Rtv Pendimi
Good life Restaurant
Samet Tours
auto lider
Shëndetësi

Sa është shtimi normal i peshës tek një fëmijë ?

Muslim Shop

Nga: Dr.Ismail Lutolli specialist Pediatër
subspecialist Dijetolog-Nutricionist

Sa duhet të shtojë peshë një fëmijë nga lindja deri në vitin e tetë të jetës?
Fëmija im nuk po shton peshë sa duhet, çfarë të bëj?
Fëmija im ka shtim të tepërt të peshës, çfarë të bëj?

Një nga shqetësimet më të mëdha të prindërve pas ardhjes në jetë të fëmijeve të tyrë është pyetja nëse fëmija i tyre është duke shtuar peshë mjaftueshëm.
Brengat dhe frika nuk kanë të ndalur për prindërit e rinjë dhe fokusi kryesor ngelet pesha e fëmijëve të tyre. Ky është parametri që ata e vlerësojnë se gjithçka po shkon si duhet me të posalindurin e tyre.

Për një nënë gjidhënëse shqetësimi kryesor ngelet: A i mjafton gjiri foshnjës apo duhet edhe shtesa? Ky shqetësim bëhet edhe më i shprehur nëse shtimi në peshë nuk është ai që prindërit presin.

Shtimi në peshë është parametri kyesorë për një nënë gjidhënëse për të ditur nëse fëmija i saj po pi mjaftueshëm.Për prindërit tjerë që fëmijët i ushqejnë me shtesa, ky problem është më i thjeshtë pasi ata e dijnë sakt sasinë e qumështit që përdorin për fëmijët e tyre. Te kjo kategori është rreziku më i madh të japin më shumë sesa duhet nga frika që nuk i mjafton qumështi.

Rritja e peshës tek fëmijët që ushqehen me gji dhe fëmijët e ushqyer me qumësht të adaptuar nuk është krejtësisht e njejtë.

Si të dini nëse një fëmijë po ha mjaftueshëm dhe po shton peshë në mënyrën e duhur?

Është një proces shpeshherë më i komplikuar sesa duket në shiqimin e parë.

Tek prindërit që i ushqejnë fëmijët me qumësht formulë, ushqimi  mund të dozohet me saktësi sipas udhëzimeve dhe rekomandimeve të prodhuesit dhe janë të ekuilibruara me kalori, është normale që shtimi i peshës tek fëmijët me biberon të jetë më i qëndrueshëm, i njëtrajtshëm, më afër vlerave që mirren si normale.
Shpeshherë te kjo kategori kemi edhe shtimin më të madh sesa duhet dhe kjo ndodhë nga sforcimi që bëjnë prindërit duke e ngopur sa herë që fëmija qanë edhe për arsye tjera që mund të ketë.

Fitimi i peshës tek foshnjat që ushqehen me qumësht gjiri është zakonisht më i vogël dhe luhatje më të mëdha në normën e shtimit të peshës janë të mundshme. Kjo është më e shprehur sidomos në muajt e parë dhe mbase kjo është arsyeja e gabimit të madh që bëjnë nënat duke shtuar shtesat apo duke hequr krejtësisht dorë nga gjidhënja, nga frika e mos shtimit në peshë në mënyrën e kënaqshme.

Mjerisht në tërë këtë gabim të kushtueshëm për fëmijët shpeshherë bien edhe pediatrit që i ndjekin këta fëmijë. Shpeshherë janë vet ata që bindin një nënë gjidhënese që qumështi i saj nuk është i mjaftueshëm dhe i propozojnë fillimin me shtesat.

Muaji i parë si muaji më i rëndësishëm

Në muajin e parë të jetës, shumica e fëmijëve qoftë me gjidhënje apo edhe me shtesa, formulë të adaptuar  shtojnë peshë në mënyrën të vrullshme, gjë që është e rëndësishme për zhvillimin. Është muaji i parë ku kemi zhvillimin intenziv të një sërë sistemesh në organizmin e foshnjës së posalindur.

Është pikërisht muaji i parë ku shtimi në peshë do varet nga një sërë faktorësh:

• Gjenetik ( te dy prindër të shkurtër ose mesatar do të kemi shtim më të ngadalshëm sesa kur te dy prindërit janë të të gjatë);

• Adoptim i ngadalshëm në jetën e jashtme;

• Infeksionet e mundshme;

• Traumat e vetë procesit të lindjes;

• Mosrealizimi i suksesshëm i gjidhënjes apo edhe ekzistimin e ndonjë sëmundjeje tjetër e cila ndikon direkt në vetë procesin e gjidhënjes dhe për pasojë edhe në frenimin e shtimit në peshë. Arsyet e tilla nuk duhet të injorohen.

Karakteristikat e shtimit të peshës tek i porsalinduri:

• Humbja e peshës fiziologjike 2 deri në 5 ditë pas lindjes është normale dhe e pritshme. Ajo arrin në 5 deri 10 % të peshës së lindjes. Pra, fillimi i shtimit të peshës pritet pas disa ditëve. Në fillim kemi humbje të peshës.

• Për dy javë të jetës, fëmija duhet të kompensojë humbjen dhe të rimarrë peshën e saj të lindjes

• Fitimi minimal në muaj gjatë 4 muajve të parë është 500g, sidoqoftë kjo nuk është diç e ndarë me thikë. Edhe nëse kemi 400 gram për një muaj dhe fëmija është në proces gjidhënjeje nuk është për shqetësim. Pra, duhet parë gjendja në tërësi.

• Në moshën 6 muajshe foshnja duhet të dyfishojë peshën e tij të lindjes.

• Deri në moshën 1 vjeç, një fëmijë duhet të trefishojë peshën e tij të lindjes.

• Tek të gjitha këto vlera janë orientuese dhe mjeku pediatër duhet të përcjellë shtimin apo stagnimin e shtimit në peshë nëse kemi dhe tërë këtë të analizoj me gjendjen e përgjithshme.

Muaji i parë, muaj i vështirë por mundësi  e madhe për nisje të mbarë

  • Është shumë e rëndësishme të dini dhe të kuptoni se shumica e fëmijëve humbin peshë për dy deri në tre ditët e para pas lindjes.
  • Humbja e peshës sëditëve të para variron nga 5 deri në 8% të peshës së lindjes dhe është normale tek foshnjat e porsalindura. E tërë kjo ndodhë pasi kemi jashtëqitjen e parë dhe humbjet tjera te foshnja si dhe vetë stresin që përjeton gjatë kalimit nëpër kanalin e lindjes etj.
  • Ka shumë rëndësi që fillimi i ushqyerjes me gji të jetë i menjëhershëm dhe foshnja të jetë në gjirin e nënës dhe krahrorin e saj mënjëherë pas lindjes. Brenda minutës së parë sa më shpejtë është më mirë.
  • Nuk ka rregull apo orar për gjidhënje në ditët e para. Në çdo kërkesë dhe sa më shpesh e vendosni foshnjën tuaj në gjidhënje edhe nëse në gjinjtë tuaj ka vetëm disa pika qumësht.                   E tërë kjo do ndikojë që të kemi shtimin e sasisë së qumështit dhe në anën tjetër do e rikthejë sa më parë peshën e humbur tek foshnja juaj. Kemi prezencën e kolostrum, një qumësht i parë dhe shumë i fortë kalorik, pas së cilës së shpejti qumështi i duhur së shpejti do të vijë në sasi më të mëdha. Nëse një foshnjë humbet më shumë se 8% të peshës së lindjes ose vazhdon të humbasë peshën në ditën e 4-të ose të 5-të pas lindjes kjo mund të përbëjë shqetësim të veçantë dhe të shkaktojë probleme me shëndetin e foshnjës.
  • Pas dy javësh fëmija duhet të rikthejë peshën e lindur dhe tani fillojmë shtimin më intenziv. Pra, nëse fëmija juaj ka lindur 3 kg në tre ditët e para do të ketë rënjë në peshë dhe do të peshojë afërsisht 2700 gr. Pas dy jave do të kemi përseri rikthimin në peshën 3 kg dhe kjo pak a shumë merret si parametër normal.

Fëmija ka mbushur një muaj, sa duhet të peshojë ? (plus 400 – 800 gr)

Në një ekzaminim pediatrik në moshën një muaj, foshnja do të peshohet dhe atëherë është e rëndësishme që ai të peshojë 500 g më shumë se pesha minimale pas lindjes.

Nëse fëmija ka humbur peshë shtesë pas humbjes fiziologjike 2 ose 3 ditë pas lindjes, ky ndryshim do të jetë i dukshëm dhe fëmija do të duhet të kompensojë atë. Pra, nëse kemi një fëmijë me gjidhënje i cili në dy javët e para ka pasur probleme serioze me gjidhënjen dhe adaptimin por me vonë gjithçka është rikthyer në normalitet dhe në fund të muajit të parë është plus 400 g, megjithatë edhe kjo mund të quhet një peshë normale apo shtim normal.

Nëse në anën tjetër një fëmijë ka shtuar edhe 700g përsëri kemi me një shtim normal.

Ka shumë rëndësi që pediatri të vlerësojë për sa kohë një i posalindur po e rikthen peshën e lindjes dhe pastaj të ndjekë ritmin e shtimit në peshë.

Në këtë rast, duhet të konsultoheni me ushqyerjen me gji, ose të kërkoni ndihmë për ushqyerjen me gji, qoftë me një këshilltar të ushqyerit me gji ose me një profesionist tjetër, i cili është në gjendje të identifikojë gabimet e mundshme të ushqyerjes me gji dhe t’ju këshillojë se si të përmirësoni shtimin e peshës tek fëmija juaj. Ndonjëherë ndodh që nënat të jenë të bindura për ushqyerjen e tyre me gji edhe pse fëmija i tyre po përparon pak. Dhe shpesh gabimet në vendosjen e fëmijëve në gjinjtë e tyre janë arsyeja pse disa fëmijë thithin me ngacmim dhe paaftësi dhe përfundimisht bien në gjumë shumë shpejtë në zemrat e tyre pa u ngrënë.

Sidoqoftë, nëse fëmija juaj ka shtuar më pak se 500g atëherë detyra e pediatrit është të gjejë ku ndodhen arsyet dhe ato duhet të fokusohen në pikat e mëposhtme:

• Foshnja nuk mund të thithë me sukses në pozicionin e gabuar dhe nuk merr sasinë e duhur të qumështit, duke bërë që ai të lodhet plotësisht dhe të flejë në gjoks.

• Foshnja mund të flejë gjatë kohës së gjidhënjes, pra e shfrytëzon qëndrimin për pushim dhe gjumë e shumë pak për gjidhënje, ky është gabimi I radhës.

• Foshnja juaj ka vjellje pas çdo vakti gjidhënjeje, duhet zgjidhur ky problem duke filluar nga pozicioni i foshnjës gjatë gjidhënjes e pas saj si dhe nga një sërë këshillash tjera nga pediuatri.

•. Në rast se foshnja merr më pak se 500g në muajin e parë edhe pse procesi i gjidhënjes apo marrjes së qumështit shtesë është i bollshëm, atëherë pediatri duhet të gjurmojë për probleme tjera që kanë ndikuar direkt në këtë stagnim.

• Kur kërkohet një rritje e peshës më pak se 200g, fëmija ka nevojë për shtrimin në spital dhe realizim të analizave e një sërë egzaminimesh të nevojshme për të detektuar e zgjidhur problemet që mund të ekzistojnë.

Shtimi peshe nga muaji i parë deri në muajin e gjashtë- dymbëdhjetë

Muji i parë deri ne muajin e 6- të. 400 deri 700 gr per cdo muaj (me gjidhënje ) 500 deri 800g për çdo muaj (me formulë-shtesa)
Muaji i 6-të deri ne muajin 12-të. 400 – 600g për çdo muaj (gjidhënje) 500 – 700g për çdo muaj (me formulë-shtesa)

Muaji i gjashtë është koha kur fëmija juaj do duhej të dyfishonte peshën e lindjes por sidoqoftë edhe nëse kjo nuk ndodhë , duhet parë me qetësi. Ka shumë rëndësi që ushqimi mos të fillojë para muajit të gjashtë.

Një fëmijë duhet të marrë 500 deri në 800g çdo muaj në gjysmën e parë të vitit. Edhe nëse merr nga 500 g në muaj prapë jemi në kufijtë e pranuar.

Nga muaji i 6-të deri në muajin e 12-të , një fëmijë do duhej të shtonte 500 deri në 700 g (400 – 600 gr )

Sidoqoftë dinamika e çdo fëmije është e veçantë dhe gjithmonë duhet analizuar si raste të veçanta. Këto vlera janë vetëm për orientim të përgjithshëm.

Viti i parë

Dihet që në datëlindjen e parë, foshnja mesatare që është ushqyer me qumësht gjiri ka një lartësi më të madhe dhe më pak peshë në krahasim me fëmijët që janë ushqyer me formulë të adoptuar. Fëmijët me formulë kanë lartësi më të vogël por peshë më të madhe.

Fëmijët që ushqehen me gji, zakonisht midis moshës 4 dhe 6 muaj, fillojnë të zotërojnë aftësi të reja motorike në mënyrë shumë aktive, përpiqen të ulen, disa përpiqen të zvarriten, dhe më pas shtimi i peshës së tyre është 500 deri në 600 g në muaj.

Në gjysmën e dytë të vitit, rritja është më e vogël. Nga 6 deri në 9 muaj, foshnjat me gji marrin 300 deri 500 g në muaj, dhe pas 9 muajsh, kur shumë prej tyre fillojnë me hapat e parë, shtojnë vetëm 300g deri në 400g në muaj.  Pra, për prindërit dhe një mjek të pakujdesshëm kjo mund të jetë alarmante por në të vërtetë është diç normale dhe ka dallime në mes një fëmije me gjidhënje dhe atij me shtesa sa i përket peshës dhe gjatësisë në vitin e parë të lindjes.

Femija juaj është me gjidhënie dhe nuk ka shtuar peshën e pritshme, a duhet të filloni shtesat?

Kur flasim për shifrat po e ripërsëris se ato janë vetëm orientuese pasi secili fëmijë ka arsyet e mos shtimit në peshë në hapat e pritshme.

Nëse fëmija juaj nuk ka shtuar peshën e pritshme, pediatri duhet të analizoj me kujdes:

• Nëse fëmija juaj javën e fundit apo muajin e fundit ka kaluar gjendje virale e cila ndikon direkt edhe në shtimin e peshës.

• Nëse ka kaluar peripeci me procesin e vaksinimit

• Nëse nëna ka arritur me sukses vetë procesin e gjidhënjes

• Nëse kemi të bëjmë me probleme tjera shëndetësore që ndikojnë në mënyrë indirekte në shtimin e peshës.

• Nëse kohët e gjidhënjes apo vaktet e ushqimit me formulë janë të rralla.

• Nëse gjatë natës fëmija nuk zgjohet asnjëherë për të pirë (kjo mund të jetë arsye e madhe për mos shtimin në peshë).

• A keni ndryshuar diçka në frekuencë apo mënyrën se si ushqeni me gji apo me shtesa? Në muajt e parë është normale që fëmija të thith 10-15 herë brenda 24 orëve. Ushqyerja me gji duhet të vazhdojë gjatë natës për të ruajtur laktacionin dhe aftësinë e zvogluar të stomakut të foshnjës gjatë muajve të parë të jetës. Procesi i gjidhënjes gjatë natës është i domosdoshëm si për shtimin e,peshës ashtu edhe për prodhimin e qumështit. Kjo periudhë e gjidhënjes gjatë natës duke e vendosur 2 deri 3 herë ne gji, ndikon direkt në prodhimin e hormonit të Prolaktines i cili ka rol të madh në prodhimin e quështit të gjirit.

• Vlerësojeni stresin që po kalon një nënë e re apo edhe mundësinë e depresionit pas lindjes. Një nënë mund të ushqehet mirë dhe mund të bëj pushim dhe gjumë, por përsëri e ndikuar nga stresi të mos ketë prodhim të mjaftueshëm të qumështit dhe për pasojë fëmija të mos ketë peshën e duhur. Pra, shmangien e stresit merreni si faktor të rëndësishëm.

Çfarë të bëjmë kur shtimi në peshë është më i madh sesa pritet?

Si rregull, kjo çështje fillon të shqetësojë nënat në gjysmën e dytë të vitit. Pra, në muajt e parë kjo interpretohet si dic mjaft e mirë dhe si shenjë e shëndetit.,Në dy ose tre muajt e parë, fëmijët mund të fitojnë më shumë sesa 500g të përshkruara, për shembull, mund te shtoj 800g apo edhe 1 kg.

Ky shtim në shumicën e rasteve ndodhë te fëmijët që ushqehen me shtesa, pra qumështi formulë. Arsyeja në të shumtën e rasteve ndodhe si pasojë e qumështit të tepërt që merr fëmija. Te shumë familje kjo nodhë nga frika që fëmija nuk po ngopet asnjëherë pasi po qan pas marrjes së një biberoni.

Kuptohet shtimi i tepërt në peshë në raste të rralla ndodhë edhe te nënat gjidhënëse, por është shumë më pak shqetësues dhe kalon shumë më shpejtë drejtë normalitetit.

Shpesh mund të shohim se një shtim i tillë specifik në peshë është i trashëgueshëm dhe se ju ose prindërit tuaj keni qenë po aq të madh sa edhe foshnjat gjashtëmujore.

Sidoqoftë, në raste kur ky shtim bëhet shqetësues, atëherë sigurohuni që të konsultoheni me një pediatër, i cili duhet t’ju referojë tek endokrinologu i një fëmije. Rritja e vazhdueshme e madhe e peshës pa ngadalësuar pas 6 muajsh tregon mundësine e një çrregullim hormonal që do të trajtohet më me sukses, sa më shpejt të fillojë trajtimi.

Për në fund po e sjellë një tabelë për shtimin në peshë gjatë vitit të parë, por gjithmonë duke e ripërsëritur që kjo nuk guxon të lexohet e shkëputur nga gjendja e përgjithshme shëndetësore dhe aspekti klinik i çdo fëmije si i veçantë.

Tek një fëmijë mund të jetë normale shtesa prej 300 g në një muaj të caktuar, derisa të tjetri eshte normale 800 gram po për të njejtin muaj, pra arsyet janë ato që e bëjnë normale apo jo atë shtim peshe që ka ndodhur.

Ja sa duhet të shtojë një foshnje nga muaji i parë deri në të 12-in.

Muaji 1-rë 400 – 600 gram,
muaji 2-të 500 – 800 gram,
muaji 3-të e 4-të 500 – 750 gram,
muaji 5-të e 6-të 500 – 600 gram,
muaji 7-të – 9-të 400 – 600 gram,
muaji 10-të – 12-të 300 – 500 gram.

Në mënyrë të përmbledhur në bazë të të dhënave nga OBSH-ja :

Mosha Kg /cm Djem Vajze
I posalindur kilogram 3 – 3,7 2,9 – 3,5
centimetra 48,5 – 51,1 48 – 50,5
Muaji I 3- të kilogram 5,9 -6,9 5,35 -6,35
centrimetra 60 -62,7 58,4-61,2
Muaji I 6 – të kilogram 7,35 -8,52 6,7 -7,9
centimetra 66,3 -69,1 64,3 -67,3
Muaji I 9 – të kilogram 8.25 -9,59 7,57 -8,93
centimetra 70,4 -73,4 68,6 -71,9
Muaji I 12 – të kilogram 8,98 -10,3 8,25 -9,7
centimetra 74,2 -77,5 72,4 – 75,7
Muaji I 15- të kilogram 9,57 -11.11 8,84 -10,4
centimetra 77,5 – 80,8 75,9 -79,2
Muaji I 18- të kilogram 10,1 – 11,7 9,43 -11,11
centimetra 80,5 – 84,1 78,7 -82,6
Muaji I 21- të kilogram 10,7 -12,47 9,97 – 11,79
centimetra 83,1 -87,1 81,5 – 85,9
Muaji I 24 – të kilogram 11,25 -13 10,5 -12,5
centimetra 85,9 -89,9 84,3 -88,6
3 vjecarë kilogram 13,4 -15,5 12,8 -15,1
centimetra 92,7 -98 91,4 -96,8
4 vjeçar kilogram 15,1 -17,7 14,6 -17,4
centimetra 99,6 -105,4 98 -104,1
5  vjeçar kilogram 17 -22,9 16,5 -19,9
centimetra 105,9 -112,3 104,9 -111,3
6  vjeçar kilogram 19 -22,9 18,5 -22,7
centimetra 112,3 -119,1 111,5 -118,6
7  vjeçar kilogram 21,1 -25,7 20,6 -25,7
centimetra 118,4 -125,7 118,1-125,5
8  vjeçar kilogram 23,3 -28,8 23,1-29,1
centimetra 124,2-132,1 124 -131

Të ngjajshme

Recetë – si të shtoni energjinë tuaj

Qëndrim Ibrahimi

Ushqimet e preferuara te Muhamedit a.s.

Kushtrim Guraj

Helicobakter pylori infeksion me shume pasoja

Kushtrim Guraj

Vapa, e rrezikshme për fëmijët!

Kushtrim Guraj

Sa ujë duhet të pini në bazë të peshës?

Hevzi Hasani

Si ndikon dielli në shëndetin tuaj?

Hevzi Hasani

Përse nuk është e shëndetshme pirja e ujit në këmbë?

Kushtrim Guraj

A mundë të ju ndihmoj meditimin, në orar të punës?

Kushtrim Guraj

Boronicat reduktojnë rrezikun nga sëmundjet e zemrës

Kushtrim Guraj