Rtv Pendimi

Shenjat e vogla të Kiametit (pjesa e dytë) [HUTBE]

Disa shenja të vogla të Kiametit janë:

  1. Pakësimi i dijes fetare dhe shfaqja e injorancës ose xhehlit.

Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Disa prej shenjave të Kiametit janë: pakësimi i diturisë dhe mbizotërimi i injorancës.”[1]

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Koha do të shkurtohet, do të pakësohet dituria, do të shfaqen fitnet, do t’ju godasë koprracia dhe do të shpeshtohet herxhi.” I thanë: “Ç’është herxhi?” Tha: “Vrasja.”[2]

Disa dijetarë në lidhje me pjesën “do të pakësohet dituria” thonë: “Do të mbetet vetëm injoranca.” Disa të tjerë kanë thënë: “Kjo nuk do të thotë se s’do të ketë dijetarë. Përkundrazi, do të ketë dijetarë, porse do të jenë të paktë.”

Pakësimi i dijes nuk do të ndodhë se do të pakësohen librat, lapsat e fletoret, e as do të pakësohet dija për shkak se nuk do të ketë mjete bashkëkohore për printim, porse dija do të pakësohet për shkak se do të vdesin dijetarët.

Pejgamberi ﷺ  ka thënë: “Allahu nuk e largon diturinë duke e hequr atë përnjëherë nga njerëzit, por e heq atë përmes vdekjes së dijetarëve. E, kur të mos mbetet asnjë dijetar, njerëzit do t’i marrin për prijës injorantët, të cilët, kur të pyeten, do të japin përgjigje pa dije. Kështu, devijojnë veten dhe të tjerët.”[3]

Së këndejmi, e kuptojmë se Google nuk qenka mësues e as hoxhë. Ndoshta të ofron ndonjë të dhënë, porse edhe të dëmton fetarisht. Thjesht ta kuptojmë se burrat janë bartës të dijes.

  1. “Koha do të shkurtohet”

Disa dijetarë kanë thënë: Kjo do të ndodhë sepse do të humbë bereqeti në kohë.

Disa të tjerë kanë thënë: “Do të ndodhë në kohën kur të zbresë Isai ﷺ , edhe pse do të ketë begati të shumta, do të kalojnë shpejt, ndërsa ditët e vështira ecin ngadalë, edhe pse nuk janë të shumta. Disa të tjerë kanë thënë: “Kjo do të ndodhë për shkak të paraqitjes së mjeteve moderne të qarkullimit: veturave, aeroplanëve, trenave… Disa të tjerë kanë thënë: “Koha do të ikë shpejt dhe kjo do të jetë gjë reale.”

  1. “Do t’ju godasë koprracia”, dhe këtë ne e vërejmë sot, madje edhe tek ata që i kanë mundësitë materiale.

Ka njerëz që japin vetëm kur të vijë koha e zekatul fitrit. Gjithmonë në mendje e ka: Ky i varfër nuk është për mua, me të merret filani! Me këtë të sëmurë sigurisht se merret filani. Këtij komshiu sigurisht se i jep filani. Për këtë të afërm sigurisht se përkujdeset filani. Këtu pyete vetveten: Çfarë po të mbetet ty? Të gjitha këto dyer të bamirësisë të ikën, ia mbylle vetvetes tërë këto dyer. A nuk është kjo koprraci?

  1. “Do të shpeshtohet herxhi ose vrasja”, që manifestohet ose në lufta, ose në kohë paqeje, porse do të ketë vrasje.

Në të kaluarën, në kohët më të hershme, edhe në luftë të vrarët kanë qenë pak. Numri i të vrarëve në luftë nuk ka qenë kaq i madh siç e shohim sot, ndërsa sot të vrarët duken sikur të jenë buburreca.

  1. Shfaqja e veprave të pista dhe të këqija, siç janë zinaja ose amoraliteti dhe kamata.

Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Do të vijë një kohë kur njeriut nuk i intereson a e merr pasurinë prej hallallit apo prej haramit.”[4]

Konsumimi i madh i alkoolit ose rakisë. Pejgamberi ﷺ  ka thënë: “Disa prej shenjave të Kiametit janë: … konsumimi i alkoolit dhe përhapja e zinasë.”[5]

Në një hadith tjerët thuhet: “Një grup nga umeti im do ta konsumojnë alkoolin (rakinë), ashtu që do ta emërtojnë me emra të tjerë.”[6]

  1. Prej shenjave të tjera që na ka treguar Pejgamberi ﷺ : “Nuk do të ndodhë Kiameti, përderisa tregjet të mos jenë afër.”[7]

Në lidhje me këtë, dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme. Kur të ndodhë ndryshimi i çmimeve në një vend, tregtarët që janë në vendin tjetër e dinë menjëherë. Ose, njerëzit do të shkojnë nëpër tregje të largëta përmes mjeteve të transportit dhe do të kthehen brenda ditës. Ose, sot mund të bësh tregti, të blesh ose të shesësh, përmes telefonit, praj shtëpisë sate.

  1. Shtimi i dëshmive të rrejshme. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Para Kiametit do të shtohen dëshmitë e rreme, kurse dëshmitë e drejta do të fshihen.”[8]

Vëllezër të nderuar, gjëja që e shpëtoi Jusufin ﷺ  nga akuza e rëndë që ia bëri gruaja e ministrit, në moralin e tij, ishte dëshmitari, i cili ishte i afërm i saj. Afërsia që e kishte me atë zonjën nuk e ndaloi që ta thotë të vërtetën dhe të bëhet shkak i shpëtimit ose e lirimit të Jusufit ﷺ  nga kjo akuzë.

  1. Kthimi i Tokës Arabe në vend gjelbërimi e në vend me lumenj.

Pejgamberi ﷺ  ka thënë: “Nuk do të ndodhë Kiameti: … pa u kthyer Toka Arabe në livadhe e lumenj.”[9]

  1. Gjërat e ngurta do të flasin. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Gati është të vijë koha kur burri do të dalë, porse kur të kthehet, edhe nallanet (të mbathurat) e edhe shkopi i tij do t’i tregojnë se çfarë kanë bërë familja e tij qëkurse ka dalë ai.”[10]

Besoj se për këtë shenjë nuk kemi nevojë as ta komentojmë, për shkak se të gjithë ne i shohim sesi flasin sot gjërat e ngurta.

 

Pjesa e dytë e hutbes

“Koha do të shkurtohet”, të gjithë jemi dëshmitarë të shkurtimit të kohës. Ne sot kemi hyrë në muajin rexhep, pastaj vjen shabani dhe pas tij Ramazani.

Kur na vdes ndonjë i afërm, po themi: “Vdiq shpejt!” Po, sepse koha nuk ndalet. I mençuri tani i zë gjërat që i kanë mbetur, madje i zë edhe ato që i kanë ikur, përmes pendimit të sinqertë. Kështu thoshte Omeri: “Llogariteni vetveten (pra në dynja) para se t’ju llogarisin (në ahiret).”

Po vëllezër, llogaria është afër, ndërsa rruga është e gjatë, e ke parë sa je i mangët karshi Zotit tënd?! Sa e ke falënderuar?! Sa herë na thërret e sa herë ne i përgjigjemi?

Keni parë disa që merren dhe që kanë njohuri rreth dietave se si për ta rregulluar peshën e trupit, si këshillë që e thonë është: “Shikoje dhe mate për çdo ditë peshën!” Kjo, se duke e matur peshën për çdo ditë, do ta shohësh dallimin që sot je më mirë sesa dje, pra, do ta vëresh dallimin për çdo ditë nga pak. Kjo matje ditore të nxit që të vazhdosh dietën, që ta arrish ndryshimin e kërkuar e mos të ndalesh, si dhe t’i rrish gati ushqimit ose ushtrimeve ditore.

Kështu qëndron puna edhe me çështjet e ahiretit dhe fesë: sa herë që e shikon veten dhe e llogarit vetveten, do të jesh më i mirë sesa që ke qenë. Në këtë mënyrë, me lejen e Allahut, nuk do të kthehesh mbrapa për asnjë çast.

[1] Buhariu nr.80.

[2] Muslimi nr.157.

[3] Muslimi nr.2673.

[4] Buhariu nr.2083.

[5] Buhariu nr.80.

[6] Ahmedi nr.18073 dhe e saktëson shejh Shuajbi.

[7] Ahmedi nr.10724 dhe e saktëson Shejh Shuajbi.

[8] Ahmedi nr.3870 dhe shejh Shuajbi thotë se është hasen (i mirë).

[9] Muslimi nr.157.

[10] Ahmedi nr.11792 dhe e saktëson shejh Shuajbi.

Përgatiti: Mr. Flamur Kabashi

TË NGJAJSHME

IOS
ANDROID
DONACION
DËRGO MESAZH