INFORMIM PUBLIK
Zgjedhjet e UIAZD-BW & Kryesia e Re
UIAZD-BW njofton të gjithë besimtarët dhe opinionin e gjerë në Baden-Württemberg dhe me gjerë se të dielen me 05.05.2024 në Stuttgart u mbajtën zgjedhjet për mandatin e dytë të UIAZD-BW.
Në këto zgjedhje, të njoftuara kohë më parë, morën pjesë gjithsejtë 10 nga 12 qendra anëtare të këtij unioni, me rreth 30 delegatë.
Në një atmosferë jashtëzakonisht të qetë e vëllazërore kryesia e deritanishme organizoi Mbledhjen Vjetore, ku u raportua për mbarëvajtjen e punës, nga Kryetari i deritanishëm i UIAZD-BW – Driton Morina, projektet realizuara nga zv. Kryetarët Milaim Limani e Abdylrrahim Leci, si dhe gjendjen financiare nga Financiari i UIAZD-BW-Muhamet Maliqi, gjatë vitit që lamë pas.
Sipas rregullave të parapara, nga ligji për OJQ të Gjermanisë dhe Statuti i UIAZD-BW, zgjedhjet parashihen të mbahen në çdo katër vite. Kësaj radhe ato ishin vonuar paksa duke pasur parasysh se në vitin e parë pas themelimit të këtij unioni ndodhi pandemia botërore Covid 19, e cila kishte vënë në ngërç edhe punën e UIAZD-BW.
Agjenda e mbledhjes:
Hapja e Mbledhjes
Raporti i Projekteve UIAZD-BW
Anëtarësimi i Xhamive të reja
Raporti i Financave
Zgjedhja e Kryesisë së re
Pas që dëgjuan raportimin rreth mbarëvajtjes së punës, realizimit të projekteve dhe rrjedhës financiare, anëtarët pjesëmarrës patën rastin të shtrojnë shumë pyetje në lidhje me problematikat e ndryshme, fetare dhe sociale, me të cilat përballet diaspora jonë shqiptare në mërgatë.
Kryesia e deri më tanishme ju përgjigj shumicës së pyetjeve të të pranishmëve duke i falënderuar ata për besimin dhe bashkëpunimin e ofruar por edhe duke kërkuar prej tyre që ta thellojnë e zgjerojnë bashkëpunimin e tyre me qëllim të organizimit dhe lehtësimit sa më të madh të jetës fetare të muslimanëve shqiptarë në mërgatë.
Në fund u zhvilluan edhe zgjedhjet shumë transparente dhe demokratike. Me shumicë votash u votuan disa anëtarë të rinj, pasi që disa nga anëtarët e vjetër të kryesisë, për shkak të angazhimeve të tyre, pauzuan pjesërisht gjatë këtij mandati.
Kryesia e re e UIAZD-BW u votua me këtë përbërje:
Muhamet Havolli – Kryetar
Abdylrrahim Leci – zv. Kryetar
Nuri Berisha – zv. Kryetar
Bekim Basha – Sekretar
Muhamet Maliqi – Arkëtar
UIAZD-BW falënderon nga zemra kryesinë e kaluar për gjithë punën, angazhimin dhe vullnetarizmin e tyre. Kurse kryesisë aktuale i dëshiron shumë fat, suksese dhe punë të mbarë gjatë mandatit të ri.
Qendra Islamike Shqiptare në Ulm/Neu Ulm dhe IAZSB – Qendra Shqiptare Islame në Böblingen, u bënë zyrtarisht anëtare të UIAZD. Vendimin përkitazi me këtë ua ndau zv. Kryetar i UIAZD, Rexhep ef. Sulejmani.
I madhi Zot na ndihmoftë që të jemi në shërbim të Tij dhe të komunitetit tonë musliman shqiptar.
Me shumë respekt e selame,
UIAZD-BW
Stuttgart, 09.05.2024.