Shefi i diplomacisë turke nesër qëndron për vizitë në Irak
Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, sipas informacioneve diplomatike turke, gjatë ditës së nesërme do të qëndrojë për vizitë në kryeqytetin irakian Bagdad, raporton Anadolu.
Siç është planifikuar, Fidan do të takohet me zyrtarë të lartë irakianë, duke përfshirë presidentin Abdul Latif Rashid, kryeministrin Mohammad Shia al-Sudani, kryeparlamentarin Mahmoud Mashhadani dhe homologun e tij irakian, Fuad Hussein.
Gjatë takimeve do të diskutohen temat kryesore të agjendës së marrëdhënieve dypalëshe Türkiye-Irak, si dhe zhvillimet aktuale rajonale.
Fidan pritet të ri-afirmojë vullnetin e Türkiyes për të avancuar marrëdhëniet e saj me Irakun në bazë të një agjende pozitive dhe brenda një kornize institucionale, si dhe të theksojë vendosmërinë e Türkiyes për të funksionuar në mënyrë efektive mekanizmat e ndryshëm të bashkëpunimit të krijuar për këtë qëllim pas vizitës historike të presidentit Recep Tayyip Erdoğan në Irak më 22 prill të vitit 2022.
Me këtë rast, Fidan pritet të theksojë rëndësinë e vendosjes së dialogut konstruktiv dhe nxitjes së marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë midis qeverive të reja në Irak dhe Siri dhe si nga kjo do të përfitojnë të dy vendet dhe rajoni më i gjerë.
Ai po ashtu do të shprehë kënaqësinë e Türkiyes me përparimin e bërë në bashkëpunimin e saj të sigurisë dhe kundër terrorizmit me Irakun, veçanërisht në lidhje me shpalljen e PKK-së nga Iraku si një “organizatë e ndaluar”.
Fidan pritet gjithashtu të theksojë se PKK-ja përbën një kërcënim të përbashkët për Türkiyen, Irakun dhe SIrinë, duke shprehur nevojën që vendet e rajonit të veprojnë së bashku kundër përpjekjeve të grupit për të fituar legjitimitet dhe për të zgjeruar ndikimin e tij.
Po ashtu ai pritet të ri-afirmojë angazhimin e Türkiyes për të mbështetur Projektin e Rrugës së Zhvillimit, një nismë strategjike në të cilën Türkiye është një partner kyç, si dhe të diskutojë masat për të përshpejtuar zbatimin e kësaj nisme.
Diskutimet pritet të fokusohen edhe në rritjen e marrëdhënieve Türkiye-Irak, heqjen e pengesave artificiale për tregtinë dypalëshe dhe forcimin e lidhjeve ekonomike, duke marrë parasysh statusin e Irakit si një nga partnerët më të rëndësishëm tregtar të Türkiyes.
Fidan do të theksojë edhe angazhimin e Türkiyes për sigurinë, paqen dhe mirëqenien e turkmenëve, të cilët shërbejnë si një lidhje jetike kulturore dhe sociale midis dy kombeve. Në veçanti, ai do të trajtojë përfaqësimin politik dhe shqetësimet e sigurisë të turkmenëve, veçanërisht në Kirkuk, si një prioritet kyç në ruajtjen e stabilitetit rajonal.
– Marrëdhëniet turko-irakiane
Türkiye dhe Iraku ndajnë lidhje të thella historike, kulturore dhe humanitare. Iraku qëndron si një nga partnerët kryesor tregtar të Türkiyes, me tregtinë dypalëshe që arrin përafërsisht 20 miliardë dollarë. Marrëdhëniet dhe bashkëpunimi mes dy vendeve kanë avancuar ndjeshëm vitet e fundit.
Më 14 mars të vitit 2024, gjatë vizitës së ministrit Fidan në Bagdad, u mbajt një takim i Mekanizmit të Sigurisë së Nivelit të Lartë (HLSM). Takimi forcoi më tej përkufizimin e grupit terrorist PKK si një “kërcënim i përbashkët”.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Irakut miratoi një rezolutë që e shpalli PKK-në një “organizatë të ndaluar”, duke shënuar një hap të rëndësishëm në përpjekjet kundër terrorizmit dhe në bashkëpunimin e sigurisë midis dy vendeve.