Shitblerja online e ndaluar apo lejuar!?

Shitblerja online është prej formave të reja të transaksioneve bashkëkohore e cila nuk e ka qenë e njohur në kohët e hershme ndonëse kjo nuk pengon që dispozita e saj të jetë e qartësuar mjaft mirë në qitapët (librat) e moçëm.

Rregulli thotë:

NUK LEJOHET SHITJA E NJË MALLI TË CILIN NUK E KE NË PRONËSI.

Forma 1 
Nëse ofertuesi online nuk e posedon artikullin në pronësi të vetën por vetëm e paraqet online, ndërsa tek pas porosisë nga klienti ai e merr produktin nga furnizuesi (pronari i atij malli).

Atëherë kjo formë mund të lejohet vetëm me disa kushte të domosdoshme:

a. Që produkti i paraqitur të mos ketë nr. serik të dukshëm por të jetë vetëm si mostër dhe i përshkruar në detaje si produkt, si dhe detajet e afatit të dorëzimit të produktit tek klienti,

b. Të kryhet pagesa patjetër nga klienti para se ofertuesi online ta bëj kërkesën tek furnizuesi.

Nëse njëri nga dy kushtet nuk zbatohet shitblerja bëhet e ndaluar. 

Forma 2 
Nëse është shërbimi i natyrës që klienti kur bën porosinë nuk paguan paraprakisht por pasi t’i arrij artikulli atëherë duhet të llogaritet transaksioni ndryshe:

Klienti në momentin kur e bën porosinë online për artikullin përkatës në këtë fazë nuk llogaritet si blerës sepse ofertuesi nuk e pronëson artikullin pra nuk mund të jetë shitës, por në momentin që e sjell në adresën përkatëse atëherë klienti e blen me para ta gatshme, ku në këtë rast ofertuesi veçse e pronëson artikullin e dërguar, por në këtë rast duke qenë se porosia e klientit nuk do të thotë blerje ai edhe mund ta refuzojë artikullin sepse akoma nuk ka kryer transaksion të blerjes, por siç thash është fazë e negociatës.

Rregulli përmbyllës: në çdo shitblerje duhet të jetë e pranishme më së paku njëra nga dy gjërat: 1.PAGESA ose 2.ARTIKULLI, pra :

-Ka pagesë atëherë artikulli mund të vonohet
-Ka artikull atëherë pagesa mund të vonohet
-Nuk ka artikull dhe pagesa është e vonuar- kjo nuk lejohet!

Forma 3 
Ofertuesi online të jetë agjent i furnizuesit në këtë rast nuk ka problem forma e shitjes, sepse agjenti është sikurse pronari, mund ta pranojë pagesën direkt ose me pritje, dhe fitimi i tij vjen nga furnizuesi i cili për çdo shitje i ndan përqindje./kohaislame/

Hoxhë Llokman Hoxha