gjykimit-37jfd7pz9u17do26llcrnk

Shenjat e vogla të Kiametit (pjesa e parë) [HUTBE]

Domethënia e  “Muhamedun Resullullah” është: Muhamedi ﷺ  është njeri, pra, qenie njerëzore, njëherazi ai është i Dërguari i Allahut.

Këtë gjë e kuptojmë nga fakti se vetë Muhamedi ﷺ  nuk e dinte se kur do të ndodhë Kiameti. Kur u pyet: “Kur është Kiameti?”, tha: “As i pyeturi nuk di më shumë sesa pyetësi!”[1]

Pra, momentin e Kiametit e di vetëm Allahu i Madhëruar. Megjithatë, Allahu i Madhëruar i tregoi Pejgamberit ﷺ  një pjesë bukur të madhe të shenjave të Kiametit.

Ndër gjërat që duhet t’i dimë në lidhje me Kiametin është se Kiameti është afër. Allahu thotë:

﴿ٱقۡتَرَبَ لِلنَّاسِ حِسَابُهُمۡ وَهُمۡ فِي غَفۡلَةٖ مُّعۡرِضُونَ١﴾

“Njerëzve u është afruar koha e llogarisë së tyre, e ata të hutuar në pakujdesi nuk përgatiten fare për të.” (El Enbija, 1)

Shumë ajete kuranore na tregojnë se kjo dynja së shpejti do të përfundojë dhe do të zhvendosemi në botën tjetër.

Pejgamberi ﷺ  ka thënë: “Në raport  me Kiametin jam dërguar sikurse këta dy” – dhe i zgjati dy gishtërinjtë.[2]

Pra, gishtin tregues dhe të mesëm.[3]

Kur jemi te shenjat e vogla, ato janë gjëra të rëndomta dhe nuk do të ketë ndodhi jo të rëndomta. Madje, disa shenja të vogla do të ndodhin edhe kur të fillojnë shenjat e mëdha.

Shenjat e mëdha do të jenë ndodhi të mëdha, që do të ndodhin shumë afër Kiametit, sikurse shfaqja e Dexhallit, zbritja e Isait ﷺ  etj.

Disa nga shenjat e vogla janë shfaqur dhe kanë mbaruar. Disa janë shfaqur dhe ende ekzistojnë, por ka shenja të vogla që ende nuk janë shfaqur.

Ndër shenjat e vogla të Kiametit janë:

  1. Dërgimi i Muhamedit ﷺ si Pejgamber. Ai është Pejgamberi i fundit, pas të cilit nuk do të ketë më pejgamberë, por pas tij do të jetë vetëm Kiameti. Pra, pas tij do të ndodhë Kiameti sikurse gishti i mesëm që vjen pas gishtit tregues dhe nuk asnjë gisht mes tyre.
  2. Çlirimi i Bejtul Makdisit, apo Mesxhidul Aksasë. Në hadithin e Auf ibn Malikut, Pejgaberi ﷺ ka thënë: “Numëroji gjashtë gjëra (shenja) para Kiametit…(dhe ndër to e përmendi): Çlirimi i Bejtul Makdisit (Kudsit).”[4] Çlirimi i Bejtul Makdisit ka ndodhur në kohën e Omer ibn Hatabit, në vitin 16 sipas hixhretit.
  3. Shfaqja e një murtaje e quajtur taun amvas. Te hadithi i mëparshëm përmendet: “Numëroi gjashtë gjëra (shenja) para Kiametit… (dhe ndër to e përmendi): një epidemi që do t’ju vrasë sikurse listerioza e deleve.”[5]

Në vitin 18 sipas hixhretit kanë vdekur nga murtaja rreth 25 mijë njerëz në Sham.

  1. Shfaqja e fitneve, trazirave ose sprovave. Pejgamberi ﷺ ka thënë:

“Para Kiametit do të ketë fitne (trazira, sprova), të cilat do të jenë sikurse errësira e natës: njeriu gdhihet si besimtar, porse ngryset si jobesimtar. Ose, ngryset si besimtar, porse gdhihet si jobesimtar.”[6]

Vëllezër të nderuar, të gjithë e dimë çfarë kemi në dhomë, e dimë ku është tavolina, ku janë karriget, ku është dera, porse kur ta fikim dritën, me sa vështirësi që ecim, me sa vështirësi e gjejmë rrugën?! Kështu është puna e fitneve! Ne e dimë rrugën e drejtë, e dimë çfarë na dëmton, porse nga fitnet e mëdha nuk i shohim gjërat aq qartë.

Prej mbrojtësve më të mirë nga fitnet është namazi.

Umu Seleme (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Një natë Pejgamberi ﷺ u zgjua dhe tha: “Subhanallah! Sa sprova që kanë zbritur sonte e sa thesare që janë hapur! Kush i zgjon zonjat e shtëpive (gratë e tij, për ta falur namazin e natës)?”[7]

  1. Paraqitja e shumë gënjeshtarëve që do të pretendojnë se janë pejgamberë.

Për t’i dalluar pejgamberët e vërtetë nga gënjeshtarët është gjë e lehtë: vetëm i shikojmë a e kanë jetën për Allahun apo për dynjanë? Kështu i dallojmë gënjeshtarët. Ata tërë këtë e bëjnë për përfitime personale.

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kiameti nuk do të ndodhë pa u paraqitur përafërsisht tridhjetë dexhallë gënjeshtarë. Secili do të pretendojë se është i dërguar i Allahut.”[8]

Këta njerëz do të kenë pasues dhe do të njihen në mesin e njerëzve. Prej tyre ishte një gënjeshtar i quajtur Musejleme Kedhabi (Gënjeshtari), i cili u vra. Këta do të vazhdojnë të dalin ende.

  1. Paraqitja e një zjarri në Hixhaz (zona e Mekës dhe Medinës)

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kiameti nuk do të ndodhë pa u paraqitur një zjarr në trojet e Hixhazit, i cili do t’i ndriçojë qafat e deveve në Busra.”[9]

Ky zjarr i madh u paraqit në vitin 654 sipas hixhretit në afërsi të Medinës, dhe ishte parë prej Mekës në jug dhe prej Busrasë në veri. Busra ka qenë vendbanim në Sham.

  1. Humbja e besnikërisë ose e amanetit.

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur të humbë amaneti, prite Kiametin.” Dikush pyeti: “Po si humb amaneti, o i Dërguari i Allahut?” Pejgamberi ﷺ: “Kur punët t’u besohen atyre që nuk janë kompetentë, atëherë prite Kiametin.”[10]

 

Pjesa e dytë e hutbes

Shenjat e Kiametit nuk duhet të na dobësojnë. Nuk duhet të ulemi e t’i presim ato. Këto hadithe duhet të na nxisin të punojmë më shumë e ta shtojmë edhe më shumë bindjen, sepse Pejgamberi ﷺ  na ka paralajmëruar për to, ndërsa ne i kemi parë dhe kemi jetuar me to.

Me bindje ruhet feja dhe besimi.

Bekër ibn Abdullah Muzeniu thoshte: “Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të‎‎!) nuk ua tejkaloi sahabëve të tjerë me shumë namaz vullnetar ose me shumë agjërim vullnetar, porse me diç që kishte në zemër”, pra me bindjen që e kishte në zemër.

Abdullah ibn Mesudi thoshte: “Durimi është gjysma e besimit, kurse bindja është tërë besimi.”

Abdullah ibn Mesudi thoshte një lutje madhështore: “O Allah ma shto dijen, besimin dhe bindjen!”

Mësojeni këtë lutje madhështore dhe lutuni shpesh me të.

[1] Muslimi nr.8.

[2] Buhariu nr.6503.

[3] Muslimi nr.2951.

[4] Buhariu nr.3176.

[5] Buhariu nr.3176.

[6] Ahmedi nr.18404 dhe e saktësoi shejh Shuajbi.

[7] Buhariu nr.1126.

[8] Buhariu nr.3609.

[9] Buhariu nr.7118.

[10] Buhariu nr.6496.

Përgatiti: Mr. Flamur KABASHI