Shkup, program i leximit të Kur’anit kushtuar Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar të Turqisë

Shkup, program i leximit të Kur’anit kushtuar Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar të Turqisë

Me rastin e 15 korrikut, Ditës së Demokracisë dhe Unitetit Kombëtar në Turqi, në xhaminë Mustafë Pasha në Shkup është mbajtur një program i leximit të Kur’anit, raporton Anadolu Agency (AA).

Programi u mbajt nën kujdesin e Ambasadës së Turqisë në Shkup, në organizim të Konsulencës së Shërbimeve Fetare pranë ambasadës në partneritet me Bashkësinë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut.

Para të pranishmëve në xhaminë Mustafë Pasha, këshilltari për çështje fetare i ambasadës turke në Shkup, Mustafa Mesten, foli rreth tentativës së organizatës terroriste FETO për grusht shtet që ndodhi më 15 korrik të vitit 2016 në Turqi.

Duke kujtuar se qytetarët dolën në rrugë pas thirrjes së presidentit Recep Tayyip Erdoğan, Mesten tha se ata qëndruan para tankeve, topave dhe sakrifikuan jetën e tyre.

“Pas kësaj, pasi pamë këto pamje, jemi plotësisht të bindur se asnjë forcë apo fuqi, qoftë e brendshme apo e jashtme, nuk do t’i mbyllë sytë para atdheut tonë, flamurit, vendit dhe besimeve tona të shenjta”, tha Mesten.

Në kuadër të programit të mbajtur në xhaminë Mustafë Pasha, përveç leximit të Kur’anit u kënduan edhe ilahi.

Të pranishëm në këtë program të mbajtur para faljes së namazit të drekës ishin edhe ambasadori turk në Shkup, Hasan Mehmet Sekizkök, koordinator i zyrës në Shkup të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim (TIKA), Halim Ömer Söğüt, drejtor i institutit “Yunus Emre” – Shkup, Serhat Kula, drejtor i Fondacionit Maarif në Maqedoninë e Veriut, Mustafa Dillioğlu, shefi ekzekutiv i bankës ‘Halkbank AD Shkup’, Bilal Sucubaşı, kryetari i bordit udhëheqës të Odës Ekonomike Maqedoni-Turqi (MATTO), Ajdovan Ademoski, kryetari i Shoqatës së Organizatave Joqeveritare Turke në Maqedoni (MATÜSİTEB), Hüsrev Emin, si dhe përfaqësues të organizatave e institucioneve turke në vend dhe qytetarë.