natyrisht duhet të marrim parasysh mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve për të detyruar këtë platformë që të pajtohet me ligjet tona”, tha ai.