Samsung ka njoftuar se modeli i saj më i ri i fabletit Samsung Galaxy Note 4 do të fillojë të shitet në një numër vendesh sot, duke përfshirë tregjet e mëdha sikurse SHBA, Britania e Madhe, Kanadaja, Kina, Gjermania, Franca, Malajzia, Afrika e Jugut, India dhe Italia.
Kompania ka thënë gjithashtu se Samsung Galaxy Note 4 do të fillojë të shitet edhe në vende tjera të botës, edhe pse kompania koreane nuk e ka dhënë listën e plotë të vendeve të tjera, në të cilat së shpejti do të gjendet në shitje fableti i saj më i ri.
Tashmë dihet se fableti i Samsung vjen me disa specifika mbresëlënëse, të cilat përfshijnë ekranin me diagonalen prej 5,7” në cilësinë Quad HD me një rezolucion prej 2560 x 1440 pikselëve.
Galaxy Note 4 është mbështetur në procesorin e fuqishëm nga Qualcomm, quad core 2.7GHz Snapdragon 805, si dhe grafikat e GPU Adreno 420 dhe 3GB RAM.
Kamera e Samsung Galaxy Note 4, në anën e pasme të fabletit ka 16MP dhe sjell funksionet e një aparati fotografik me një gamë të karakteristikash të përparuara, ndërsa në pjesën e përparme të pajisjes është kamera me 3.7MP.
Note 4 i ri vjen me dy opsionet e hapësirës së brendhsme, përkatësisht me mundësinë e zgjedhjes mes 32GB ose 64GB, të përcjellur edhe me lapsin digjital Samsung S-Pen, plus Android 4.4.4 Kitkat.
Fableti i Samsung do të jetë në dispozicion në SHBA dhe Britani të Madhe që nga sot. Mbetet të shihet nëse Note 4 do të jetë më i famshëm sesa modelet paraprake të fabletëve të Samsung. (Telegrafi)