Shefqet Krasniqi flet për vdekjen e haxhilerëve: Ja si e sheh ai këtë ngjarje!

Ish-imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, profesor në Fakultetin e Studimeve Islame, Shefqet Krasniqi duke komentuar rreth ngjarjeve të fundit, përkatësisht vdekjen e shumë haxhilerëve, ka thënë se ngjarjet e fundit në Mina nuk janë tjetër vetëm se rezultat i pakujdesisë së haxhive nga vende të ndryshme të botës.

Lexojeni të plotë deklaratën e Shefqet Krasniqit:

Të dashur bashkëqytetarë,

Jam i nderuar që edhe këtë vit të jem në mesin e haxhive, këtu në tokën e bekuar të Mekës. Si dëshmitar okular kam parë me sytë e mi disa nga ngjarjet e dhimbshme që po shoqërojnë Haxhin sivjet, përkundër organizimit, përgatitjeve dhe mundit të pakursyer që po ofron shteti saudit.

Nga përvoja në terren, me lejoni të, ju bëjë me dije se shumica e haxhive kanë nevojë të madhe ta kuptojnë kulturën e Haxhit. Në veçanti të moshuarit duhet medoemos të trajnohen paraprakisht se si funksionon ky ritual fetar dhe si duhet të respektohen rregullat e parapara nga organizatorët por edhe nga autoritetet në vend.

Për fat të keq, shumë prej haxhive rrezikojnë jetën e tyre, pa asnjë nevojë, duke menduar se ashtu duhet vepruar. Në këto situata të turbullta politike, në këtë pjesë të botës, ka edhe të atillë që nuk kursejnë asnjë metodë për të keqpërdorur këtë mirësi të të madhit Zot, duke shkaktuar tollovi me slogane të ndryshme fetare-politike që janë absolutisht të papranueshme për këtë vend të shenjtë gjatë kësaj periudhe të shenjtë.

Nga ky këndvështrim them me përgjegjësi se ngjarjet e fundit në Mina nuk janë tjetër vetëm se rezultat i pakujdesisë së haxhive nga vende të ndryshme të botës. Pakujdesi kjo që mori jetën e qindra haxhive për shkak të grumbullimit dhe shtyrjeve nëpër vendet kyçe, të cilat do të duhej të liheshin të lira për qarkullim. Sido që të jetë, Qeveria Saudite sapo ka formuar një komision te veçantë për të kuptuar në detaje shkaqet dhe faktorët që çuan drejt këtyre ngjarjeve tronditëse.

Nuk përjashtohet as mundësia e ndonjë tentative nga jashtë vendit si përpjekje për ta destabilizuar apo dështuar krejtësisht Haxhin. Për këtë nuk ka akoma asnjë prononcim e as analizë, por sigurisht gjithçka do kuptohet dhe sqarohet me kohën. Sipas të dhënave zyrtare në terren shumica e viktimave janë nga Irani dhe Afrika.

Vlen të theksohet në veçanti se, fal Zotit të Gjithëmëshirshëm, haxhitë tanë, nga të gjitha trojet shqiptare dhe nga diaspora, janë të gjithë shëndoshë e mirë. /Telegrafi/