Rtv Pendimi
Dr. Shefqet Krasniqi

Sa janë largpamës parlamentarët tanë!?

‘Pranvera Arabe’, e cila filloi më 2010, zgjoi interesim të madh në tërë botën. Lindjes së Mesme iu kushtua një vëmendje si kurrë më parë. Protestat shiheshin si mjet demokratik për të larguar despotët dhe diktatorët. Rënia e Ben Alia-së, Gadafit, e deri diku edhe Mubarakut, qe pritur mirë në tërë botën. Shihej si një dritare e re në historinë e këtyre popujve të përvuajtur pasi që tashmë së paku një herë në jetë do të mund të vendosnin për veten e tyre.

Kështu e ka demokracia. Populli vendos për vete.

Me këtë shpresë filluan edhe protestat paqësore në Siri. Në fillim në protesta aty-këtu viheshin re edhe ambasadorët e vendeve të ndryshme të botës, si bartës të demokracisë dhe transformimit. E tërë bota u ngrit kundër Beshar el-Esed, të cilin, si duket, protestat vetëm sa e tërbuan. Ushtroi dhe vazhdon gjenocid të paparë mbi popullin e vet për të katërtin vit me radhë. Ndoshta, krimet që ka bërë ai janë më makabre në kohën bashkëkohore. Imazhet që vinin, dhe vijnë edhe sot e kësaj dite, nga Siria nuk kanë si të mos ngjallin të paktën një ndjenjë humane të solidaritetit me ata njerëz. Vdekja e mijëra fëmijëve vetëm për ca orë nga përdorimi i armëve kimike, madje mijëra të tjerëve nga të ftohtit, uria, mungesa e medikamenteve, vazhdojnë t’i mbushin të paktën sytë me lot për të gjithë ata që kanë fëmijë dhe posedojnë ndjenja njerëzore.

Edhe Kosova u solidarizua me atë popull. Jo nga feja, sepse politikanët tanë fenë nuk e kanë aq për zemër, por nga vullneti për të jetuar të lirë, e përkrahën popullin e Sirisë. Madje qeveritarët tanë, në krye me krye-diplomatin Hoxhaj pritën zyrtarisht një delegacion nga opozita duke i dhënë përkrahje të madhe morale dhe duke e krahasuar sakrificën e tyre me atë të popullit të Kosovës për t’u çliruar nga okupatori. Ky solidarizim filloi të reflektojë angazhimin praktik të një numri të madh vullnetarësh nga e tërë bota, në krye me shtetet e perëndimit, për t’i ndihmuar popullit sirian për të rrëzuar diktatorin që përdorë armë kimike para syve të botës.

Pati edhe nga bijtë e këtyre trojeve tona që shkuan atje, madje shumë i paktë ishte numri i atyre nga Kosova. Kjo ngase ideja e shkuarjes së rinisë atje nuk ishte përkrahur nga hoxhallarët as zyrtarisht e as nga ata më famë popullore në Kosovë. Edhe unë isha ndër të parët që kam refuzuar idenë e shkuarjes në Siri, për arsye tashmë të njohura dhe të përsëritura disa herë. Të njëjtën gjë e ka bërë edhe vet BIRK, respektivisht Kryesia e saj në deklarata të shumta.

Shkuarja e djemve tanë në Siri filloi të interpretohet si makth për shoqërinë kosovare nga disa politikanë e analistë në vend. Jam i bindur se ata nuk preokupohen për shkuarjen apo jetët e tyre, ngase politikanët tanë as që qajnë kokën për jetët e atyre që deri me dje ishin krahë-për-krahë në luftën kundër okupatorit, e të cilët ish-ushtarë tashmë i janë kthyer vetëvrasjes si ‘zgjidhje’ nga skamja e varfëria e skajshme. Por çështja ka të bëjë me logjikën ‘më katolik se papa’. Duan të shtiren para perëndimit se kinse ne po e luftojmë ekstremizmin, terrorizmin, duke nxjerrë madje edhe ligje, të cilat në të vërtetë humbin vlerën, shfaqin shkurtpamësinë dhe servilizmin që kanë këta njerëz.

I kam përcjellë me vëmendje diskutimet në parlament për këtë ligj. Duket vërtet miratim i anshëm, pasim dhe imitim i verbër i shteteve tjera. Madje në kundërshtim të plotë me interesat tona kombëtare e fetare. Është një ligj që për nga mentaliteti i ngjanë shumë sistemeve moniste. Kam ngelë i habitur kur kam parë mbështetjen e deputetëve për këtë ligj, ndërsa nuk e kuptonin se çfarë po votonin. Nëse nesër fillon një masakër ndaj vëllezërve tanë në Maqedoni, Preshevë, Medvegjë, ne nuk do të guxojmë të ndihmojmë, ngase na pret burgu. Nuk do të guxojmë as të shkruajmë. As të bëjmë thirrje për mbrojtjen e tokave dhe vëllezërve tanë.

Si duket Serbia si nismëtare për të bërë një ligj të këtillë prapë ia arriti qëllimit të dyfishtë. Politikanët serbë me largpamësi realizuan dy qëllime të synuara:

1. Që t’i burgosin qytetarët e dorës së dytë, pra muslimanët, qofshin ata boshnjakë apo shqiptarë që jetojnë brenda Serbisë e që në çfarëdo mënyre janë të përfshirë në konfliktin sirian, qoftë edhe me lutje, dhe

2. T’i bindin shtetet fqinje, pikërisht Bosnjën dhe Kosovën, që kjo vërtet paraqet rrezik e ata pa menduar fare të miratojnë ligje kundër qytetarëve të vet në radhë të parë, e në strategji më afatgjate t’u pamundësohet me ligj të mbrojnë bashkëkombësit e tyre brenda territorit të Serbisë, qoftë për Boshnjakët në Sanxhak apo Shqiptarët në Luginë.

Ndaj deputetëve dhe diplomatëve kosovarë dhe boshnjakë meritojnë një ‘svakam vi cas’ shkinisht se ndryshe nuk mund të urohet një miratim i ligjit të atillë. Në veçanti kur kemi në konsideratë se asnjë nga vendet e përparuara perëndimore qoftë Francë, Gjermani, Spanjë apo Belgjikë nuk kanë miratuar ligje të këtilla edhe pse numri i qytetarëve të tyre të përfshirë në konfliktin sirian ishte shumëfish më i madh sesa i qytetarëve tanë.

A thua vallë, a harruan politikanët tanë përkrahjen fizike, morale, shpirtërore dhe materiale që patëm nga e tërë bota?! Nëse këta miqtë tanë do të jenë në nevojë, a nuk është e pandershme t’iu themi atyre se nuk guxojmë t’iu ndihmojmë ngase na pret burgu. A nuk nënkupton, nga ajo që u tha më lart, se ky ligj në fakt është kundër interesave kombëtare dhe se ata që kanë votuar këtë ligj kanë votuar kundër vetvetes? Deri dje i përkrahëm sirianët politikisht edhe në mënyrë zyrtare, respektivisht opozitën dhe ushtrinë e lirë, ndërsa sot t’i dënojmë ata që i përkrahin fizikisht, ky është absurditet i llojit të vet.

Unë mendoj se jo vetëm që ka nuk pasur nevojë për këtë ligj, por nuk ka pasur nevojë të bisedohet për këtë çështje fare, duke pasur në konsideratë qindra-mijëra problematika më të mëdha dhe më serioze në vendin tonë.

A thua vallë më çfarë logjike përgatitet dhe miratohet ligj për 20 persona, pasi që vetëm kaq ka shënime Ministria e Punëve të Jashtme për personat që shkuan atje, e që nuk dihet më saktësi se të gjithë janë të kyçur në konflikt. Ka disa prej tyre që raportojnë si gazetarë për agjenci të ndryshme apo edhe mund të ketë pjesëtarë të organizatave humanitare përfshirë këtu UNICEF, UN etj.

Pra, më së paku na u është dashur ky ligj, i cili përpos asaj që u cekë më lart, mund të çojë edhe drejt burgosjes së njerëzve të pafajshëm mbi baza të paragjykimeve politike apo fetare. Ne kemi shtet, kemi organe të sigurisë, organe të inteligjencës, të cilat paguhen për ta ruajtur shtetin, andaj është dashur që këto organe të përcjellin kush kah ka shkuar dhe me çka është marrë në ato vende dhe të shikohen pa paragjykime se nëse ata vërtet paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare apo jo. E pastaj konform rasteve të aplikojnë masa ligjore individuale, apo grupore, por jo masa, të cilat mund ta dëmtojnë rëndë shtetin dhe kombin tonë, madje duke ulur imazhin diplomatik të tij në periudha afatgjate.

Allahu e drejtoftë këtë shoqëri, këtë parlament e këtë qeveri! Amin dhe deri në javën e ardhshme me një temë tjetër, selam alejkum.

Të ngjajshme

Konferenca në Mekë

Kushtrim Guraj

Njerëzit mund dhe duhet të jenë unikë edhe kur kanë mendime ndryshe

Kushtrim Guraj

Vjedhja, kjo dukuri e shëmtuar

Kushtrim Guraj

Misionet e pamundura të politikës kosovare

Kushtrim Guraj

Laicizmi në peshojë – Kush thotë se perëndimorët nuk kanë fe?

Kushtrim Guraj

Kosharja nga ditari im

Kushtrim Guraj

Femra, të drejtat e saj dhe aktualiteti

Kushtrim Guraj

Ezani nuk është zhurmë dhe nuk duhet të trajtohet si i tillë

Kushtrim Guraj

Shteti që nuk e do dijen

Kushtrim Guraj