Sa bashkatdhetarë kanë vdekur dhe janë infektuar me koronavirus?

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) nuk ka asnjë të dhënë rreth viktimave dhe të infektuarve me koronavirus nëpër botë.

E tërë bota është duke u përballur me pandeminë COVID-19, ku deri më tash në nivel global janë infektuar 66.7 milionë persona dhe kanë humbur jetën 1.53 milionë persona nga ky virus.

Në anën tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka bërë të ditur se në tërë vendin numri i të infektuarve me koronavirus ka arritur në 42 mijë e 805 dhe se që nga muaji mars kur edhe janë regjistruar rastet e para të infektimit me COVID-19 në Kosovë e deri më tani kanë ndërruar jetë 1 mijë e 106.

Pavarëisht rritjes së rasteve të reja me koronavirus në tërë botën, përfshirë edhe vendet ku jetojnë dhe veprojnë kosovarët, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka bërë të ditur për lajmi.net, se nuk kanë asnjë të dhënë në lidhje me bashkatdhetarët të cilët janë infektuar apo edhe kanë ndërruar jetë.

Sipas MPJD-së, institucionet spitalore në Evropën Perëndimore, aty edhe ku ka më së shumti bashkatdhetarë nuk japin asnjë të dhënë kjo pasi që shkelet privatësia e të infektuarve.

“Në Evropën Perëndimore, ku jeton numri më i madh i bashkatdhetarëve tanë, institucionet spitalore, publike e private, nuk japin të dhëna për përkatësinë etnike apo nënshtetësinë e të sëmurëve. Për institucionet shëndetësore, të gjithë të infektuarit me SARS-CoV-2, janë pacientë. Identifikimi i tyre mbi baza etnike apo të shtetësisë do të ishte joetike, dhe në kundërshtim me rregullat / parimet për mbrojtjen e të dhënave të pacientëve”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së dhënë lajmi.net.

Bazuar në këtë, kjo ministri ka thënë se për shkak të ruajtjes së privatësisë së të dhënave të pacientëve nga institucionet shëndetësore e ka bërë që Kosova të mos ketë të dhëna për shtetasit e saj.

“Si rrjedhoje, MPJD nuk mund t’ju sigurojë të dhëna zyrtare se sa bashkatdhetarë tanë, me banim të përhershëm apo të përkohshëm në shtetet tjera, janë prekur nga virusi që ka shkaktuar pandeminë COVID-19. Po ashtu, MPJD nuk mund t’ju sigurojë të dhëna zyrtare as për numrin e atyre që kanë pësuar nga kjo pandemi, meqë viktimat nuk janë thjeshtë numra, dhe një pjesë e tyre janë varrosur në vendin ku kanë jetuar”, kanë theksuar nga MPJD.

Mirëpo, pavarësisht kësaj, në muajin prill të këtij viti nga MPJD-ja kishin bërë të ditur për lajmi.net se nga të dhënat që ka arritur t’i sigurojë kjo ministri, kishin qenë 10 persona që kishin humbur betejën me koronavirusin dhe 42 të tjerë kishin qenë infektuar me koronavirus në vende të ndryshme të botës

Theksojmë se aktualisht në tërë botën numri i të infektuarve me koronavirus ka arritur në 66.7 milionë, kurse janë gjithsej 1.53 milionë persona në nivel global që kanë ndërruar jetë nga ky virus.

Në anën tjetër, në Kosovë numri i të infektuarve me koronavirus ka arritur në 42 mijë e 805 ndërkaq janë 1 mijë e 106 persona të cilët kanë humbur betejën nga COVID-19.

Deri më tani në Kosovë janë 28 mijë e 504 persona të cilët kanë arritur të shërohen plotësisht nga koronavirusi dhe aktualisht në vendin tonë janë 13 mijë e 195 raste aktive me COVID-19.