Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës mjekë pediatër e onkologë, aktualisht po shkëmbejnë përvojat profesionale me mjekët ndërkombëtarë.
Kjo praktikë ndër vite është bërë rutinë, meqë ende në këtë institucion vazhdojnë të mos ofrohen disa shërbime shëndetësore. Është reparti i hemato-onkologjisë, pastaj operacionet në zemër te fëmijët, si dhe shumë shërbime të tjera, që mjekët kosovarë po vazhdojnë të marrin përvoja nga ata ndërkombëtarë.
Përfitimet, siç thonë profesionistë shëndetësorë, janë të mëdha, meqë praktikat e ndryshme mjekësore që përdoren sot në botë po aplikohen edhe në Kosovë.
Onkologu Arben Bislimi i tha Radios Evropa e Lirë se bashkëpunimi me mjekë ndërkombëtarë është shumë i frytshëm dhe se do duhej të vazhdojnë edhe në të ardhmen.
Ai përmend disa shërbime hematologjike që tashmë fëmijët i marrin falas në disa qendra të njohura evropiane hematologjike , falë bashkëpunimit që është bërë mes Kosovës dhe këtyre vendeve.
“Disa procedura diagnostiko bëhen sidomos në Austri për sëmundjet hemato-onkologjike e që kanë kosto të lartë, por që fëmijët i bëjnë falas përmes urave lidhëse institucionale që janë bërë. Akoma shumë procedura diagnostike nuk po mund të bëhen në Kosovë. Po pretendohet që të bëhen, por nuk është shumë e thjeshtë. Problemet që janë akumuluar me vite nuk mund të zgjidhen për një muaj. Ndërkaq, duhet cekur se një pjesë e madhe e leukemive und të trajtohet në Kosovë, por ka ngecje në shumë tjera”, thotë Bislimi.
Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se shkëmbimi i përvojave mes mjekëve vendorë dhe të huaj është një praktikë e kamotshme. Albatrit Matoshi, këshilltar për media i ministrit të Shëndetësisë thotë se për këtë çështje është ndarë edhe buxhet i veçantë.
Ai gjithashtu potencon faktin se përkundër përpjekjeve të vazhdueshme për të rritur numrin e shërbimeve, disa nga to sidomos për fëmijët vazhdojnë të mos ofrohen në vend.
“Bëhet fjalë për shërbimet në Kardiokirurgjinë e fëmijëve dhe sëmundjet hemato-onkologjike që nuk po mund të ofrohen në institucione publike shëndetësore. Megjithatë, jemi duke bërë përpjekje që përmes marrëveshjeve që ka bërë ministri i Shëndetësisë, tashmë mjekë nga një qendër e njohur nga Holanda, të vijnë në Kosovë për të ofruar falas shërbime, por njëkohësisht edhe stafi jonë të merr përvoja nga ta”.
“Gjithashtu, kohë pas kohe mjekët tonë po shkojnë në spitalin më të madh në Evropë, pra në Holandë përmes kësaj marrëveshjeje, dhe të marrin përvoja për t’i aplikuar në vend. Ka edhe me spitale tjera të njohura marrëveshje, që përmes fondit të veçantë shkojnë mjekët tonë në kuadër të shkollimit të vazhdueshëm profesional”, thotë Matoshi.
Sidoqoftë, përveç stafit mjekësor pacientët kosovarë janë ata që përfitojnë, duke u operuar falas nga mjekë specialistë ndërkombëtarë, operacione të ndërlikuara dhe shërbime falas.
Derisa duhet cekur se gjatë këtij viti sipas statistikave që i posedon Instituti Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, nuk është shënuar rritje e numrit të prekurve me kancer.
Janë afër 850 raste të reja me kancer, për shtatë mujorin e këtij viti, e që nëse krahasohet me vitin e kaluar, është numër i njëjtë. Këto shifra nuk përfshijë fëmijët e prekur me kancer.