Rtv Pendimi

Sarajeva shënon 27-vjetorin e masakrës në Tregun e Markales

Sarajeva shënon 27-vjetorin e masakrës në Tregun e Markales

Në Sarajevë të Bosnjë e Hercegovinës është përkujtuar 27-vjetori i masakrës në Tregun e Markales në të cilën humbën jetën 68 civilë në sulmin me mortajë të kryer nga Ushtria e Republikës së Serbisë (VRS) gjatë luftës së Bosnjës, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë përkujtimore të 27-vjetorit të masakrës në Tregun e Markales në Sarajevë, të kryer nga ushtarët serbë më 5 shkurt të vitit 1994 mori pjesë edhe anëtari kroat i Presidencës së BeH-së, Zheljko Komshiq si dhe autoritete kantonale, të afërmit e viktimave dhe të mbijetuarit nga sulmi.

Komshiq duke theksuar se si kjo ceremoni e përkujtimit të masakrës së Markales ashtu edhe ceremonitë tjera përkujtuese të viktimave janë mbajtur në mënyrë të ndryshme dhe se mbajtja e ceremonive përkujtuese në përvjetorin e masakrave janë tregues të solidaritet dhe ndjeshmërisë.

“Viktimat e masakrës në Tregun e Markales ishin civilë të pafajshëm. Kjo tregon sesa tragjedi të tmerrshme kanë përjetuar ata. Një nga obligimet e banorëve të Sarajevës është që mos të lejojnë të harrohen këta viktima”, tha ai.

Një i mbijetuar i masakrës, Hasan Banda u shpreh se dhimbjen ende e ka të freskët. “Unë erdha rastësisht në treg në ditën kur ndodhi masakra. Doja t’u blija diçka fëmijëve të mi. Në atë moment, goditi mortaja. Dëgjova njerëz që qanin dhe ulërinin. Kur u zgjova 4-5 orë më vonë, isha në spital”, tha ai.

Banda gjithashtu tha se ajo që ka ndodhur ndoshta mund të falet por në asnjë mënyrë nuk mund të harrohet.

Ceremonia përkujtimore u mbajt në Teatrin Kombëtar të Sarajevës me pjesëmarrje të kufizuar për shkak të mospërhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19). Në ceremoninë e organizuar nga Kantoni i Sarajevës pjesëmarrësit shkuan edhe tek Tregu i Markales ku vendosën lule tek memoriali i viktimave.

Dy masakrat në Tregun e Markales

Masakra e parë në Tregun e Markales ndodhi më 5 shkurt të vitit 1994 ku humbën jetën 68 persona dhe 144 tjerë u plagosën ndërsa masakra e dytë ndodhi në të njëjtin vend më 28 gusht 1995 ku u vranë 43 civilë dhe 75 tjerë u plagosën.

Gjatë luftës së Bosnjës, Sarajeva ishte e rrethuar për 44 muaj me radhë ku u vranë 11.541 persona prej të cilëve 1.601 fëmijë.

TË NGJAJSHME