Rtv Pendimi

Shënohet rekord i shitjeve globale të automjeteve elektrike në 2020

Shënohet rekord i shitjeve globale të automjeteve elektrike në 2020
Stamboll

Shitjet globale të automjeteve elektrike në vitin 2020 shënuan rritje rekorde me 43 për qind në 3.24 milionë, ku Evropa dhe Kina ishin tregjet më të mëdha, tregojnë të dhënat e fundit nga “EV-volumes.com”, një bazë e të dhënave për shitjet globale të automjeteve elektrike, shkruan Anadolu Agency (AA).

Pavarësisht nga tkurrja prej 14 për qind e shitjeve globale të automjeteve vitin e kaluar për shkak të rënies ekonomike të shkaktuar nga pandemia e COVID-10, tregojnë të dhënat e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) për rritjen e shitjes së automjeteve elektrike.

Shitjet e automjeteve elektrike patën një lulëzim nga korriku i vitit 2020 e tutje, megjithë një fillim të ngadaltë në gjysmën e parë të vitit 2020 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, tregojnë të dhënat e IEA-së.

Evropa regjistroi gati 1.39 milionë automjete elektrike në vitin 2020, duke shënuar një rritje të madhe prej 137 për qind krahasuar me vitin e kaluar, sipas të dhënave të EV-volumes.com. Rritja ishte për shkak të kombinimit të modeleve të reja tërheqëse, nxitjeve nga fondet e gjelbra të rimëkëmbjes falë synimeve të Evropës për uljen e emetimit të karbonit dhe përmirësimeve në parametrat e sigurisë të automjeteve elektrike.

Kina radhitet pas Evropës me 1.33 milionë shitje të automjeteve elektrike, duke shënuar rritje prej 12 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Megjithatë, sipas të dhënave, shitjet e automjeteve elektrike në SHBA u rritën me vetëm 4 për qind në 328 mijë automjete në të njëjtën periudhë.

Tregjet në Japoni, Kanada dhe Australi gjithashtu shënuan rënie të shitjeve të automjeteve elektrike në vitin 2020, megjithëse tregu i automjeteve elektrike ishte më elastik ndaj pandemisë sesa tregjet e automjeteve në përgjithësi.

Mbi 10 milionë automjete elektrike në rrugë

Me rritjen rekorde të shitjeve të automjeteve elektrike në vitin 2020, më shumë se 10 milionë automjete elektrike tani janë në rrugët anembanë botës, sipas IEA-së.

Pjesa globale e tregut të automjeteve elektrike u rrit me mbi 4 për qind në vitin 2020 nga niveli i saj prej 2.5 për qind në vitin 2019.

Megjithatë, IEA në analizën e saj erdhi në konstatimin se mbetet ende një rrugë e gjatë për të arritur synimin e emetimeve.

“Pjesa e automjeteve elektrike në shitjet globale të makinave duhet të rritet me rreth 50 për qind deri në vitin 2030 për të hyrë në shtegun drejt emetimeve zero deri në vitin 2050”, tha IEA.

Sfidat kryesore me të cilat duhet të përballen programet për vitin 2021 edhe më tej do të jenë vazhdimi i zbatimit dhe shtrëngimit të instrumenteve më të gjera rregullatore si rregullorja e emetimeve të dioksid karbonit të Bashkimit Evropian për automjete dhe furgonë, mandati i Kinës ose mandati i Kalifornisë për automjete me emisione zero dhe forcimi i ekosistemit të automjeteve elektrike që do të përcaktojë vendosjen afatgjate të automjeteve elektrike, thekson IEA.

Këtë vit numri i shitjeve të automjeteve elektrike në të gjithë botën pritet të arrijë në 4.6 milionë me një rritje më të lartë në Amerikën e Veriut dhe Kinë, treguan të dhënat e EV-volumes.com. Kjo do të shënonte një rritje prej rreth 42 për qind krahasuar me shitjet e vitit 2020.

“Përpjekjet afatshkurtra duhet të vazhdojnë të mbështesin në mënyrë efektive konkurrencën e automjeteve elektrike ndërsa gradualisht të heqin subvencionet e blerjeve ndërsa vëllimet e shitjeve vazhdojnë të zgjerohen. Gjithashtu është e domosdoshme të përshtaten këto qasje në përgjigjen e krizës së COVID-19 në mënyrë që të stimulohet sektori i automjeteve në marrëveshje me objektivat afatgjatë të dekarbonizimit të transportit”, theksoi ndër të tjera IEA.

TË NGJAJSHME