Populli thotë, aty ku dhemb dhëmbi, shkon gjuha. Kurse për mua është me rëndësi e vërteta. Ajo është e tillë edhe nëse të gjithë e mohojnë! Yll Rugova haptas e mohon Zotin dhe fenë. Askush nuk ia zë për të madhe. Të gjithë shprehen se thjesht kjo është një e drejtë e tij. Irfan Salihu, me gjasë nga dituria e pamjaftueshme në një segment historik, vetëm pse e mohoi një pjesëz të historisë shqiptare, që edhe ashtu është e mbingarkuar me ideologji të ndryshme, shumë syresh u zgjuan kundër tij, saqë kjo zallamahi u shoqërua me shkarkimin e tij prej detyrës së punës. Ibrahim Kelmendi, thuajse përditë e shanë dhe shpifë për Muhamedin alejhi selam dhe për Kuranin. Një pjesë bukur e vogël shprehen haptas kundër tij, madje më shumë duke e këshilluar sesa duke vjell vrer ndaj tij. Thjesht, kjo është një e drejtë demokratike e tij, thonë shumë sosh, të cilët harrojnë të thonë se Kelmendi është një komunist i papërmirësueshëm, që si një skuth shfrytëzon disa të mira të demokracisë. Para do kohe, në një ndejë të thjesht, Shefqet Krasniqi kishte thënë diçka që dikujt nuk i kishte pëlqyer për Nënë Terezën. Sikur të djallëzuar një pjesë bukur e madhe filloi të shkruajë kundër Shefqetit, filluan me të madhe ta fyejnë, madje ia mohuan edhe identitetin e tij kombëtar shqiptar, duke mos harruar si zakonisht ta quajnë edhe agjent e spiun të Serbisë, saqë puna erdhi deri aty, ku disa “patriotë” e paditën atë në gjyq. Harruan se Shefqeti në luftë kishte luftuar kundër serbëve pushtues dhe në paqe i kishte shpalluar luftë dukurive të këqija në shoqëri. Tani të nderuar lexues, ju vetë mund ta kuptoni se një pjesë e popullit shqiptar, mbase edhe ajo pjesë që heshtë ndaj këtyre padrejtësive në vlerësim, se sa është besimtare dhe tolerante.
ILJASA SALIHU