[There are no radio stations in the database]
SHOQËRIA DHE VËLLAZËRIA

SHOQËRIA DHE VËLLAZËRIA

– Babi im! Më urdhërove t’i rishikoj marrëdhëniet me miqtë e mi. Kjo a nënkupton se nuk dëshiron të shoqërohem me njerëz dhe prej meje kërkon të qëndroj i vetëm?

* Jo, asnjëherë biri im! Nuk dua që ti të qëndrosh pa shokë e as të qëndrosh i vetëm, por dëshira ime është të të rikujtoj t’i shoqërosh të mirët dhe të devotshmit. Në shoqërimin e tyre do të gjesh kënaqësinë, shoqërimin dhe largimin e brengave, me lejen e Allahut. Shtoja kësaj faktin se shoqërimi i të mirëve sjell mirësi dhe shpërblime të mëdha prej Allahut.

– A do të më tregosh disa prej tyre?

* Po, patjetër.

Po theksoj disa prej tyre:

  1. Në Ditën e Kiametit njeriu ringjallet me atë që e do. Kështu tregoi Pejgamberi, alejhi selam. Si rrjedhojë, nëse njeriu i do të devotshmit, do të ringjallet me ta në Ditën e Kiametit, edhe nëse veprat e tij i ka më pak se veprat e tyre.
  2. Shoku i mirë është si shitësi i parfumeve, siç tregoi Pejgamberi alejhi selam. Pronari i parfumit ose të jep prej parfumit të tij, ose ti blen prej tij, ose e nuhat erën e mirë që vjen prej tij.
  3. Në Ditën e Kiametit, ata që janë dashur për hir të Allahut do të nderohen me futjen e tyre në hijen e Arshit, kur atë ditë nuk ka hije tjetër përveç hijes së Arshit të Allahut. Atë ditë Dielli ulet rreth një milje mbi kokat e njerëzve dhe njerëzit do të djersiten sipas gjynaheve që kanë vepruar në dynja. Pejgamberi, alejhi selam, thotë: “Janë shtatë grupe që Allahu do t’i fusë në Hijen e Tij në Ditën e Gjykimit, ditë në të cilën nuk do të ketë hije tjetër përveç Hijes së Tij: udhëheqësi i drejtë, i riu që është rritur duke e adhuruar Allahun e Plotfuqishëm, njeriu që zemrën e tij e ka të lidhur me xhamitë, dy njerëz të cilët janë dashur për hir të Allahut, që janë takuar për këtë dhe janë ndarë për këtë, ai burrë që është thirrur nga një grua e bukur dhe me pozitë (për të kryer marrëdhënie me të), por ky thotë: “I frikësohem Allahut”, personi që jep fshehtas në bamirësi, saqë dora e tij e majtë nuk di se çfarë jep e djathta, si dhe personi që e kujton Allahun në vetmi dhe sytë e tij lotojnë.”[1]
  4. Atyre që janë dashur për Allahun u jepet një pozitë e lartë në Ditën e Kiametit. Pejgamberi, alejhi selam, tregon se Allahu ka thënë: “Ata që janë dashur për hir të madhërisë Sime, si shpërblim do të ulen në minber prej drite dhe u marrin lakmi pejgamberët dhe dëshmorët.”[2]
  5. Ata që janë dashur për Allahun, dashuria dhe lidhja e tyre vazhdon deri në Ditën e Kiametit. Atë ditë distancohet shoku prej shokut, atë ditë njeriu ikën prej babait, nënës dhe fëmijëve të vet, përveç atyre që janë dashur për Allahun, siç thotë Allahu: Atë Ditë miqtë do të bëhen armiq të njëri-tjetrit, përveç të drejtëve, që e kanë pasur frikë Allahun.” (Ez Zuhruf, 67)
  6. Biri im, ata që duan njëri-tjetrin për Allahun, edhe Ai i do ata. Tregohet se Ebu Idris el Haulani i tha Muadh ibn Xhebelit: “Të dua për Allahun!” Muadhi i tha: “Përgëzohu, sepse e kam dëgjuar Pejgamberin, alejhi selam, të thotë: Allahu ka thënë: “E obligova dashurinë Time për ata që kanë dashuri reciproke për hir Timin, që qëndrojnë me njëri-tjetrin për Mua, kryejnë vizitë reciproke për Mua dhe sakrifikojnë për Mua.”[3]

– Babi im, Allahu të shpërbleftë! Sa mirësi të mëdha paska shoqëria për Allahun. Besoj se të riut do t’i mjaftojë të dijë veç njërën prej tyre, që ta shtyjë të shoqërohet me të mirët. Por, babi, nganjëherë mes tyre mund të ketë ndonjë mosmarrëveshje ose fërkim, e kjo a mund t’i privojë nga begatitë e Allahut në Ditën e Kiametit?

* Biri im, njerëzit nuk janë pa gabime. Ka raste kur ka mospajtime mes vëllezërve dhe shokëve, por ato nuk duhet të jenë të vazhdueshme. Njeriu duhet të ketë mendim të mirë dhe zemër të pastër për vëllezërit e tij në fe. Për këtë fakt në Ditën e Kiametit ata do të nderohen prej Allahut me mirësi. Allahu thotë: Ne do ta heqim urrejtjen nga zemrat e tyre; ata do të rrinë ulur si vëllezër përballë njëri-tjetrit në divane.” (El Hixhr, 47)

– Por, babi, nëse njëri prej tyre vëren se ka mangësi dhe dobësi, e në vete thotë: “Më duket vetja si hipokrit! Ata janë më të mirë se unë. Unë nuk meritoj të qëndroj me ta!”; dhe kjo bindje e shtyn ta mendojë largimin prej tyre! A është në rregull kjo gjë?

* Jo, biri im! Kjo është një prej kurtheve të shejtanit dhe kujdesit të tij për ta devijuar njeriun. Shejtani e di që në shoqërimin e tyre ka mirësi, e dëshiron të ndërhyjë mes të riut dhe kësaj të mire. Ebu Musa el Eshariu tregon se një burrë e pyeti Pejgamberin, alejhi selam: “Njeriu do një popull, por nuk mund t’i arrijë ata me vepra (d.m.th. nuk mund të punojë punë të mira si ata)”? Pejgamberi, alejhi selam, tha: Njeriu do të jetë me atë që e ka dashur.”[4]

Ebu Hurejra përcjell se Pejgamberi, alejhi selam, ka thënë: “Allahu ka caktuar melekë që shëtisin nëpër rrugë duke kërkuar ata që përmendin Allahun. Dhe, nëse gjejnë ndonjë grup që përmendin Allahun, i thonë: “Na i tregoni nevojat tuaja” dhe i rrethojnë me krahët e tyre deri në qiellin e dynjasë. Allahu i pyet melekët, ndërkohë që Ai e di më së miri: “Çfarë po thonë robërit e Mi?” Melekët i përgjigjen: “Ty të lavdërojnë, o Allah, Ty të falënderojnë, Ty të madhërojnë dhe Ty të lartësojnë.” Allahu u thotë: “Vallë, a më kanë parë Mua?” I thonë: “Jo, pasha Ty (betohen), nuk të kanë parë.” Allahu u thotë: “Po sikur të më kishin parë Mua?” Melekët përgjigjen: “Sikur të të kishin parë Ty, ata do të të lavdëronin edhe më shumë, do të të falënderonin edhe më shumë.” Allahu i pyet: “Çfarë kërkojnë prej Meje?” I përgjigjen: “Xhenetin.” Allahu u thotë: “Vallë, a e kanë parë Xhenetin?” I përgjigjen: “Jo, pasha Ty, nuk e kanë parë.” Allahu u thotë: “Po sikur ta kishin parë?” I përgjigjen: “Do ta kërkonin pa pushim dhe do të përpiqeshin me çdo kusht që ta fitonin.” Allahu u thotë: “Nga se kërkojnë mbrojtje prej Meje?” I përgjigjen: “Nga Zjarri i Xhehenemit.” Allahu i pyet: “A e kanë parë atë?” I përgjigjen: “Jo, pasha Ty, nuk e kanë parë.” Allahu u thotë: “Po sikur ta kishin parë?” I përgjigjen: “Nëse do ta kishin parë atë, do të largoheshin e do të frikësoheshin akoma më shumë.” Allahu thotë: “O melekët e Mi, Unë ju bëj dëshmitarë ju se i kam falur ata.” Njëri prej melekëve thotë: “O Allah, aty ndodhet një person i cili nuk është aty për tjetër pos për nevojat e veta.” Allahu thotë: “Në atë mexhlis as ai që është rastësisht nuk do të dalë i humbur.”[5]

Nëse ky njeri nuk erdhi me nijetin që të qëndrojë në atë ndejë, por, megjithatë, e mori gjithë këtë shpërblim, çfarë thua ti, si do jetë çështja e atij që i do punëmirët dhe e do qëndrimin me ta, që rri larg ndejave të dëfrimit dhe argëtimit e shkon të qëndrojë me shokë të mirë, shpreson të bëhet si ata dhe e qorton veten vazhdimisht për mangësitë e tij?

– E kuptova çështjen e shoqërimit të njerëzve të devotshëm, por si qëndron puna me shokët e këqij?

* Biri im! Çdoherë që një i ri ka ndryshuar prej së mirës në të keqe, e kam vërejtur se shoku i keq ka qenë shkaku i ndryshimit të tij.

Mu për këtë Pejgamberi, alejhi selam, paralajmëroi nga shoqërimi i shokut të keq, duke na sjellë një shembull të mrekullueshëm për ilustrim në hadithin: “Shoku i mirë dhe i keq i shëmbëllejnë bartësit (poseduesit) të miskut dhe farkëtarit. Poseduesi i miskut ose të dhuron prej miskut, ose ti e blen prej tij, ose e nuhat erën e mirë të miskut prej tij, kurse farkëtari ose t’i djeg rrobat, ose do të ndiesh prej tij erën e keqe.”[6]

Biri im, shokët e këqij ndikojnë për keq në disa aspekte:

  1. Ata u flasin atyre që i shoqërojnë për gjynahet dhe veprimet e tyre të këqija, madje ka raste kur shpikin situata që realisht nuk kanë ndodhur, vetëm për t’u krenuar para shokëve dhe moshatarëve të vet.
  2. Ata ua mësojnë hapat që i çojnë deri te krimi, rrugët dhe dyert e krimit. Kështu u lehtësojnë çdo rrugë që çon te krimi.
  3. Shoqërimi i tyre ndikon në iman dhe e dobëson fenë. Si rrjedhojë, i riu shumë lehtë bie në sprova dhe gjynahe.
  4. Ata, kur shohin dikë që shkon rrugës së drejtë, tallen me të dhe mundohen ta largojnë nga kjo rrugë.

– Babi im, kur këshillon një të ri të largohet nga shoqëria e keqe, thotë që atë e ka djalë axhe ose të afërm tjetër a fqinj.

* Biri im, shumë njerëz gabojnë në përcaktimin e domethënies “shok i keq”. Shok i keq është ai i cili të thërret në gjynah ose ta lehtëson gjynahun me fjalë e me vepra, të largon nga adhurimet në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi. Ai mund të jetë i afërt ose i largët, fqinji ose vëllai a dikush tjetër, por kjo nuk e arsyeton dhe nuk e përjashton nga rrethi i shokut të keq, që realisht duhet të largohet njeriu prej tij.

Në anën tjetër, shok i mirë llogaritet çdonjëri i cili të përkrah dhe të ndihmon në adhurime, të çon nga e mira me veprat ose me fjalët e tij.

– Babi im! Disa të rinj argumentohen me faktin se e njohim të mirën dhe të keqen, e kështu nuk ndikohen prej tyre ose i shoqërojnë sipërfaqësisht vetëm në shkollë, pa pritur ndonjë ndikim të keq prej tyre!

* Asnjëherë, biri im! Dije se Pejgamberi, alejhi selam, është këshillues besnik. Ai paralajmëroi kundër tyre dhe lajmëroi se janë si shembulli i farkëtarit, patjetër e ke të ndikohesh prej shoqërimit të tyre: o do të ndjeksh rrugën e tyre, o do të njihesh për të keq, o do të bëhen shkak që të sprovohesh në fe e dynja. Prandaj, justifikimi i tyre është prej metodave të shejtanit, i cili njeriun e mashtron në këtë mënyrë derisa ta çojë në krim dhe gjynah.

Sikur të supozojmë se nuk do të ndikohet asnjëherë, edhe pse kjo është shumë larg, mjafton që shoqërimi i tyre të bën t’i duash ata. Mos harro se atë që e do, me të do të ringjallesh në Ditën e Kiametit, ashtu si tregoi Pejgamberi, alejhi selam, se njeriu do të jetë me atë që e ka dashur. Shikuar realisht, sikur të mos i kishte dashur, asnjëherë nuk do të ishte ulur dhe nuk do të shoqërohej me ta.

Dr. Muhamed ed Duvejshi

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

(Pjesë nga libri: “BIRI IM, TASHMË JE BËRË BURRË” – i përkthyer në gjuhën shqipe)

 

[1] Buhariu (660), Muslimi (1031).

[2] Tirmidhiu (2390), Ahmedi (21575).

[3] Ahmedi (21525), Maliku (1779).

[4] Buhariu (6170), Muslimi (2641).

[5] Buhariu (6408), Muslimi (2689).

[6] Buhariu (2101), Muslimi (2628).


[There are no radio stations in the database]