Allahu, azze ue xhel, i bëri njerëzit që të dallohen prej njëri-tjetrit në natyrë, mendime, synime, ideologji, karakter, dëshira, e kështu me radhë, dhe pa dyshim se kur dallohet prej njëri-tjetrit atëherë vjen deri në mospajtim mes tyre. Ky mospajtim mund të themi se është në kornizën e të pranuarës deri atëherë kur nuk bie në kundërshtim me ligjin e Allahut, azze ue xhel. Çdo mospajtim që bie në kundërshtim me Kur’anin dhe Sunetin është i urryer dhe i ndaluar.
Duke e marrë parasysh se ky lloj i problematikës është mjaft i gjallë, manifestim i realitetit të jetesës sonë të përditshme, është e nevojshme që t’i njohim shkaqet e këtyre mospajtimeve dhe konflikteve që t’u ruhemi paraprakisht dhe të pastrojmë dhe korrigjojmë veten nëse jemi zhytur në ndonjërën prej tyre, në mënyrë që të kontribuojmë sadopak sinqerisht për shuarjen e konflikteve.
Prej shkaqeve të cilat çojnë deri në mospajtim mes njerëzve mund t’i numërojmë siç vijon:
– Mosdija
Mosdija e natyrës së tjetrit dhe synimeve të tij është një prej shkaqeve kryesore të cilat çojnë deri në mospajtim. Njeriu i paditur është armik i vetes dhe i të tjerëve dhe dëmi i tij në shoqëri është shumë i madh. Prandaj, Allahu, azze ue xhel, dhe i Dërguari i Tij, salallahu alejhi ue selem, i nxisin muslimanët që të pajisen me dituri dhe ta largojnë injorancën prej vetes së tyre. Imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, thoshte se të gjithë bashkëbiseduesit e tij dijetarë i ka bindur me qëndrimet e tij, kurse në kontakt me të paditurit gjithmonë ka hasur në shumë vështirësi.
– Pasimi i epshit
Pasimi i epshit mund të jetë shkak që njeriu mos ta pranojë realitetin apo t’i mbrojë mendimet që i pëlqen vetëm se epshi i tij, qofshin ato të sakta apo jo, edhe atë duke mos i interesuar fare se a do të bie në mospajtim apo jo.
Allahu, azze ue xhel, thotë: “O Davud, Ne të kemi bërë mëkëmbës në Tokë, prandaj gjyko ndërmjet njerëzve me drejtësi dhe mos shko pas dëshirave dhe tekave, se ato të largojnë nga rruga e Allahut.” (Sad: 26); “Kurse ai që i është frikësuar madhërisë së Zotit të tij dhe e ka frenuar veten nga dëshirat, pa dyshim që do të ketë për strehë Xhenetin”. (En-Naziat: 40-41); “A e ke parë ti atë që epshin e vet e ka marrë për zot? A do t’i bëhesh mbrojtës atij?” (El-Furkan: 43)
– Mospajtimi në natyrë, karakter, synime, dëshira!
Të mirët anojnë nga e mira dhe në këtë janë unikë, derisa të këqijtë anojnë nga e keqja dhe në këtë janë unikë. Këto janë kundërshti që nuk mund të pajtohen. Njeriu i mirë kurrë nuk mund të pajtohet me dhunën, as që do ta durojë, as që mund ta tolerojë te tjetri dhe ka për obligim ta pamundësojë tiranin që të veprojë.
Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Shpirtrat e afërm janë unikë. Ata që njihen bashkohen, kurse ata që kundërshtohen, shpërndahen.”
– Polemikat dhe debatet
Polemikat dhe debatet e ndaluara janë ato të cilat synojnë mbrojtjen e interesave apo mendimeve personale dhe të xhematit me çdo kusht duke e mposhtur tjetrin me metoda të ndryshme qofshin ato edhe djallëzore.
Imam Maliku thotë: “Debatet e ngurtësojnë zemrën dhe shkaktojnë pakënaqësi.”
Hasan el Basriu dëgjoi disa njerëz të cilët po debatonin mes tyre dhe tha: “Këta janë mërzitur nga adhurimi, nuk e peshojnë atë që flasin, e kanë të dobët devotshmërinë, ndaj dhe flasin e debatojnë.”
Këtu bën përjashtim ai debat që zhvillohet në formë bashkëbisedimi dashamirës, duke ruajtur normat dhe etikën e debatit si dhe duke pasur qëllim të mirë.
Allahu, azze ue xhel, thotë: “Polemizo me ta në mënyrën më të mirë.” (El-Ankebut: 46)
– Mendimi i keq për muslimanin dhe paragjykimi
Kjo vjen si rezultat i mosbesimit tek të tjerët derisa mund të arrijë problemi deri në atë gradë që mos t’i besojë askujt dhe të ketë mendim të keq për të gjithë. Pas këtij probleme qëndrojmë shumë sëmundje si mahnitja me vetveten, akuza e të tjerëve, dëshira për nënçmim, etj.
Allahu, azze ue xhel, thotë: “Mënjanoni shumë dyshime, se, vërtet, disa dyshime janë gjynah.” (El-Huxhurat: 12)
Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Hiqeni prej vetes dyshimin (paramendimin e keq dhe rezultatin e tij), ngase ai është veti nga më të këqijat.”
Seid ibën Musejeb, radijallahu anhu, thoshte: “Më porositën disa vëllezër muslimanë që të kem mendim të mirë për vëllain tim musliman, derisa të del në shesh e kundërta.”
– Smira, zilia e të mirave te tjetri
Ziliqar është ai që kur ia sheh njerëzve begatitë që u janë paraqitur brengoset dhe shpreson e kujdeset që ato t’i humbin, ndërsa kur i godet ndonjë sprovë dhe e keqe ai kënaqet.
Allahu, azze ue xhel, thotë: “Nëse ju vjen ndonjë e mirë, ata i brengos e, nëse ju gjen ndonjë e keqe, ata gëzohen, por nëse ju duroni dhe ruheni nga gjynahet, dinakëritë e tyre nuk mund t’ju dëmtojnë aspak. Vërtet Allahu ka dijeni për çdo gjë që punojnë ata.” (Ali Imran: 120)
Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Mos keni zili njëri-tjetrin.”
– Urrejtja dhe zemërimi
Kjo do të thotë veprim i gjërave që nxisin urrejtjen mes njerëzve prej fyerjeve, talljeve, përgojimeve, bartjeve të fjalëve, etj.
Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Mos u urreni, mos ia ktheni njëri-tjetrit shpinën dhe bëhuni robër të Allahut, vëllezër.”
Ibën Rexheb el Hanbeli, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Allahu i ka lavdëruar ata që falin edhe kur janë të zemëruar, siç shprehet në ajetin: “E kur zemërohen, ata falin”, sepse zemërimi e shtyn njeriun të mos mbajë drejtësi dhe të mos flasë të vërtetën dhe pikërisht në atë moment ndodh largimi i zemrave dhe acarimi i marrëdhënieve mes muslimanëve.”
– Mendjemadhësia dhe nënçmimi i të tjerëve
Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, e kërcënon atë që në zemrën e tij ka mendjemadhësi se nuk do të hyjë në Xhenet. Thotë, salallahu alejhi ue selem: “Nuk do të hyjë në Xhenet ai, që në zemrën e tij ka një grimcë mendjemadhësie.” – Një prej burrave tha: O i Dërguar i Allahut, dikush dëshiron, që rrobat dhe sandalet t’i ketë të bukura? – Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, tha: “Allahu është i bukur dhe e do të bukurën. Mendjemadhësia është refuzimi i të vërtetës dhe sjellja me arrogance ndaj njerëzve”.
Refuzimi i të vërtetës do të thotë mospranimi i saj dhe refuzimi me mendjemadhësi i atij, që e thotë atë. Ndërsa sjellja me arrogancë ndaj njerëzve bëhet duke i poshtëruar dhe përbuzur.
– Thashethemet, përgojimi, zbulimi i të metave dhe bartja e fjalëve nga njëri tek tjetri
Këto shkaqe ndikojnë negativisht në marrëdhëniet midis njerëzve duke shkaktuar ftohjen e marrëdhënieve, duke i mbushur zemrat me pakënaqësi, duke ndërprerë lidhje dhe duke ndarë të afërmit.
Allahu, azze ue xhel, thotë: “Mos e spiunoni dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Sigurisht që ju do ta urrenit këtë! Kijeni frikë Allahun!” (El-Huxhurat: 12)
Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, thotë: “Nuk hyn në Xhenet thashethemexhiu”, dhe po ashtu thotë: “Mos u merrni me të metat e të tjerëve (as kur këto i mbani në vete e as kur ato doni t’i publikoni).”
Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kam takuar në Medine njerëz që nuk kishin të meta, por kur filluan të merren me të metat e tjerëve, atëherë vet u bënë me të meta. Po ashtu kam takuar në këtë qytet njerëz që kishin shumë të meta, por kur heshtën për të metat e të tjerëve, Allahu ia mbuloi të metat e tyre”.
– Pushteti, postet dhe autoriteti
Shpeshherë konfliktet mes njerëzve ndodhin për poste dhe autoritet, duke bërë që të garojnë qoftë edhe duke shkelur vlerat e të tjerëve, madje duke përdorur masën e gjerë naive për të arritur interesa të ngushta personale, gjë e cila çon në urrejtjen mes njerëzve dhe në pengimin e përparimit të atyre që e meritojnë, duke i penguar edhe njerëzit që të përfitojnë prej tyre. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Vallë, a i kanë zili njerëzit për mirësitë që Allahu u ka dhënë atyre?!” (En-Nisa: 54)
Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kur t’i lihet çështja në dorë atyre që nuk janë të aftë për të, prite Kiametin”.
– Mospajtimi në qëndrime dhe mendime, eksluziviteti medh’hebor dhe fanatizmi pas dikujt apo diçkaje përveç së vërtetës, qoftë ndaj një grupi, fisi, partie apo një personi të caktuar
Kjo i bën ata të shkelin parimet e ligjëruara nga Allahu dhe të duan apo të urrejnë, të miqësojnë apo të armiqësojnë dikë sipas fanatizmit të tyre.
Ibën Tejmijje, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk i takon askujt që të caktojë një figurë – kushdo qoftë ai- dhe të dojë apo të urrejë për shkak të përputhjes me të në fjalë dhe vepra, sepse përndryshe do jetë nga ata që Allahu i ka cilësuar duke thënë: “Ata të cilët e përçanë fenë e tyre në grupime, ku secili i gëzohet idesë së tij.”
Nuk i takon askujt që të thërrasë në diçka apo ta besojë atë vetëm pse e ka thënë dikush nga ata që ai i do, por le të thërrasë në të, sepse është nga ato çështje që i ka urdhëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij.
– Risitë dhe shpikjet në fe
Kjo vjen duke folur për fenë e Allahut atë që nuk është e vërtetë, çka shkakton reagimin e pasuesve të Sunetit në mbrojtjen e fesë nga devijimet, që të ruhet e pastër ashtu siç është shpallur.
Ibën Batah, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Shpikësit në fe dalin nga uniteti në përçarje, nga rregullsia në çoroditje, nga mirëkuptimi në përplasje, nga përputhja në kundërshtime, nga dashuria në urrejtje, nga këshilla dhe dashamirësia në mashtrim dhe armiqësi.”
Këto ishin disa nga shkaqet e mospajtimit midis njerëzve. Nuk duhet harruar faktin se shfaqja dhe faktorët që ndikojnë në shfaqjen e tyre ndonjëherë mund të jenë të dukshme apo të kenë ndonjë prapavijë të fshehur. Mirëpo sidoqoftë, kur shpirtrat përplasen, plagët hapen dhe mendimet largohen, atëherë njerëzit përçahen dhe me këtë Umeti dobësohet, ndërsa armiku i Islamit forcohet.
Allahu, azze ue xhel, thotë: “Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kur’anin) dhe mos u përçani! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju, sepse, kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja e, në saje të dhuntisë së Tij, u bëtë vëllezër. Dhe ju ishit buzë greminës së zjarrit, ndërsa Ai ju shpëtoi prej saj. Kështu, Allahu jua shpjegon shpalljet e Veta, që ju të drejtoheni në udhën e drejtë.” (Ali Imran: 103)
Zgjodhi dhe përgatiti: Irfan Jahiu