Shembje në një minierë kromi në Shqipëri, dy persona të vdekur

Dy persona kanë humbur jetën pas shembjes së një galerie kromi në një fshat në territorin e Bashkisë Tropojë, në Qarkun e Kukësit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, ngjarja ka ndodhur në fshatin Lajthizë, ku kanë humbur jetën shtetasit shqiptarë A.D, 41 vjeç dhe A. Zh., 40 vjeç.

Për nxjerrjen e trupave të pajetë janë angazhuar Grupi i Avari-Shpëtimit të Minierave, punonjësit e policisë dhe minatorët.

Sipas policisë, grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë po vijon hetimet për zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes.