Shumë të rinj përfituan nga kjo pyetje që ua parashtrova: Çfarë të pengon të kapesh për fe dhe të përqendrohesh në fe?!
Shoqëria! Ata janë që i sheh për çdo mëngjes dhe mbrëmje, ai ka njohuri për ta dhe ata kanë njohuri për çdo të vogël dhe të madhe të tij, i dinë edhe pikat e dobëta që i ka, dhe ai është i fundit që mendon të ndahet prej tyre dhe largimin e përjeton si vështirësi.
E pohojmë që ky vendim është i rëndë për disa të rinj sepse duhet flijim, mirëpo ky vendim është i patjetërsueshëm qoftë tani apo më vonë.
Ndoshta të intereson si?!
Të them lexoje fjalën e Allahut: “Atë Ditë keqbërësi do të hajë gishtat e duarve të veta, duke thënë: “Ah, sikur ta kisha marrë rrugën (e drejtë) me të Dërguarin! Ah, sikur të mos e kisha bërë filanin mik! Ai më ka larguar nga Këshilla (Kurani) që më kishte ardhur!” Në të vërtetë, djalli e braktis gjithmonë njeriun në çastin e nevojës.” (Furkan: 27-29.)
Me një ajet tjetër: “Ah, sikur ta shihnin çastin kur të adhuruarit do t’i braktisin adhuruesit e tyre, kur të gjithë do të shohin dënimin e midis tyre do të këputet çdo lidhje. Atëherë adhuruesit do të thonë: “Ah, sikur të ktheheshim edhe një herë (në jetën e Tokës) e t’i braktisnim ata, ashtu siç na braktisën ne!” Kështu, Allahu do t’ua tregojë veprat e tyre si burim hidhërimi për ta dhe ata s’kanë për të dalë kurrë nga zjarri.” (Bekare: 166-167.)
Ktheju dy ajeteve dhe përsiati mirë dhe pastaj besoj që do të pajtohesh me mua për këtë rezultat, se kur ndonjëri e shoqëron një të ri dhe atij i ndihmon dhe i bëhet krah për të keqen, patjetër se do të distancohet prej tij Ditën e Kiametit.
Tash pasi që çështjet janë në duart e tua, e ke atë mundësi të kuptosh realitetin dhe ta përshpejtosh vendimin dhe të shpallësh distancimin dhe largimin tënd në dynja para se ta bësh atë në ahiret.
Distancimi dhe largimi (nga ata) patjetër duhet shpallur dhe vendimi patjetër duhet marrë, prandaj cila rrugë për ty është më e lehta: të shpallësh distancimin dhe të largohesh nga shokët e ligë dhe miqtë e shkujdesur duke e pasur para teje opsionin e zëvendësimit të drejtë dhe të mirë, apo të mbetesh në këtë lidhje dhe rob i saj derisa ta shpallësh pafajësinë tënde Ditën e Kiametit…?! Atëherë më nuk është koha e pendimit!
E pasi të ndodhë braktisja/distancimi, e të përfundoi debati në mes tyre, për një çast të gjithë do të heshtin dhe do të dëgjojnë hutben e shejtanit: “Të gjithë do të dalin para Allahut. (Atëherë), ata që kanë qenë të përulur, do t’u thonë atyre që kanë qenë kryelartë: “Ne kemi qenë ithtarët tuaj. A do të mund të lehtësoni ju prej nesh diçka nga dënimi i Allahut?” Ata do të thonë: “Sikur të na kishte udhëzuar Allahu në rrugën e drejtë, edhe ne do t’ju kishim udhëzuar ju. Rënkojmë apo durojmë, për ne njësoj është, nuk do të ketë shpëtim.” Dhe, kur të marrë fund puna, djalli do të thotë: “Vërtet, Allahu ju bëri një premtim të vërtetë. Edhe unë ju premtova, por ju mashtrova. Unë nuk kam pasur kurrfarë pushteti mbi ju. Unë thjesht ju thirra e ju m’u përgjigjët. Prandaj, mos më qortoni mua, por qortoni veten! Unë nuk jam shpëtimtari juaj e as ju nuk jeni shpëtimtarët e mi. Unë tani e mohoj që më bëtë ortak me Allahun (në adhurim).” Vërtet, keqbërësit do të kenë një dënim të dhembshëm.” (Ibrahim: 21-22.)
Pjesë nga libri: ‘Dialog me një djalosh’ – Dr. Muhamed Duvejsh
Nga arabishtja: Irfan JAHIU