Shkaqet dhe pasojat e shkurorëzimit në Kosovë

Shkurorëzimi apo divorci si një ndër problemet me të mëdha sociale në mbarë botën ka nisur të rritet me hapa të shpejt edhe në Kosovë. Studimet në lidhje me shkurorëzimin janë të pakta në Kosovë. Ky problem në Kosovë më shume trajtohet si problem privat, që i përket vetëm familjeve e jo të gjithë shoqërisë.

Në ish Gjykatën e Qarkut në Prishtinë në vitet e fundit janë paraqitur nga 50 kërkesa për shkurorëzim brenda një muaji. Kjo shifër konstatohet të jetë në fakt maja e ajsbergut. Një gjendje e tillë nuk është aspak më e mirë as në Shqipëri dhe as në pjesën shqiptare të Maqedonisë.

Pjesa më e madhe e bashkëshortëve, pavarësisht problemeve dhe dhunës në familje që është një nga fenomenet mjaftë prezent në shoqërinë tonë, shtyjnë për vite me radhë zgjidhjen e martesës. Askush nuk vjen menjëherë në gjykatë, pas një konflikti me bashkëshortin nëse marrëdhëniet kanë qenë të mira më parë.

Vendimi për tu shkurorëzuar është vendimi më i vështir që duhet të merret, andaj mosmarrëveshjet zgjasin me muaj të terë derisa merret vendimi për t’ju drejtuar gjykatës.

Shpesh artikujt e gazetave apo studimet e vogla realizuar për shkurorëzimet apo divorcet, flasin vetëm për shifra e shumë pakë për shkaqet që qojnë në një prishje martese.

Në periudhën e viteve 1921-1939, shkurorëzimet janë grumbulluar kryesisht nga institucionet fetare, ndërsa shumë pak nga gjykatat. Pas vitit 1951 të dhënat grumbullohen me pyetësor individual të cilat pastaj përpunoheshin dhe fitoheshin të dhënat përfundimtare, sipas vendbanimit të përhershëm dhe kohës ku ka ndodh ngjarja.

Nga Janari i vitit 2004 Agjencia e Statistikave të Kosovës grumbullon këto të dhëna me pyetësor statistikor të veçantë për shkurorëzime nga ish Gjykatat e Qarkut, gjegjësisht Gjykatat Themelore.

Sipas statistikave të paraqitura nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në vitin 2004 në Kosovë kemi pasur 1293 shkurorëzime, në vitin 2005, 1445, në vitin 2006, 1480, në vitin 2007 ka arritur kulminacionin në 1558 shkurorëzime, në vitin 2008, 1026, në vitin 2009, 1555, në vitin 2010, 1453, në vitin 2011, 1469, në vitin 2012, 1329, në vitin 2013, 1040 shkurorëzime.

Këto shifra janë me të vërtetë shqetësuese dhe vinë për shkaqe të shumta, së pari është vetë periudha e tranzicionit që po kalon vendi ynë, lëvizja e qytetarëve brenda dhe jashtë Kosovës, faktori kulturorë, mos përfshirja në jetën e re të qytetit apo të shtetit ku emigrohet, gjendja ekonomike, tradhtia bashkëshortore, mospërshtatja e karaktereve, dhuna familjare, etj. Është për tu habitur se si një ndër shkaqet e shkurorëzimit është edhe interneti dhe televizionet, përkatësisht telenovelat, të cilat na servohen pa ndonjë kriter.

Dikush para së gjithash mund të pyes se shkurorëzimi a është dukuri pozitive apo negative? Përgjigja duhet të jetë: “shkurorëzimi është një e keqe e domosdoshme”. Kjo rrjedh nga fakti se kur bashkëshortët kalojnë kufijtë e mirëkuptimit dhe seriozisht çrregullohen raportet e tyre, atëherë e vetmja rrugë mbetet shkurorëzimi.

Po kush fiton në shkurorëzim? Do të thosha që në shkurorëzim nuk ka fitues, por vetëm humbës dhe dëmi më i madh ju shkaktohet fëmijëve. Shkurorëzimi për fëmijët është fatkeqësi sepse mënyra si rriten le gjurmë në të ardhmen dhe në formimin e karakterit dhe personalitetit të tyre. Ndarjen e prindërve, fëmijët shumë vështir e akceptojnë dhe len pasoja që vështir tejkalohen.

Në rastet e shkurorëzimit është mirë që fëmijëve t’u tregohet për atë që po ndodh. Duke e mbajtur të fshehtë, mund të ndodh që fëmijët ta marrin vesh këtë nga një person i papërshtatshëm dhe në një moment të pavolitshëm. Edhe pse është shumë e vështir, duhet të dy prindërit

bashkërisht të ua shpjegojnë situatën. Kjo do të pamundësonte që njëri nga prindërit të mbetej fajtor dhe do të rrit mundësin që me anë të marrëveshjes të kujdesen për edukimin, rritjen dhe shkollimin e fëmijëve.

Nga e gjithë kjo mund të kuptojmë se numri i shkurorëzimeve në vendin tonë është alarmante dhe sidomos të moshat e reja, gjë qe celula themelore e shoqërisë familja është futur në krizë. Pra themelet e familjes janë tronditur ndjeshëm dhe miti i familjes tradicionale shqiptare po bie vit pas viti.

Duke qenë se familja është bërthama e një shoqërie, atëherë ajo duhet të bëhet prioritet nga institucionet e shtetit. Sigurisht se ky është një proces që nuk mund të realizohet në mënyrë deklarative dhe as brenda një muaji e as brenda një viti.

Institucionet e vendit duhet të ndërmarrin hapa konkret duke bërë projekte afatgjate në të cilat përfshihen shtresat me të goditura të shoqërisë, për punësim, edukim, strehim dhe si rrjedhojë integrimin e tyre në shoqëri.

Ky proces duhet parë një betejë që duhet tejkaluar me sukses dhe hapi parë shumë me rëndësi është pranimi i faktit se deri me sot institucionet e vendit me të gjitha organizmat shoqëror e politik brenda saj kanë dështuar të ja dalin për të frenuar fenomenin e shkurorëzimit dhe rrenimit të familjes.

Ky nuk do të ishte vetëm një hapë i parë, por do të ishte një kthesë, një lëvizje që do të ngjallte dritën e shpresës në fund të tunelit dhe do të frenonte shkatërrimin e bërthamës së shoqërisë, familjen./Mesazhi.com/

Nga: Kushtrim Gashi