Dashuria ndërmjet besimtarëve është pjesë e besimit. Për Allahun duhet të duash dhe të urresh. Litarët më të lidhur të imanit janë miqësia për Allahun dhe armiqësia për Të, dashuria për Allahun dhe urrejtja për Të.[1] Për ta shijuar besimin, duhet ta duash vëllanë, jo për ndonjë interes, por, thjesht, për besimin që ka.[2] Përveç reflektimit në jetën praktike, respektivisht në ndihmën e ndërsjellë, solidaritetin, mirësjelljen, urdhërimin për të mirë e ndalimin nga e keqja, dashuria fetare ka edhe aspektin emocional: shprehjen e saj para atij që e do. Po, është fetare që t’ia bësh me dije vëllait se do,[3] madje t’i shkosh në shtëpi e t’ia thuash se e do për Allah.[4] Shprehja e dashurisë, edhe pse akt formal, ka rëndësi të madhe. Ajo ndikon në:
- Ngjall ndjenjën e dashurisë reciproke tek tjetri. ‘Nëse dikush e do vëllanë, le t’ia bëjë me dije, sepse edhe vëllai i tij gjen për të në zemër dashurinë që e gjen ai.’[5]
- Garanton jetëgjatësi të lidhjes me vëllanë
- Përforcon dashurinë dhe respektin
- Largon inatin dhe mërinë
- Mbyll rrugët e depërtimit të djallit tek njeriu
Garanton një harmoni dhe mirëqenie shoqërore, sepse dashuria reflekton. Një njeri kaloi pranë Ibn Abbasit ndërsa ky tha për të: Ky njeri më do! Nga e di këtë?- e pyetën. Sepse, edhe unë e dua atë!– u përgjigj.[6]
Kështu, besimtari duhet të bëjë çmos që kjo dashuri të ngel mes tij dhe vëllait të tij. Kjo, sepse dashuria është çmim i çdo gjëje, sado e shtrenjtë të jetë, dhe shkallë për tek çdo gjë, sado e lartë që të jetë.[7] Nëse Allahu të ka begatuar me dashurinë e dikujt, mundohu ta ruash atë me xhelozi,[8] sepse i huaj dhe i vetmuar konsiderohet ai që nuk ka të dashur/mik.[9] Aliu [Allahu qoftë i kënaqur me të!] e vishte shpesh një rrobë, gjë që iu kishte rënë në sy njerëzve. E pyetën për këtë e tha: Ma ka dhuruar i dashuri dhe miku im i dalluar, Umeri…[10]
Nuk ka të keqe që kjo dashuri të shprehet edhe në mënyrë kolektive, veçmas nëse njeriu ka pozitë dhe autoritet në mesin e njerëzve. Ibn Mes’udi kur takonte shokët e tij iu thoshte: Ju jeni ata që ma largoni pikëllimin![11]
Porosia: ‘Nëse dikush e do vëllanë, le t’ia bëjë me dije, sepse edhe vëllai i tij gjen për të në zemër dashurinë që e gjen ai.’[12]
Shkrimi i përgatitur nga: Dr. Sedat Islami
Video e realizuar nga: Albunion Media