63C17900-B4D8-4341-92DE-455715931660

SHBA, rritet në 26 numri i të vdekurve nga stuhia e acartë

Stuhia e acartë e Arktikut goditi të premten disa pjesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke marrë 26 jetë njerëzish, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas CNN, në incidente që lidhen me motin e keq, tetë persona humbën jetën në Ohio, shtatë në New York, Kansas dhe Kentucky nga tre, Colorado dy, Missouri, Tennessee dhe Wisconsin nga një.

Marc Poloncarz, një zyrtar i qarkut Erie në shtetin amerikan të New Yorkut, konfirmoi se katër persona të tjerë vdiqën të dielën për shkak të reshjeve të mëdha të borës.

Në disa rajone me reshje të mëdha të borës është shpallur gjendje e jashtëzakonshme dhe ndalimi i qarkullimit të automjeteve.

Miliona njerëz në vend u mbyllën në shtëpitë e tyre, pa energji elektrike për shkak të stuhisë së borës.

“Stuhia vdekjeprurëse”, e cila shtrihej nga Liqenet e Mëdha në Kanada deri në Rio Grande në kufirin me Meksikën, pati ndikim negativ tek rreth 60 për qind të popullsisë së SHBA-së.

Faqja e gjurmimit të fluturimeve FlightAware raportoi se 1.645 fluturime të brendshme dhe ndërkombëtare u anuluan, kurse të dielën 3.869 fluturime u vonuan në SHBA.

Shërbimi Kombëtar i Motit (NOAA) njoftoi se disa pjesëve të vendit po i afrohen kushte të motit të ftohtë që nuk janë parë në 40 vitet e fundit.

Shërbimi Meteorologjik theksoi se “reshjet e dendura të borës mund të shkaktojnë vështirësi të udhëtimit ose të pamundur dhe mund të jenë kërcënuese për jetën”.

Për shkak të stuhisë, katet përdhese të disa spitaleve dhe objekteve të biznesit në bregun e New Jersey-t me pamje nga Manhattani u përmbytën nga lumi Hudson i cili ka dalë nga shtrati.