Shpella e Theurit dhe enigma e të qenit bashkë me Zotin

Një nga tre malet e rëndësishëm në jetën e bekuar të Pejgamberit tonë të dashur (a.s.), është edhe ai i Theurit. Teksa në malin Nur Pejgamberi (a.s.) u prezantua me thellësitë e halvetit dhe meditimit, në malin Theur bie në sy përballja me bukuritë e maturisë, altruizmit, përmallimit dhe gjendja e të qenit bashkë me Zotin. Vizita e shpellës së Theurit, që gjendet në jug të Mekës së bekuar, duhet lexuar mirë. Ky është stacioni i parë i hixhretit, i cili shënon edhe një pikë ndryshimi në Epokën e Lumturisë. Nëse do të pyesnit njerëzit shpirtërorë, ata do t’ju këshillonin me ngulm viziten në malin dhe shpellën e Theurit për të ndjerë atmosferën shpirtërore të Resulullahut (a.s.) dhe të Ebu Bekrit (r.a.). Kur këta dy miq, iu vunë rrugës së hixhretit. Ebu Bekri nganjëherë ecte përpara e nganjëherë mbrapa Resulullahut (a.s.). “Përse vepron kështu, Ebu Bekir?” – e pati pyetur i Dërguari i Allahut (a.s.). “O Resulullah, kur mendoj se mushrikët mund të të zënë nga mbrapa, ec mbrapa. Ndërsa, kur në mendje më shkon ndonjë kurth që mund të të kenë bërë përpara, ec para teje” – i pati thënë i shqetësuar. Kështu, këshillohet të ndihet shpirtërisht ky udhëtim. Shpella e Theurit është një shpellë e përshtatshme për t’u fshehur. Në shpellë hyhet vetëm duke u zvarritur ose duke u përkulur. Përreth shpellës gjenden vrima, nga ku mund të vështrohet brenda. Ata që janë brenda shpellës, mund të vërejnë këmbët e atyre që janë jashtë, por ata që janë jashtë, pa u përkulur mirë, nuk shohin gjë brenda. Siç dihet, Ebu Bekri ishte gati të flijonte jetën e tij për Resulullahun (a.s.). Fillimisht hyri ai në shpellë. Brenda mund të kishte gjallesa të dëmshme. Në errësirën e natës pastroi shpellën nga brenda. Çdo pëllëmbë të shpellës e kontrolloi me dorë. Aty ku gjente një vrimë, e mbushte duke shqyer një copë të rrobës së vet. Mbeti vetëm një vrimë. Ngaqë nuk i mjaftoi rroba, aty vendosi këmbën e tij. Kur u sigurua që kishte përgatitur një vend të sigurt, e ftoi të hynte të dashurin e Zotit, Muhamedin (a.s.). Përpjekjen e Ebu Bekrit për ta bërë shpellën një vend të sigurtë, mistikët e quajnë “isar (sakrifikim i vetes për tjetrin, në këtë rast për më të dashurin)”. Isari është një edukatë përtej bujarisë. Isari nuk bëhet vetëm me mallra. Sikurse në rastin e Ebu Bekrit, nxënësi që është besnik në nënshtrimin ndaj më të diturve, mund të sakrifikojë edhe jetën në rrugën e të vërtetës, që do të thotë se ai nuk duhet të druhet nga asgjë.

Zemra është si shpella e Theurit. Me një edukatë siç kishte Ebu Bekri, mbyllen të gjitha vrimat ndaj edukatës së keqe dhe në këtë rrugë duhet shfaqur çdo lloj sakrifce. Një zemër që nuk është në gjendje të përshtatshme, nuk duhet ta ftojë Pejgamberin (a.s.). Kur kishte mbyllur të gjitha vrimat e shpellës, duke përdorur mundësitë që kishte, Ebu Bekri kishte vendosur këmbën tek vrima ku nuk i kishte mjaftuar rroba. Sipas disa transmetimeve, thuhet se e ka pickuar gjarpri në këmbë. Pejgamberi (a.s.), ngaqë ishte shumë i lodhur, e kishte vënë kokën e bekuar në gjurin e mikut të tij, Ebu Bekrit. Me gjithë dhimbjen që ndjente nga kë- mba, Ebu Bekri nuk lëvizi aspak. Mirëpo, i rrodhën disa lotë nga sytë në mënyrë të pavullnetshme dhe sapo ranë në fytyrën e Resulullahut (a.s.), u zgjua menjëherë. Pasi mësoi se çfarë kishte ndodhur, e preku gjuhën me gisht dhe si një ilaç e fërkoi vendin ku ishte pickuar. Pas pak, këmba e Ebu Bekrit u shërua tërësisht.2 Kjo është kuptuar nga aspekti shpirtëror si të qenët në gjendje gatishmërie ndaj gjarprit të quajtur “nefs”. Njeriu, edhe sikur të jetë “i shkrirë tek Resuli”, duhet ta sigurojë veten nga nefsi. Kurrë nuk do të mbesin pa shpërblim mundimet që bëhen në rrugë të Pejgamberit tonë të dashur (a.s.). Mushrikët ishin shpërndarë për t’i gjetur kudo këta “dy miq”. Një grup, nën udhëheqjen e dy njerëzve të asaj zone, që njihnin shumë mirë gjurmët, erdhi deri tek hyrja e shpellës së Theurit. Ebu Bekri, të cilit nuk i trembej syri për asgjë për të mbrojtur të Dërguarin e Allahut (a.s.), i thoshte atij: “Sikur të vritem unë, jam vetëm një person, por nëse të ndodh gjë ty, shkatërrohet i tërë ymeti.” Kur Pejgamberi (a.s.), po falte namaz, Ebu Bekri e ruante atë. Kur dëgjoi zhurmën e hapave, e shprehu në këtë mënyrë shqetësimin e tij: “Populli po të kërkon ty. Vallahi, nuk shqetësohem për veten time. Kam frikë se mund të të bëjnë dëm ty.” I dërguari i Allahut (a.s.), tha: “Mos u mërzit, o Ebu Bekir, padyshim që Allahu është me ne.” Allahu i Lartmadhëruar e shpjegon kështu: Nëse ju nuk e ndihmoni atë (Muhamedin a.s.), Allahu tashmë e ka ndihmuar ditën kur atë e dëbuan mohuesit vetë të dytin, kur ishin në shpellë e ai i thoshte shokut të vet (Ebu Bekrit): “Mos u mërzit, se Allahu është vërtet me ne!” Atëherë, Allahu zbriti qetësinë e Vet mbi të, e ndihmoi me një ushtri të padukshme (engjëjsh) dhe bëri që fjala e mosbesimtarëve të jetë më e poshtëruara, kurse Fjala e Allahut të jetë më e lartësuara. Vërtet, Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë. (Teube, 40)

Burseviu e shpjegon kështu shprehjen që kalon në ajet “Allahu është vërtet me ne”: “Ndihma dhe mbrojtja e Tij është me ne”. Sipas tij, ajo çfarë thuhet për të qenit bashkë, shenjon makamin e “vilajetit”, në të cilin nuk arrin asnjë shqetësim ose mërzi.3 Në tefsirin e Sulemiut, transmetohet se Ibn Ata ka thënë në lidhje me këtë ajet: “Mërzia nuk mund të jetë e pranishme në 2. Shih. M. Hamidullah, İslâm Peygamberi, I, 174-175. 3. Bursevî, Rûhu’l-Beyân, VII, 357, Erkam, Istanbul, 2006. atë që është me Allahun”. Resulullahu (a.s.), në hadithet e tij, ka lidhur pastrimin e nefsit dhe lartësinë e imanit me “vetëdijën e të qenit gjithnjë me Allahun”.4 Ataullah Iskenderi jep një shembull, i cili e bën edhe më të shkoqur çështjen: “Një fëmijë po ecte natën me të atin. Për një moment e humbet të atin. Frikësohet shumë. Ashtu i trishtuar ecën përpara, pa ditur se ç’të bëjë. Në fakt, i ati është fshehur për ta sprovuar atë dhe e ndjek gjithnjë. Pas pak, largohen retë në qiell. Hëna me ndriçimin e saj, ndrin përreth. Fëmija sheh përreth dhe më në fund e vëren të atin. I kalon frika dhe nis të ndihet i sigurt, sepse tashmë është i bindur se i ati e ndjek atë dhe është pranë gjithnjë…” Ataullah Iskenderi thotë se ai, në zemrën e të cilit lind hëna e tevhidit apo dielli i marifetit, do të shohë se është duke ecur bashkë me Allahun.5 A. Avni Konuk, thotë se të qenët bashkë me Allahun e Madhëruar arrihet në dy mënyra: e para është “të qenit bashkë në mënyrë të përgjithshme”, pra gjendja e të qenit si të gjitha krijesat bashkë me Allahun. Dhe “të qenit bashkë në mënyrë individuale”. Konuku, duke kujtuar hadithin “Njeriu është bashkë me atë që do”, na bën të ditur se të qenët bashkë në mënyrë individuale realizohet me dashuri dhe dashuria realizohet përmes ndjekjes së Resulullahut (a.s.), pasi në ajet thuhet: Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua.” (Al ‘Imran, 31)6 Le t’i kthehemi temës sonë. Kur iu afruan mushrikët shpellës, panë se merimanga kishte vënë rrjetën e saj dhe dy pëllumbat kishin krijuar folenë, kështu u larguan pa e ndjerë të nevojshme hyrjen brenda. Burseviu, duke u nisur nga jeta që iu dha “dy miqve” të shpellës, na kujton se duhet t’i kërkojmë Allahut jetë dhe ndihmë në prishjen e planeve të armiqve që gjenden jashtë dhe brenda nesh. Le ta përfundojmë shkrimin tonë me një dua, duke përfituar nga atmosfera e kësaj ngjarjeje: Allahu ynë! Ashtu sikurse, me gjuhën e të Dashurit tënd, kur Ebu Bekri u shqetësua, i the: “Mos u mërzit, se Allahu është vërtet me ne!”, mos na lër të vetëm as ne në shpellën e mërzisë! Ashtu sikurse të Dashurin tënd e mbrojte, duke bërë perde rrjetën e merimangës, na mbro edhe ne nga e keqja e të ligjve, mos lejo të na përtypin ata! Për hatër të emrit Tënd “es-Selam”, mos na lër të vuajmë në zjarrin e ndarjes!