SHANSET IKIN…

Bashkëbiseduesi më tha: Kam dëgjuar se njëri nga të pasurit e kohëve tona, në një takim me gazetarët ishte pyetur: Si arrite të bëhesh miliarder? Ky nuk iu përgjigj, por menjëherë nxori nga xhepi një çek dhe ia dha gazetarit, duke i thënë: Shkruaj në këtë çek atë sasi të të hollave që do dhe unë t’i jap! Gazetari u befasua dhe me frikë të madhe i tha: Më fal, por nuk ish ky qëllimi i pyetjes! 

Atëherë, miliarderi e mori çekun dhe e ktheu sërish në xhep dhe sakaq iu drejtua gazetarit: Pate shansin të bëhesh i pasur por nuk e shfrytëzove, njëlloj si shumica e njerëzve para të cilëve shpesh kalojnë shanse të vyera, por ata s’i shfrytëzojnë; unë nuk jam si ju, sepse shanset i grabis sapo më shfaqen si mundësi, kjo është gjithë sa më ka bërë – siç thua – miliarder!

Unë i thashë: Nëse ky tregim është i vërtetë, ky njeri paska folur drejt, sepse kuptimi i kësaj është përmendur në librin: Sahih Ibën Hibban dhe në libra tjerë nga Ebu Musa el-Esh’ari, radijAllahu anhu, i cili rrëfen: “Resulullahi salAllahu alejhi ue selem shkoi te një beduin, i cili e nderoi dhe Resulullahi salAllahu alejhi ue selem e thirri që t’i afrohet dhe i tha: “Kërko çka ke nevojë”!

Deve për të udhëtuar dhe dhi që t’i mjelë familja. U përgjigj ai.

A nuk keni mundësi të bëheni si plaka nga beni izraelitët – pyeti i Dërguari, salAllahu alejhi ue selem.

O i dërguar i Allahut, ç’është plaka nga beni izraelitët? – pyetën shokët.

Kur Musai, salallahu alejhi ue selem,, udhëtonte nga Egjipti me beni izraelitët e humbën rrugën dhe ai tha: Ç’është kjo? Më të urtit e tyre thanë: Kur Jusufit, salallahu alejhi ue selem,, iu afrua vdekja, ai kishte marrë besën nga se nuk do të dalim nga Egjipti pa i marrë edhe eshtrat e tij me ne.

Po kush e di ku gjendet varri i tij – pyeti Musai, salallahu alejhi ue selem,.

Një plakë nga beni izraelitët – u përgjigjën.

E thirri plakën dhe kur ajo erdhi Musai, salallahu alejhi ue selem,, i tha: Më trego se ku gjendet varri i Jusufit, salallahu alejhi ue selem,!

Mirë ama, me kusht që të më japësh garancinë! – u përgjigj plaka.

Çfarë garancie kërkon? – e pyeti Musai, salallahu alejhi ue selem,.

Ajo tha: Të jem me ty në xhenet.

Musait nuk i pëlqeu kjo gjë, ndërsa Allahu i shpalli që t’ia japë garancinë asaj; me t’ia dhënë, së bashku të tjerët u nisën drejt një liqeni, derisa arritën te një kënetë, ku u tha: Zbrazeni këtë ujë! Pasi e zbrazën, u tha: Tani gërmoni! Dhe ata gërmuan dhe nxorën eshtrat e Jusufit, salallahu alejhi ue selem,. Kur i nxorën eshtrat, udha u bë e qartë si drita e diellit.

Tekstet që porosisin kapjen e shanseve dhe shfrytëzimin e kohës janë të shumtë, prej të cilëve mund të përmendim:

Ajetet:

“Prandaj, kur të çlirohesh, përpiqu fort dhe vetëm ndaj Zotit tënd përkushtohu”. (Inshirah 7-8).

“Përmende Zotin tënd me vete, i përulur dhe me frikë – jo me zë të lartë, në mëngjes dhe mbrëmje, dhe mos u bëj nga ata që nuk i kushtojnë vëmendje”. (A’raf 205).

Hadithet:

“Njerëzit janë të pavëmendshëm ndaj dy mirësive: shëndetit dhe kohës së lirë”.

I Dërguari, salAllahu alejhi ue selem, duke këshilluar një njeri, thotë: “Shfrytëzoji pesë para pesë të tjerave: rininë para pleqërisë, shëndetin para sëmundjes, pasurinë para varfërisë, kohën e lirë para se të angazhohesh dhe jetën para vdekjes”.

Në një hadith tjetër tregohet se ka thënë: “Shpejtoni për të bërë vepra të mira, sepse fitmet do të përhapen si terri i natës, njeriu do të gdhihet besimtar e do të ngryset jobesimtar, apo do të ngryset besimtar e do të gdhihet jobesimtar, sepse do të shesin fenë për të patur të mira nga dynjaja”.

Ai ka thënë gjithashtu edhe këtë: “Shpejtoni për të bërë vepra të mira përpara këtyre gjashtë ndodhive: lindjes së diellit nga Perëndimi, Tymit, dexhallit, Kafshës, vdekjes apo Kiametit”. 

Ai që mendon pak më thellë rreth gjendjes së Resulullahit, salAllahu alejhi ue selem, shumë shpejt e kupton se kapja e shanseve dhe shfrytëzimi i kohës ish dëshirë e flaktë dhe cilësi e pandarë e tij, çka e dëshmojnë edhe tekstet në vijim: 

Ajo që rrëfen Mugire b. Shu’be se Resulullahi, salAllahu alejhi ue selem, ngrihej dhe falej derisa i ënjteshin këmbët apo kërcet, dhe e pyetnin për këtë, e ai thoshte: Pse të mos jem rob falënderues?!

Ibën Omeri rrëfen: “Brenda një ndeje me Resulullahin, salAllahu alejhi ue selem, numëronim njëqind herë këtë fjali (nga goja e tij): O Zot më fal mua, ma prano pendimin, se Ti je Falës dhe i Mëshirshëm”.

Alkame gjithashtu rrëfen: E pyeta Ajshën, radijAllahu anha: A veçonte i Dërguari, salAllahu alejhi ue selem, ndonjë ditë me ndonjë adhurim? Ajo u përgjigj: Jo, puna e tij ish e vazhdueshme, më tregoni se kush nga ju mund të bëjë atë që bënte i Dërguari, salAllahu alejhi ue selem?! Shokët e tij e kuptuan këtë gjë dhe i përveshën krahët punës për të fituar shanset dhe për të shfrytëzuar momentet. Këtë e dëshmon rrëfimi i Ebu Hurejres, radijAllahu anhu: Resulullahi, salAllahu alejhi ue selem, kish thënë: “Kush nga ju gdhiu me agjërim?” Unë – u përgjigj Ebu Bekri, radijAllahu anhu. Kush nga ju ka përcjellë sot ndonjë xhenaze? – pyeti sërish. Unë – u përgjigj Ebu Bekri, radijAllahu anhu. Kush nga ju sot i ka dhënë ushqim ndonjë të varfri? – vazhdoi të pyesë. Unë – u përgjigj Ebu Bekri, radijAllahu anhu. Kush nga ju sot ka vizituar ndonjë të sëmurë?– pyeti përsëri. Unë – u përgjigj Ebu Bekri, radijAllahu anhu. Atëherë, i Dërguari, salAllahu alejhi ue selem, tha: ai njeri që i kryen tërë këto, s’ka dyshim që do të hyjë në xhenet.

Ibën Mes’udi, radijAllahu anhu, ka thënë: “Për asgjë nuk më vjen keq, sesa për diellin e një dite që ka perënduar, ku exheli më është afruar ndërsa puna ime nuk është shtuar”, dhe ka thënë: “Unë vërtet e urrej një njeri që rri kot, s’është duke bërë ndonjë punë të ahiretit dhe as të dynjasë”.

Ndërsa Nafiun, shërbëtorin e Ibën Omerit e kanë pyetur: Ç’bënte Ibën Omeri brenda në shtëpi? U përgjigj: Ju nuk mundeni, abdes për çdo namaz dhe lexim Kur’ani mes tyre. Dhe ka thënë: “Ibën Omeri nuk agjëronte kur ishte në udhëtim, por në shtëpi thuajse çdoherë agjëronte”.

Ibën Abasi, radijAllahu anhu rrëfen: Pasi i Dërguari, salAllahu alejhi ue selem ndërroi jetë, i thashë njërit prej ensarëve: Eja t’i pyesim shokët e të Dërguarit për diçka, sepse ende ka shumë të gjallë. Ai më tha: Po habitem me ty, o Ibën Abbas, a nuk sheh se të gjithë kanë nevojë për ty, ndërsa prej shokëve të Dërguarit, salAllahu alejhi ue selem, je duke parë se kush ka mbetur!! Nejse, ai u largua ndërsa unë vazhdova të pyes. Dëgjoja se dikush kishte ndonjë hadith dhe shkoja deri tek ai thënës, ndalesha para derës së tij, i ulur në tokë ndërsa mbi mua era ngrinte pluhurin. E kur dilte ai dhe më shihte, thoshte: O djali i mixhës së Resulullahit, pse nuk më thirre dhe unë do vija te ti? Unë e kam borxh të vi dhe të pyes – përgjigjesha. Pastaj, ai njeri rrinte me mua derisa mblidheshin njerëzit përreth meje dhe u thoshte: O njerëz, ky djalosh është më i mençur se unë”.

Hasan Basriu thoshte: “Kam takuar njerëz që kujdeseshin për kohën e tyre më shumë sesa ju që kujdeseni për dinarët dhe dërhemët”.

Fudajl b. Ijadi ka thënë: “Kam takuar njerëz të cilët turpëroheshin nga Allahu edhe kur rrinin shtrirë në terr të natës. Të shtrirë siç ishin, kur lëviznin gjatë gjumit, i thoshin vetes: Kjo nuk është për ty, ngrihu dhe fito diç nga Ahireti”.

Hamad b. Ebu Hanife ka thënë: “Davud et-Tai kish një shërbëtore, e cila një herë i kish thënë: Si thua, të të përgatis për të ngrënë diçka me yndyrë? Do të kisha dashur – u përgjigj ai. Pasi e përgatiti dhe ia solli, ky e pyeti: Ç’bënë jetimët e filanit? Ashtu si e di – u përgjigj ajo. Dërgoja këtë ushqim atyre – tha ai. Por ti, ka kaluar kohë që s’ke ngrënë nga ky ushqim – habitet shërbëtorja. Nëse këtë ushqim e hanë ata, kjo ngrihet në Arsh, e nëse e ha unë, përfundon në askund – tha Davudi. A nuk ta ka ënda ty ushqimin? – pyeti ajo! Oj Daje, kohën që duhet për të përtypur ushqimin mund ta kaloj duke lexuar pesëdhjetë ajete – u përgjigj Davudi.

Ndërsa Ahmed Rekam thotë: E kam pyetur Abdurrahman b. Ebu Hatim se si e ka arritur gjithë atë dije nga babai i tij. Ai u përgjigj: Ndodhte që kur ai hante unë i lexoja, ai ecte unë i lexoja, ai hynte për të kryer nevojën unë i lexoja apo kërkonte diçka nëpër shtëpi unë i lexoja. Ebul Hasen er-Razi shton: Kam dëgjuar se ai i ka bërë pyetje babait të tij edhe gjatë sëmundjes nga e cila vdiq. E pyeste për gjëra nga shkenca e hadithit derisa dhe nuk mund të fliste më, por i përgjigjej me sy, duke i thënë po ose jo”.

Feja dhe logjika thërrasin në shfrytëzimin e kohës dhe fitimin e shanseve; jeta është e shkurtë, situatat ndryshojnë, koha shkon për të mos u kthyer më, ndërsa nevoja për të bërë vepra madhështore që na sjellin shpëtim, prosperitet e krenari për umetin tonë, atëherë pse situatën e kemi të tillë?

Përse shumë dashamirë të mirësisë dhe përmirësues ngurrojnë që t’i shfrytëzojnë shanset që u jepen, shanse të cilat ndoshta kësaj feje madhështore dhe këtij umeti të begatshëm do t’i sjellnin fitoren dhe fuqinë?! 

Shkaqet e neglizhencës së njeriut për shfrytëzimin e shanseve apo mos-nxitimin për t’i fituar ato, në të shumtën e rasteve janë këto:

– mungesa e qëllimit, sepse shansi s’është më shumë se një mjet i realizimit të qëllimeve; si ka mundësi që të kërkojë mjet apo alet ai që nuk ka ndonjë plan apo qëllim?! 

– pasiviteti, serioziteti i dobët dhe ndjenjat e shuara për përgjegjësinë që kemi ndaj vetes apo Umetit. Ai që ka shtytës të dobët dhe nuk zotëron zemër që flaket për lumturinë personale apo përmirësimin e umetit, do t’i qaset vetëm dembelizmit, derës “pastaj”, dhe s’do të përpiqet asnjëherë të kryejë ndonjë detyrë, e lëre më vështirësitë e tejkalimit të mundimeve;

– neglizhenca në planifikim dhe meditim për të nesërmen si dhe meditimi i kufizuar për ardhmërinë, çka vjen si rezultat i faktit se ai jeton ende me të kaluarën dhe është i lidhur me ato ngjarje, ose angazhohet tërësisht vetëm për momentin dhe detyrat e së tashmes, çka rezulton të jetë një mur që i pengon shikimin drejt të ardhmes dhe rrekjen për ta ndryshuar apo ndikuar në të;

– thellimi në probleme dhe përqendrimi në pengesa dhe rregullore më shumë sesa përqendrimi në aspektet pozitive dhe gjërat e mundshme. Në këtë mënyrë, as që mund të vërehen shanset që jepen, e lëre më të shfrytëzohen;

– dëshpërimi dhe pesimizmi i tepruar. Përvoja tregon se pesimisti përjeton vështirësi nga çdo shans që i jepet, ndërsa optimisti i gjen shanset para tij sa herë që ballafaqohet me vështirësi;

– kultura e përhapur në shumë prej shoqërive tona islame, e cila ka mbjellë në shpirtrat tanë frikën nga dështimi, nuk na inkurajon që t’i gjejmë dhe shfrytëzojmë seriozisht shanset;

– vetë natyra e shanseve është disi e mbuluar, e padukshme, dhe në të shumtën e rasteve vërehen vetëm pasi të kalojnë; 

– suksesi dhe bereqeti i vogël që vijnë si rezultat i stërmadhimit të rolit të shkaqeve, përuljes dhe nënshtrimit të vogël ndaj Allahut si dhe mos-kërkimi i ndihmës dhe inspirimit nga Ai, subhanehu ue teala;

– aftësitë e dobëta dhe mungesa e aleteve dhe çelësave të suksesit, çka e pengon njeriun në shfrytëzimin e shanseve edhe pse i sheh të qarta përpara vete.

Realiteti i sotëm dhe historia e vjetër, por edhe e reja dëshmojnë se ata që kanë qëllime të qarta, dëshira të flakta, shpirtra optimist dhe aftësi të duhura janë të vetmit që arrijnë t’i shfrytëzojnë shanset që u jepen.

Nga Umeti ynë – individë, shoqata e shoqëri – nuk kërkohet vetëm të presë ardhjen e shanseve, që më pas t’i shfrytëzojë, por edhe të mbjellë dhe të krijojë shanse, duke mundësuar sakaq shfrytëzimin e tyre me sukses, çka arrihet vetëm nëse lidhemi sinqerisht me Allahun, bëjmë studime të thella për realitetin që na rrethon dhe njohim mirë aspektet dhe aletet e punës.

Nëse dikush dëshiron ta ketë edhe më të qartë madhësinë dhe rrezikun e këtij problemi, le të pyesë veten: Sa shanse kishin shumë prej djemve të këtij Umeti, por që nuk i shfrytëzuan?! Mos-shfrytëzimi i tyre, në sa aspekte ka ndikuar që ky Umet të shfaqet i nënçmuar dhe të humbasë faktorët e krenarisë dhe çelësat e përparimit?!

Prandaj, është detyrë e çdo besimtari të sinqertë që të veprojë aq sa ka mundësi për të ndaluar këtë neglizhencë ndaj shanseve, qofshin ato personale apo të përgjithshme, pa marrë parasysh nëse janë shanse të dukshme dhe të lehta apo ka nevojë edhe për ndërhyrje dhe përpjekje të tjera.

Për në fund: Mundësitë e përparimit janë të shumta, shanset për t’i shërbyer kësaj Feje në çdo vend e shoqëri gjithashtu, mirëpo thellimi në baltat e luksit, serioziteti i dobët, mos-ndjenja e përgjegjësive të larta për davetin në shoqëritë tona të pasura, lidhja me këtë dynja, nxitimi për të gjetur kafshatën e gojës në shoqëritë tona të varfra, duke i shtuar kësaj edhe varfërinë e metodologjisë edukative, humbja e vetëbesimit, përhapja e frymës së dëshpërimit, mos-inkurajimi nga ana e kulturave tona që njeriu të ketë seriozitet, ambicie të larta dhe të nxitojë vazhdimisht në fitimin dhe shfrytëzimin e shanseve, të gjitha këto tregojnë qartë se sa e madhe është detyra që kanë këshilluesit e popullit tonë dhe sa u dyfishohet përgjegjësia dhe angazhimi që kanë marrë mbi supet e tyre. 

Lusim Allahun që t’i japë Umetit tonë udhëzim në të mira, të gjithë neve të na bëjë çelësa të mirësisë, mbyllës të së keqes, ndërsa paqja dhe mëshira qofshin mbi të Dërguarin salAllahu alejhi ue selem.

Përktheu: Omer BERISHA