Numri i të vdekurve nga incidentet e lidhura me shiun në shtetin Maharashtra të Indisë ka arritur në 164, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas të dhënave të lëshuara nga qeveria e shtetit Maharashtra, nga 22 qershori deri më sot 164 persona kanë humbur jetën dhe 100 janë zhdukur si pasojë e shirave të mëdha që goditën shtetin perëndimor duke shkaktuar përmbytje në disa pjesë.
Nga gjithsej 164 vdekje, zyrtarët thanë se numri më i lartë i viktimave është regjistruar në rrethin Raigad (71), ku rrëshqitjet e tokës ndodhën javën e kaluar.
Maharashtra dhe shtetet e tjera indiane aktualisht janë dëshmitarë të shirave muson që kanë shkaktuar përmbytje në shumë zona dhe kanë lënë mijëra njerëz të bllokuar në shtet.
Sipas shifrave zyrtare, si pasojë e përmbytjeve deri më tani janë evakuuar mbi 200 mijë njerëz.
Ministri i Ndihmës dhe Rehabilitimit i shtetit Maharashtra, Vijay Wadettiwar, javën e kaluar për AA tha se situata ishte nën kontroll.
Forcat ajrore, ushtria dhe marina e Indisë po ashtu janë të përfshira në operacionet e shpëtimit.
Marina indiane mëngjesin e sotëm njoftoi se shtatë ekipe të shpëtimit nga përmbytja “vazhduan me përpjekje për të siguruar ndihmë për popullatën lokale të prekur nga përmbytja”.
“Ekipet më 26 korrik do të kthehen në Mumbai me përfundimin e përpjekjeve të shpëtimit dhe do të qëndrojnë në një gjendje të lartë të gatishmërisë për t’iu përgjigjur çdo kërkese të mëtejshme për ndihmë”, tha marina indiane.