Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se vendimi për vendosjen e reciprocitetit për targat e automjeteve me Serbinë është legjitim, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një konferencë për media, Sveçla tha se vendimi është legjitim sepse edhe përkundër asaj se Kosova ka pranuar që automjetet nga Serbia të qarkullojnë lirshëm me targat serbe, një gjë e tillë nuk është lejuar nga pala serbe.
“Serbia ka obliguar dhe obligon qytetarët e Republikës së Kosovës që të vendosin tabela të përkohshme për të hyrë në Serbi, pra tabelat ‘RKS’. Prandaj, ne kemi vlerësuar se është momenti i fundit që edhe Republika e Kosovës të bëjë të njëjtën gjë, as më shumë e as më pak dhe të realizojmë një të drejtë legjitime të shtetit tonë dhe qytetarëve tanë duke garantuar njëkohësisht lëvizje të lirë të qytetarëve dhe mallrave”, tha Sveçla.
Ai tha se qytetarët që kanë vetura me targa të Serbisë në hyrje dhe në qarkullim brenda Kosovës duhet të pajisen me targa të përkohshme të Kosovës sipas vendimit të sotëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme, targa me të cilat nga 21 shtatori mund të pajisen në të gjitha qendrat e regjistrimit të automjeteve Kosovë.
Për këtë vendim, qytetarë serb të cilët jetojnë në komunat veriore të Kosovës kanë organizuar protestë ku për një kohë edhe kanë bllokuar rrugët të cilat çojnë në kufi me Serbinë.
Por Sveçla theksoi se gjendja e sigurisë është e qetë dhe se policia ka ndërmarrë të gjitha masat që të mos pengohet lëvizja e njerëzve dhe mallrave.
Ai u bëri thirrje qytetarëve serbë të Kosovës që të mos i bllokojnë rrugët, sepse me këto veprime ata bllokojnë vetveten, bashkëqytetarët dhe gjithë shtetasit kosovarë.
Por në rast se nga ky vendim do të pësojnë shtetasit serbë që i përkasin nacionalitetit shqiptar dhe të cilët janë të vendosur kryesisht në Luginën e Preshevës, ministri tha se do t’u kompensohet çfarëdo dëmi.
“Ky vendim ka të bëjë me qarkullimin me targat e shtetit të Serbisë. Shumë shpejtë, në një kohë të përshtatshme do të ketë mekanizma të tjera të cilat do të kompensojnë çfarëdo dëmi që ju bëhet bashkëkombësve tanëm qoftë nga Presheva, Bujanovci apo Medvegja”, tha Sveçla.
Gjatë ditës së sotme, në seancën e parë vjeshtore të Kuvendit të Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se vendosja e reciprocitetit për vendosjen e targave të përkohshme për automjetet me targa të Serbisë që futen në Kosovë nuk është dëshirë e autoriteteve kosovare, por është imponim nga Serbia.
Sipas vendimit të fundit të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe të nënshkruar sot nga ministri Sveçla për rregullimin e kësaj çështje, obligohet pajisja me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Kosovës.
“Pajisja me targa të përkohshme bëhet në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Republikës së Kosovës. Obligohen shoferët e mjeteve që targat e përkohshme t’i vendosin në vende të dukshme, para dhe mbrapa në mjet. Vlefshmëria e targave të përkohshme është 60 ditë dhe kushton 5 euro”, thuhet në pikat e këtij vendimi.
Me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, e cila u arrit në korrik të vitin 2011 në dialogun teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u përcaktua që të gjithë pronarët e automjeteve që banojnë në Kosovë duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
Sipas marrëveshjes, nga Kosova në Serbi mund të futen të gjitha automjetet me targa KS, kurse ato me RKS duhet t’i ndërrojnë ato në kufi, duke marrë një letër të përkohshme që jep pala serbe. Në anën tjetër, automjetet me targa të Serbisë deri më sot futeshin lirshëm pa procedura shtesë në Kosovë.
Këtë vit, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës edhe më herët paralajmëroi se do të hiqen nga qarkullimi të gjitha targat “KS” dhe automjetet e Kosovës do të bartin vetëm targat ‘RKS’.