Rtv Pendimi
Lajme

Shqipëri, 50 persona të arrestuar për dhunën në protestën e opozitës

Policia e Shqipërisë ka proceduar penalisht dhjetëra persona në lidhje me aktet e dhunës në protestën e partive opozitare të mbajtur më 11 maj në Tiranë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin zyrtar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë thuhet se 84 persona janë proceduar për aktet e dhunës ndaj punonjësve të policisë dhe institucioneve shtetërore në protestën e djeshme të opozitës, ndërsa mes tyre 50 janë arrestuar.

“Protestuesit si pasojë e përdorimit të bombave molotov, fishekzjarrëve, kapsollave e sendeve të tjera kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme tek dyert dhe ambientet e Kryeministrisë, të selisë së Kuvendit, tek selia e seancave parlamentare, tek dyert e Ministrisë së Brendshme dhe kane thyer e shkatërruar ambientet e disa subjekteve private e publike”, theksohet në njoftim.

Të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”.

Në lidhje me aktet e dhunës gjatë protestës ka reaguar edhe ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj, i cili në një deklaratë për mediat tha se “Tirana përjetoi mbrëmë një mori sulmesh të koordinuara kundër institucioneve kushtetuese dhe policisë”.

“Shpreh besimin e plotë se organet kompetente ligjore do të marrin masat e duhura për të vënë përpara përgjegjësisë të gjitha ata që planëzuan, organizuan dhe drejtuan sulmet kundër institucioneve dhe policisë”, deklaroi ministri Lleshaj.

Sipas policisë, nga aktet e dhunës kanë mbetur të plagosur 16 policë, ndërsa janë plagosur edhe disa protestues.

Protesta e organizuar nga partitë opozitare të Shqipërisë, Partia Demokratike (PD) dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), e mbajtur më 11 maj në Tiranë u përfshi nga tensionet dhe përplasjet mes policisë dhe protestuesve.

Partitë opozitare që pas dorëzimit të mandatave parlamentare në muajin shkurt kanë organizuar disa protesta, ndërsa insistojnë në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Të ngjajshme

Presidenti Thaçi: Feja në Kosovë në shërbim të forcimit të paqes dhe tolerancës

Urim Isma

Në Kosovë ka shkallë të ulët të ndëshkimit të korrupsionit

Urim Isma

Shpalosi në Tivar flamurin shqiptar, gjobitet 300 euro dhe dëbohet nga Mali i Zi

Urim Isma

Moti i keq në Itali, përmbytet për herë të tretë Venecia

Urim Isma

Ndotja e ajrit mund të shkaktojë “mjegulla vrasëse” në qytetet e mëdha

Urim Isma

Shqipëri, mbahet aktiviteti “Pejgamberi Muhamed dhe familja”

Kushtrim Guraj

Vëllezërit Sylejmani arrijnë suksese me restaurantin e tyre në Austri, për ta shkruajnë edhe gazetat austriake

Kushtrim Guraj

Inflacioni vjetor në BE mbetet në 1.1 për qind në tetor

Kushtrim Guraj

Turqia dhe SHBA bisedojnë për të zgjidhur çështjet F-35 dhe S-400

Kushtrim Guraj