Të kërkosh melhemin e dhimbjes që ndjen në brengën që të ka shtrënguar në shpirt! Ka nga ata që mendojnë se kush kërkon zgjidhje për çdo hall që i ka pllakosur dhe dëshirojnë të jetojnë në kushte komforte, janë më të pafat se të përvuajturit në jetë.
Ata që nuk ndjejnë thellë në shpirt brengën që e ka pllakosur tjetrin si ta kishin përjetuar vetë këtë ndjesi, janë individët e zhveshur nga delikatesa e vërtetë e shpirtit. Ata janë të pafatët që nuk kanë shijuar në jetë shijen e hidhur të brengës, apo që nëse e kanë përjetuar atë, ende nuk kanë shpëtuar prej rehatisë dhe kë- naqësisë që kërkon trupi njerëzor.
Altruizmi është një ndjenjë sipërore e cila na mëson të mos kërkojmë të na paguajnë me të njëjtën monedhë për hir të mirësisë që kemi kryer dhe të mjaftohemi vetëm me vetveten. Në të nuk kemi pse të shohim asnjë grimcë dobësie.
Altruizmi fillon aty ku logjika nuk thotë fjalën e fundit dhe imagjinarja të vjen rreth e rrotull.
Altruisti është personi që del mbi interesin dhe nevojën vetjake, ai që mund të fusë brenda një pike loti dhimbjen që i shkakton panorama e padëshirueshme e jetës shoqërore, ku intriga, mashtrimi, shkelja e të drejtave dhe filozofia se i forti shtyp të dobëtin vallëzojnë përditë para syve të tij. E ky njeri ka edhe një shqetësim tjetër, dëshiron që atë pikë loti ta lëshoj aty ku e meriton ajo.
Ai ka vetëm një shqetësim dhe preokupim në jetën e tij, t’i marrë për dore njerëzit , shpirtrat dhe ndjenjat e të cilëve janë shndërruar në gurë, për t’i shpënë drejt botës së ndjesive supreme dhe fërgëllimave shpirtërore.
Nëse ndokush i bën një të keqe ai di ta kontrollojë vetveten, madje i vjen keq për njeriun që ka rënë në atë shkallë sa të bëjë gjëra të tilla, nëse ndokush e ther me gjemba, ai nuk dëshiron ta shqetësojë atë as me petalet e trëndafilit.
Ka uri? Atëherë mendon që kafshatën e bukës t’ua jap njerëzve që kanë ditë pa ngrënë. Ka etje? Atëherë gotën e ujit ua afron buzëve të zhuritura të njeriut që e djeg zjarri i etjes. Ata që erdhën për ta vrarë atë, tek ai gjetën jetën e vërtetë.
Nuk e di nëse ju njihni të këtillë, por unë kam njohur të këtillë dhe Atij ia kushtoj këto vargje:
Çehre të ngrysura, surretër intrigantë
Rrezja që pres, për këtë delikaten situatë
O Zotëruesi i Kohërave, hidh një shikim dhe vështromë pak
Njerëzimi mbarë, ty të priti në ag
Përktheu dhe përshtati: Kushtrim Guraj