Me një akademi selemne të organizuar nga Ministria e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve midis Komuniteteve të Maqedonisë së Veriut, në Shkup është shënuar 111-vjetori i 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit Shqip, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë manifestim të pranishëm ishin kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, zv/kryeministrat Sadulla Duraku dhe Bujar Osmani, ministra, diplomatë, kryetarë komunash, afaristë dhe të ftuar të tjerë.
Duke uruar 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit Shqip, kryeministri Zoran Zaev tha se kjo akademi solemne është vetëm njëra nga evenimentet e shumta që janë organizuar këto ditë në nder të historisë së popullit shqiptar dhe të Maqedonisë së Veriut, duke shtuar se duhet shrytëzuar dallimet mes komuniteteve për të vendosur mirëkuptim dhe tolerancë.
“Festimi i traditave kulturore, datave dhe trashëgimisë shpirtërore të tjetrit, kontribuon në ndërtimin e një shoqërie të vetme dhe për të gjithë me një të ardhme proevropiane dhe të prosperuar. Kjo është veçantia dhe thelbi i bashkësisë sonë”, tha Zaev.
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në fjalimin e tij tha se gjuha bashkon njerëz dhe ide, si dhe mundëson bashkëpunim dhe zhvillim.
“Një gjuhë është aq e pasur, aq e vlefshme, sa flitet e sa shkruhet, pasurohet dhe përhapet në botë. Ajo është vegël e fuqishme në ngritjen intelektuale, kulturore, artistike, por mbi të gjitha, shenjë identitare e një populli”, tha Xhaferi.