Rtv Pendimi

SHIH TANI TË KALUARËN, PËR TË ARDHMEN

“O ju që keni besuar, keni frikërespekt për Allahun dhe, le të shikojë çdo njëri çka ka përgatitur për nesër…” (El-Hashër, 18)

E gjithë jeta jonë është kalim nga gjendja në gjendje, nga koha në tjetrën. Koha, sipas perspektivës që e shohim, shënon për ne të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Pra, e tashmja sot, nesër do të jetë e kaluar dhe e nesërmja sot, mbetet gjithnjë e ardhme. Janë thënë shumë urtësi për rregullimin e këtyre trejave se sa duhet të shfrytëzohen, rregullohen, bëhet kujdes por, nuk kam parë t’i lidhë mrekullueshëm sikur ajeti i sipërcituar. Përndryshe, e gjithë jeta e cilitdo prej neve, mbetet e sfiduar prej çasjes ndaj të kaluarës të tashmes dhe të ardhmes.
Duhet theksuar se nuk ka asnjë fjalë që na mëson se si të kalojmë nëpër kohë e gjendje, më mirë se sa mësimet e shpalljes. Ky ajet, konkretisht është shembulli më i mirë për këtë.
Allahu i Madhëruar na thërret (o ju që keni besuar), na urdhëron (keni frikërespekt) dhe na udhëzon për mrekulli që tani të rregullojmë qëndrimin për të ardhmen, duke shikuar të kaluarën.
“…le të shikojë çdonjëri…” (e tashmja) “…çka ka përgatitur…” (e kaluara) “…për nesër…” (e ardhmja)
Çdo shkëputje mes këtyre çon në humbje të ekuilibrit. Ajo që sot është e tashme, nesër bëhet e kaluar por, mund t’a kemi bërë si duhet apo jo. Ajo gjithësesi nuk kthehet mbrapa, sado që mund të mos na pëlqejë dhe sado që do të donim të benim ndryshe. Mbetet të preokupohemi me të ardhmen, si t’a bëjmë atë sa më mirë. Dhe mënyra më e mirë për të “garantuar” të ardhmen është që në çdo të tashme të shikojmë edhe të kaluarën për hir të së ardhmes më të mirë.

Shkruan hoxha Ekrem Avdiu.

TË NGJAJSHME