IMG_2482

Shefi i OKB-së: Në Gaza askush nuk ka mjaftueshëm për të ngrënë

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, ka shprehur shqetësim të thellë për ushqimin në Rripin e Gazës, ku vazhdojnë sulmet izraelite që nga 7 tetori, transmeton Anadolu.

“Jam i tmerruar të them se bota jonë sot është e mbushur me shembuj të marrëdhënies shkatërruese midis urisë dhe konfliktit. Në Gaza askush nuk ka mjaftueshëm për të ngrënë”, tha Guterres në një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Shefi i OKB-së theksoi se nga “700 mijë njerëzit më të uritur në botë, katër në pesë banojnë në atë rrip të vogël toke”.

Ai tha se kaosi klimatik dhe krizat ushqimore janë “kërcënime serioze dhe në rritje” për paqen dhe sigurinë globale.

Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor, duke vrarë të paktën 28.473 palestinezë dhe duke plagosur 68.146 të tjerë, ndërkohë nga pala izraelite besohet se janë vrarë 1.200 njerëz në sulmin e Hamasit.

Sipas OKB-së, lufta izraelite në Gaza ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së territorit mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.