Në Shqipëri ka hyrë sot në fuqi nisma për ndalimin e qeseve plastike njëpërdorimshme, pas ndryshimeve ligjore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ndryshimet në ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, me qëllim ndalimin e qeseve plastike njëpërdorimshme u miratuan në Kuvendin e Shqipërisë më 17 mars të këtij viti, ndërsa kanë hyrë në fuqi më 1 qershor.
Ndryshimet ligjore parashikojnë ndalimin e prodhimit, importimit dhe tregtimit të qeseve plastike mbajtëse si dhe qeseve plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme.
Sipas autoriteteve shqiptare, në lidhje me këtë nismë, do të ushtrohen kontrollet nga një sërë institucionesh për respektimin e ndryshimeve ligjore mbi dallimin e qeseve plastike.
Qëllimi i një nisme të tillë është të mbrojë mjedisin dhe shëndetin e njeriut nga pasojat e përdorimit të pakufizuar të produkteve plastike njëpërdorimshme, të cilat sipas institucioneve që kanë në fokus mbrojtjen e mjedisit, kanë ndikim negativ në mjedis.
Institucionet në Shqipëri vlerësojnë se ndalimi i përdorimit të qeseve plastike mbajtëse, si një masë për parandalimin e mbetjeve, pritet që të sjellë një reduktim të sasisë së qeseve plastike të hedhura ngado në mjedis, reduktim të kostos së menaxhimit të tyre si dhe minimizim të ndikimit negativ në cilësinë e mjedisit dhe në shëndetin e njeriut.