Rtv Pendimi

SHKAQET E MOSPAJTIMIT MIDIS NJERËZVE

Allahu, azze ue xhel, i bëri njerëzit të dallohen nga njëri-tjetri në natyrë, mendime, synime, ideologji, karakter, dëshira, e kështu me radhë, dhe padyshim se kur dallohet njëri prej tjetrit, atëherë mund të shkojë deri në mospajtim mes tyre. Ky mospajtim mund të themi se është në kornizën e të pranuarës deri atëherë kur nuk bie në kundërshtim me ligjin e Allahut, azze ue xhel. Çdo mospajtim që bie në kundërshtim me Kuranin dhe Sunetin është i urryer dhe i ndaluar.

Duke e marrë parasysh se ky lloj i problematikës është mjaft i gjallë, manifestim i realitetit të jetesës sonë të përditshme, është e nevojshme që t’i njohim shkaqet e këtyre mospajtimeve dhe konflikteve, që t’u ruhemi paraprakisht dhe të pastrojmë e korrigjojmë veten tonë, nëse jemi zhytur në ndonjërin prej tyre, në mënyrë që të kontribuojmë sadopak sinqerisht për shuarjen e konflikteve. Nga shkaqet që çojnë deri në mospajtim mes njerëzve mund të numërojnë:

 Mosdija. Mosnjohja e natyrës së tjetrit dhe synimeve të tij është një prej shkaqeve kryesore, të cilat çojnë deri në mospajtim.  Njeriu i paditur është armik i vetes dhe i të tjerëve, dhe dëmi i tij në shoqëri është shumë i madh. Prandaj Allahu, azze ue xhel, dhe i Dërguari i Tij, sal-lallahu alejhi ue selem, i nxisin muslimanët që të pajisen me dituri dhe ta largojnë injorancën prej vetes së tyre. Imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, thoshte se të gjithë bashkëbiseduesit e tij dijetarë i ka bindur me qëndrimet e tij, kurse në kontakt me të paditurit gjithmonë ka hasur në shumë vështirësi.

– Pasimi i epshit. Pasimi i epshit mund të jetë shkak që njeriu mos të pranojë realitetin apo të mbrojë mendimet që ia pëlqen vetëm epshi i tij, qofshin ato të sakta apo jo, dhe kjo duke mos i interesuar fare, se a do të bjeri në mospajtim apo jo. Allahu, azze ue xhel, thotë: “O Davud, Ne të kemi bërë mëkëmbës në Tokë, prandaj gjyko ndërmjet njerëzve me drejtësi dhe mos shko pas dëshirave dhe tekave, se ato të largojnë nga rruga e Allahut.” Sad 26.

“Kurse ai që i është frikësuar madhërisë së Zotit të tij dhe e ka frenuar veten nga dëshirat, pa dyshim që do të ketë për strehë Xhenetin.” Naziat 40-41.

“A e ke parë ti atë që epshin e vet e ka marrë për zot? A do t’i bëhesh mbrojtës atij?”Furkan 43.

– Dallimi në natyrë, karakter, synime, dëshira. Të mirët anojnë nga e mira dhe në këtë janë unikë, ndërsa të këqijtë anojnë nga e keqja dhe në këtë janë unikë. Këto janë kundërshti që nuk mund të pajtohen. Njeriu i mirë kurrë nuk mund të pajtohet me dhunën, as që e duron, as që mundet ta tolerojë te tjetri dhe ka për detyrim ta pamundësojë tiranin që të veprojë me të. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Shpirtrat e afërm janë unikë. Ata që njihen bashkohen, kurse ata që kundërshtohen, shpërndahen.”

– Polemikat dhe debatet. Polemikat dhe debatet e ndaluara janë ato të cilat synojnë mbrojtjen e interesave apo mendimeve personale dhe të grupimit me çdo kusht, duke e mposhtur tjetrin me metoda të ndryshme, qofshin ato edhe djallëzore. Imam Maliku thotë: “Debatet e ngurtësojnë zemrën dhe shkaktojnë pakënaqësi.”

Hasan Basriu dëgjoi disa njerëz, të cilët po debatonin mes tyre dhe tha: “Këta janë mërzitur nga adhurimi, nuk e peshojnë atë që flasin, e kanë të dobët devotshmërinë, ndaj dhe flasin e debatojnë.”

Këtu bën përjashtim ai debat që zhvillohet në formë bashkëbisedimi dashamirës, duke ruajtur normat dhe etikën e debatit, si dhe duke pasur qëllime të mira. Allahu, azze ue xhel,  thotë:“Polemizo me ta në mënyrën më të mirë.” Ankebut 46.

– Mendimi i keq për muslimanin dhe paragjykimi. Kjo vjen si rezultat i mosbesimit te të tjerët, sa problemi mund të arrijë deri në atë gradë, që mos t’i besojë askujt dhe të ketë mendim të keq për të gjithë. Pas këtij problemi qëndrojnë shumë sëmundje, si mahnitja me vetveten, akuza e të tjerëve, dëshira për nënçmim etj. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Mënjanoni shumë dyshime, se me të vërtetë disa dyshime janë gjynah.”

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Hiqeni prej vetes supozimin (paramendimin e keq dhe rezultatin e tij), ngase ai është veti nga më të këqijat.”

Seid ibën Musejebi, radijallahu anhu, thoshte: “Më porositën disa vëllezër muslimanë, që të kem mendim të mirë për vëllanë tim musliman, derisa të dalë në shesh e kundërta.”

– Smira, zilia e të mirave te tjetri. Ziliqar është ai që kur ia sheh njerëzve begatitë që iu janë paraqitur brengoset dhe shpreson e kujdeset, që ato t’i humbin, ndërsa kur i godet ndonjë sprovë dhe e keqe ai kënaqet.

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Nëse ju vjen ndonjë e mirë, ata i brengos, e nëse ju gjen ndonjë e keqe ata gëzohen, por nëse ju duroni dhe ruheni nga gjynahet, dinakëritë e tyre nuk mund t’ju dëmtojnë aspak. Vërtet Allahu ka dijeni për çdo gjë që punojnë ata.” Ali Imran 120.

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Mos kini zili njëri me tjetrin.”

– Urrejtja dhe zemërimi. Kjo do të thotë veprimi i gjërave, që nxisin urrejtjen mes njerëzve prej fyerjeve, talljeve, përgojimeve, bartjeve të fjalëve etj. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: “Mos u urreni, mos ia ktheni njëri- tjetrit shpinën dhe bëhuni robër të Allahut, vëllezër.”

Ibën Rexheb el Hanbeli, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Allahu i ka lavdëruar ata që falin edhe kur janë të zemëruar, siç shprehet në ajetin: “E kur zemërohen, ata falin”, sepse zemërimi e shtyn njeriun të mos mbajë drejtësi dhe të mos flasë të vërtetën dhe pikërisht në atë moment ndodh largimi i zemrave dhe acarimi i marrëdhënieve mes muslimanëve.”

– Mendjemadhësia dhe nënçmimi i të tjerëve. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, e kërcënon atë që në zemrën e tij ka mendjemadhësi, se nuk do të hyjë në xhenet. Ai, sal-lallahu alejhi ue selem thotë: “Nuk do të hyjë në xhenet ai, që në zemrën e tij ka një grimcë mendjemadhësie.” – Një prej burrave tha: O i Dërguar i Allahut, dikush dëshiron, që rrobat dhe sandalet t’i ketë të bukura? –  Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, tha: “Allahu është i bukur dhe e do të bukurën. Mendjemadhësia është refuzimi i të vërtetës dhe sjellja me arrogancë ndaj njerëzve”.

Refuzimi i të vërtetës do të thotë mospranimi i saj dhe refuzimi me mendjemadhësi i atij, që e thotë atë. Ndërsa sjellja me arrogancë ndaj njerëzve bëhet duke i poshtëruar dhe i përbuzur.

– Thashethemet, përgojimi, zbulimi i të metave dhe bartja e  fjalëve nga njëri tek tjetri.

Këto shkaqe ndikojnë negativisht në marrëdhëniet midis njerëzve duke shkaktuar ftohjen e marrëdhënieve, duke i mbushur zemrat me pakënaqësi, duke ndërprerë lidhjet dhe i duke ndarë të afërmit. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Mos e spiunoni dhe mos e përgojoni njëri-tjetrin! Mos vallë dëshiron ndokush prej jush të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Sigurisht që ju do ta urrenit këtë! Kijeni frikë Allahun!” Huxhurat 12.

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: “Nuk hyn në xhenet thashethemexhiu”, dhe po ashtu thotë: “Mos u merrni me të metat e të tjerëve (as kur i mbani në vete këto e as kur doni t’i shpallni ato).”

Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, thotë : “Kam takuar në Medine njerëz që nuk kishin të meta, por kur filluan të merren me të metat e të tjerëve, atëherë u bënë vetë me të meta. Po ashtu kam takuar në këtë qytet njerëz që kishin shumë të meta, por kur heshtën për të metat e të tjerëve, Allahu ua mbuloi të metat atyre”.

– Pushteti, postet dhe autoriteti. Shpeshherë konfliktet mes njerëzve ndodhin për poste dhe autoritet, duke bërë që të garojnë qoftë edhe duke shkelur vlerat e të tjerëve, madje duke përdorur masën e gjerë naive për të arritur interesa të ngushta personale, gjë e cila çon në urrejtjen mes njerëzve dhe në pengimin e përparimit të atyre që e meritojnë, duke i penguar edhe njerëzit që të përfitojnë prej tyre. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Vallë, a i kanë zili njerëzit për mirësitë që Allahu u ka dhënë atyre?!” Nisa 54.

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kur t`i lihet çështja në dorë atyre që nuk janë të aftë për të, prite Kiametin”.

– Mospajtimi në qëndrime dhe mendime, ekskluziviteti medhhebor dhe fanatizmi pas dikujt apo diçkaje përveç së vërtetës, qoftë ndaj një grupi, fisi, partie apo një personi të caktuar.Kjo i bën ata të shkelin parimet e ligjëruara nga Allahu dhe të duan apo të urrejnë, të miqësojnë apo të armiqësojnë dikë sipas fanatizmit të tyre.

Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nuk i takon askujt që të caktojë një figurë – kushdo qoftë ai- dhe të dojë apo të urrejë për shkak të përputhjes me të në fjalë dhe vepra, sepse përndryshe do të jetë nga ata që Allahu i ka cilësuar duke thënë: “Ata të cilët e përçanë fenë e tyre në grupime, ku secili i gëzohet idesë së tij.” Nuk i takon askujt të thërrasë në diçka apo ta besojë atë vetëm sepse e ka thënë dikush nga ata që ai i do, por le të thërrasë në të, sepse është nga ato çështje, që i ka urdhëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij.

Risitë dhe shpikjet në fe. Kjo vjen duke folur për fenë e Allahut atë që nuk është e vërtetë, çka shkakton reagimin e pasuesve të Sunetit në mbrojtjen e fesë nga devijimet, që të ruhet e pastër ashtu siç është shpallur.

Ibën Batah, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Shpikësit në fe dalin nga uniteti në përçarje, nga rregullsia në çoroditje, nga mirëkuptimi në përplasje, nga pajtimi në kundërshtime, nga dashuria në urrejtje, nga këshilla dhe dashamirësia në mashtrim dhe armiqësi.”

Këto ishin disa nga shkaqet e mospajtimit midis njerëzve. Nuk duhet të harrojmë faktin, se shfaqja dhe faktorët që ndikojnë në shfaqjen e tyre ndonjëherë mund të jenë të dukshme apo të  kenë ndonjë prapavijë të fshehur. Mirëpo sidoqoftë, kur shpirtrat përplasen, plagët hapen dhe mendimet largohen, atëherë njerëzit përçahen dhe me këtë Umeti dobësohet, ndërsa armiku i Islamit forcohet.

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju, sepse kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja, e në saje të dhuntisë së Tij u bëtë vëllezër. Dhe ju ishit buzë greminës së zjarrit, ndërsa Ai ju shpëtoi prej saj. Kështu, Allahu jua shpjegon shpalljet e Veta, që ju të drejtoheni në udhën e drejtë.” Ali Imran 103.

përgatiti: Irfan JAHIU

TË NGJAJSHME

IOS
ANDROID
DONACION
DËRGO MESAZH