SHËNIM: A janë këto vërtet iftare?!

Iftari, një vakt i pazakontë ngrënije i besimtarëve pas disa orësh agjërim, pjesë e një rituali ekstrafetar  të muajit të Ramazanit, ka fituar tashmë dhe legjitimitetin e një tradite, pas përfshirjes  në të politikës, apo pas përfshirjes së tij në politikë.

Sapo vjen ky muaj, krerë të politikës e qeverisjes, organizojnë iftaret e tyre prestigjoze, por që nga mnyra se si ju qasen atyre, si i përzgjedhin të ftuarit dhe se si i stisin, bëjnë atë që jua deformojnë thelbin atyre.

Mjaft të thuhet se në këto soj iftaresh, më shumë se agjërues të mirëfilltë, besimtarë po ashtu, do hasësh të ftuar me barkun plot, pasi janë dendur me ndonjë drekë të bollshme; ose ose, do hasësh dhe ateistë, që luajnë rolin e njerëzve të përkorë, mjaft që janë prezentë në ato lloj shfaqjesh me garnitura luksi.

Kjo sepse në radhët e të ftuarve, janë dhe njerëz stafesh me shumicë, apo me një status të caktuar publik pa asnjë lidhje me Ramazanin apo agjërimin.

Vërtet ngjan si një risi pozitive kur sheh që politika familjarizohet me një bashkësi që jeton ditë devocioni duke agjëruar; por nuk është aspak kështu kur sheh që ajo as që merr mundimin të interesohet dhe të pyesë se si do ishte më mirë të shtrohej një iftar.

Iftari, vakti ku hahet pas orësh të gjata agjërim, është diçka që natyrshmërisht e logjikisht u përket ekskluzivisht atyre që kanë agjëruar.

Më pas, ai merr një vlerë të veçantë kur të përzgjedhurit për t’u ushqyer janë përgjithësisht nevojtarë, pa mbrothësinë e nevojshme ekonomike.

Pra, nëse një politikan a qeveritar, kërkon që të nderojë veten për një iftar të shtruar, ai duhet që atë t’ju ofrojë sa buzëtharëve nga agjërimi, po aq dhe barktharëve në kushte normale, që jetojnë me besimin po aq dinjitetshëm sa të nginjurit, me ushqim apo me poste.

Duhet të ishin pra iftare si shprehje të përulësisë njerëzore, modestisë, ndjeshmërisë ndaj më të pamundurve, thjeshtësisë dhe njerëzillëkut, në kuptimin më të bukur të fjalës.

Nëse nuk e kanë këtë përmasë, emrin e kanë iftare, por kuptimin kursesi! /tesheshi.com/