
SHEMBUJ NGA JETËSHKRIMI I TË RINJVE
– Babi im! Përgjatë këtij bisedimi u përmallova shumë që të lexoj për jetëshkrimin e besimtarëve të mirë. Më nderon nëse më rrëfen ndonjë shembull nga jetëshkrimi i besimtarëve, por, me kusht, që të jetë prej të rinjve sikurse unë.
* Po, biri im! Allahu na tregoi në Kuran rrëfimin e Jusufi, alejhi selam. Ishte shëmbëlltyrë dhe yrnek për virtytshmëri. Ishte i ri dhe beqar, larg vatanit dhe shtëpisë së tij. Gruaja që mundohej ta joshte ishte e bukur dhe me pushtet. Ajo e thërriste t’i afrohej, ia mbylli dyert dhe e kërcënonte me ndëshkim nëse nuk do të përfillte urdhrin e saj. Edhe pse ishin të gjitha rrethanat që të joshej prej saj, megjithatë u strehua te Zoti i tij dhe tha: “Allahu më ruajttë! Me të vërtetë, Zoti im ka treguar kujdes për mua dhe, pa dyshim, keqbërësit nuk do të shpëtojnë kurrë.” (Jusuf, 23) Ai e zgjodhi burgun në vend të imoralitetit dhe paturpësisë.
Biri im! Një i ri mysliman, nëse e lexon rrëfimin e këtij pejgamberi fisnik, ku shfaqet karakteri i tij i lartë dhe qëndrimi i tij bujar kundrejt gjithë elementeve që e sfidonin për të rënë në imoralitet, a beson ti se ai do të mahnitej me seriale e filma dashurie, apo, përkundrazi, do të thotë me vete për personazhet e atyre filmave dhe shikuesit: Sa të mjerë që janë këta të degraduarit dhe të shthururit?! Sa të mjerë janë ata që i robëroi e shëmtuara dhe u zhytën në baltën e saj, saqë nuk mund të shpëtojnë as veten e tyre!
Një prej të rinjve që shquhej për sinqeritetin e tij në fe ishte Habab ibn Ereti. U mundua dhe u lëndua shumë prej jobesimtarëve. Me shpinën e tij e vendosnin në gaca zjarri, derisa shenjat në trupin e tij mbetën për vite të tëra si provë e gjallë që dëshmonte për qëndrueshmërinë dhe sabrin e tij në fe. Në kohën kur Omeri ishte udhëheqës i myslimanëve, Hababi ia tregoi gjurmët e lëndimeve në shpinën e tij që i kishte marrë nga idhujtarët.
Kur Aliu po kthehej prej Sifinit dhe kaloi pranë varrit të Hababit, nuk i mbeti tjetër përveçse të thoshte: “Allahu e mëshiroftë Hababin: e pranoi Islamin me vetëdëshirë, emigroi me përkushtim, jetoi si muxhahid (luftëtar në rrugën e Allahut), u sprovua në trupin e tij me lëndime të llojllojta! Allahu nuk ia humbi mundin dhe sakrificën e tij.”[1]
Biri im, atëkohë Hababi ishte në moshën tënde. Për vete zgjodhi rrugën e fesë dhe pasimin e Pejgamberit, alejhi selam, ku tregoi qëndrueshmëri dhe u ballafaqua me ndëshkime.
Ambicia e lartë në luftë në rrugën e Allahut ishte veti me të cilën dalloheshin sahabët e rinj. Enes ibn Maliku tregon se i riu Harithe u godit për vdekje në Betejën e Bedrit. Nëna e tij vajti te Pejgamberi, alejhi selam, e iu drejtua me fjalët: “O i Dërguari i Allahut! Ti e di pozitën e Harithes tek unë. Nëse është në Xhenet, do të bëj sabër dhe do të llogaris në shpërblimin e Allahut për këtë fatkeqësi. E, nëse nuk është në Xhenet, atëherë do të shohësh se çfarë do të veproj unë?!” Pejgamberi, alejhi selam, i tha: “Mjerë ti! A e ke humbur mendjen! Po a veç një Xhenet është?! Ka më shumë se një Xhenet, e i biri yt është në Xhenetin Firdeus.”[2]
Sadi rrëfen tregimin e vëllait të tij, Umejr ibn Ebu Vekasit, tek thotë: “E pashë vëllanë tim, Umejrin, si fshihej prej Pejgamberit, alejhi selam, para se të shkonim të paraqiteshim për të luftuar në Betejën e Bedrit. I thashë: “Çfarë ke që po fshihesh?!” Më tha: “Kam frikë se po më sheh Pejgamberi m e po më refuzon të dal në luftë për shkak të moshës. Unë dua të dal të luftoj me shpresë se Allahu do të ma mundësojë të vdes dëshmor.” U bind se më e mira është të marrë leje prej Pejgamberit, alejhi selam, e, kur shkoi të paraqitet për në betejë, Pejgamberi, alejhi selam, e refuzoi për shkak të moshës. U mërzit tepër, saqë nisi të qajë e, kur e pa Pejgamberi,alejhi selam, gjendjen e tij, i dha leje të dalë në luftë. Ishte aq i vogël në moshë, saqë duhej t’ia lidhja këllëfin e shpatës për trupin e tij. U vra në moshën gjashtëmbëdhjetëvjeçare.”[3]
Sahabët e rinj treguan karakter të lartë dhe trimëri të rrallë në rrugën e Allahut së bashku me Pejgamberin m, ndër të cilët:
El Bera ibn Azibi ka marrë pjesë në pesëmbëdhjetë beteja.
Zejd ibn Erkami ka marrë pjesë në shtatëmbëdhjetë beteja.
Ebu Seid el Hudriu ka marrë pjesë në dymbëdhjetë beteja.
Seleme ibn el Ekvai ka marrë pjesë në nëntë beteja.
Ibn Ebu Eufai ka marrë pjesë në shtatë beteja.
Në të gjitha këto beteja ishin së bashku me Pejgamberin, alejhi selam, duke qenë në moshë të re, madje shumica e tyre ishin nën moshën njëzetvjeçare.
Po ashtu, dalloheshin me nxënien përmendsh të Kuranit. Amër ibn Seleme ia kalonte fisit të vet në nxënien përmendsh të Kuranit dhe ishte më i miri. Kështu, meritoi t’u prijë për në namaz. Ai nuk i kishte mundësitë dhe mjetet që i kemi ne sot. Nuk kishte shkollë Kurani ose mësues që merrej veç me të, madje Kurani nuk ishte i përmbledhur në mus’haf, që ta lexonin e ta mësonin përmendsh. Megjithatë arriti të jetë në një gradë më të lartë sesa të tjerët.
Në aspektin e dijes dhe kujdesit për dijeninë, Pejgamberi, alejhi selam, dëshmoi për Muadh ibn Xhebelin, alejhi selam, që është më i dijshmi i umetit në lidhje me hallallin dhe haramin. Mosha e tij, kur e pranoi Islamin, ishte nën të njëzetat.
Në aspektin e adhurimit dallohej Ibn Omeri. Ai nuk flinte në pjesën më të madhe të natës. Ndërkaq, Muhamed ibn Talhai njihej me nofkën sexhxhad (sexhdemadh), për shkak se falte shumë namaz dhe përpiqej në adhurim.
Nuk ka derë prej dyerve të mirësisë e të mos gjesh sahabë të rinj në rreshtin e parë. Mjafton si fakt se gjysma e dhjetë të përgëzuarve me Xhenet, kur e pranuan Islamin, ishin nën njëzet vjet, sikurse: Aliu, Zubejri, Sadi, Talhai dhe Seid ibn Zejdi.[4]
– Babi im! Pejgamberi, alejhi selam, të rinjtë a i edukonte me shëmbëlltyra dhe shembuj prej besimtarëve të mirë?
* Po, biri im. Një prej tyre ishte Habab ibn Ereti, i cili u mundua dhe u lëndua aq shumë, saqë shkoi te Pejgamberi, alejhi selam, e u ankua për gjendjen e tij. Atëherë ende nuk i kishte arritur të njëzetat. Ai tregon dhe thotë: “Pasi na goditën rëndë idhujtarët, shkova te Pejgamberi alejhi selam, i cili ishte shtrirë në gunën e tij në hijen e Qabesë dhe i thashë: “O i Dërguari i Allahut, a nuk po i lutesh Allahut për ne?” Si ishte i shtrirë, u ul, fytyra iu skuq dhe tha: “Atyre që ishin para jush, me krehër prej hekuri ua hiqnin lëkurën nga trupi e, megjithatë, nuk e linin fenë e tyre. Ua vendosnin sharrën te koka, e ndanin në dy gjysma, megjithatë (këta besimtarë) nuk e linin fenë e tyre. Pasha Allahun, kjo fe do të plotësohet, saqë kalorësi do të ecë prej Sanasë deri në Hadrameut dhe rrugës nuk do t’i frikohet askujt tjetër përveç Allahut.”[5]
– Babi im, këta shembuj janë të mrekullueshëm, por ata jetuan me një brez që kaloi, e pyetja që me intereson është se si qëndron situata me brezin e sotëm? A ka mundësi ta arrijë atë që e arritën ata?
* Nëse njeriu lexon shembuj të tillë, s’do të thotë medoemos t’i duket vetja që është i aftë të jetë si ata ose ta arrijë nivelin e tyre. Mirëpo, ata mund t’i marrë për shëmbëlltyrën më të mirë dhe sipas mundësive të mundohet që t’u përafrohet atyre, edhe në qoftë se nuk arrin të bëhet si ata. Unë nuk kërkoj prej teje të jesh si ata, por prej teje kërkoj të ndjekësh rrugën e tyre e t’i përvetësosh të mirat që i posedonin.
Një çështje tjetër, biri im: Pejgamberi, alejhi selam, premtoi për ata që kapen për fe në kohën e sprovave dhe vështirësive, e tha: “Do të vijë një kohë kur ai që kapet për fe do të jetë si të kapet për gacë.”
Kur i riu, në ndonjë prej periudhave përballet me sprova dhe ka vështirësi në zbatimin e fesë, por, megjithatë e sheh të përqendruar në fenë e Allahut, ai e meriton, me lejen e Allahut, këtë përshkrim dhe lëvdatë.
Çështja e tretë, biri im, është se sot shohim shembuj të mirë prej të rinjve dhe të rejave, në gjithë anët e botës islame. I shohim të qëndrueshëm në fe, në hijen e një bote që dallgëzohet me mashtrime e dëfrime. Me lejen e Allahut arritën të paraqesin shëmbëlltyrën me të lartë dhe të realizojnë nivelet më të larta të suksesit. Ata iu qasën fesë, shfaqën durim përballë sprovave e pasioneve, u kujdesën për nxënien përmendsh të Kuranit e studimin e tij dhe, mbi të gjitha, edhe pse ishin të angazhuar me përgjegjësitë fetare, ua tejkaluan moshatarëve të tyre në fushën e mësimeve dhe studimeve.
Gjithë kjo, biri im, është argument se të rinjtë, kur kërkojnë ndihmë prej Zotit të tyre, do t’i tejkalojnë pengesat e vështirësitë në rrugë, me lejen e Allahut.
– Biseda ishte e mrekullueshme dhe me plot kënaqësi, edhe pse po e ndiej që të mora nga koha jote e shtrenjtë dhe isha barrë për ty. Tani me leje po largohem, me shpresë që ti të pushosh. Babi im, Allahu të bekoftë dhe të shpërbleftë me gradat më të larta në Xhenet!!
* Amin dhe ty, biri im! Lexoji këta libra, me shpresë që të përfitosh dijeni, urtësi, mësime, përvojë dhe të njoftohesh me shembuj të mirë:
- “Dialog me një djalosh”;
- “Rruga e shpëtimit nga e keqja e gjynaheve”;
- “Devijimi pas udhëzimit”;
- “Nxënia përmendsh e Kuranit”;
- “Të rinjtë sahabë”;
- “Të rejat sahabe”.[6]
Dr. Muhamed ed Duvejshi
Nga arabishtja: Irfan JAHIU
(Pjesë nga libri: “BIRI IM, TASHMË JE BËRË BURRË” – i përkthyer në gjuhën shqipe)
[1] Taberaniu, siç përmendet në “El-Isabe” (2/221).
[2] Buhariu (3982).
[3] Ibn Sadi (1/110-11).
[4] Për më shumë, lexojeni librin “Të rinjtë sahabë”, të vetë autorit Muhamed ed Duvejshi. Libri është i përkthyer në gjuhën shqipe. (sh. p.)
[5] Buhariu (3852).
[6] Të gjithë librat e përmendur janë të autorit Muhamed ed Duvejshi dhe janë të përkthyer në gjuhën shqipe. (sh. p.)