Shqipëri, një i vdekur nga zjarret në jug të vendit

Shqipëri, një i vdekur nga zjarret në jug të vendit

Një person ka humbur jetën në Shqipëri dhe një tjetër ka mbetur i lënduar nga zjarret që kanë përfshirë vendin gjatë ditëve të fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Vdekjen e një banori të Qarkut të Gjirokastrës në jug të vendit e ka konfirmuar ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, i cili në rrjetet sociale ka publikuar një video ku flet mbi situatën e fundit në qark.

“Është një situatë shumë e vështirë me vatra zjarri të lokalizuara në vende të ndryshme dhe nuk është kollaj të vendosen nën kontroll. Kemi humbje jete të një banori dhe duhet evakuim në tre fshatra. Ne do të bëjmë më të mirën me të gjitha forcat që kemi qëndruar këtu dhe me forcat ajrore që po zhvendosen drejt Gjirokastrës”, është shprehur Peleshi.

Në Shqipëri vazhdojnë të jenë aktive disa vatra zjarri kryesisht në jug të vendit, ndërkohë në operacionet për shuarjen e tyre janë angazhuara edhe qindra pjesëtarë nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë.

Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit i Shqipërisë (IGJEUM) ka njoftuar se edhe nesër pritet nivel i lartë rreziku për zjarret në pyje në pjesën më të madhe të qarqeve.

Shqipëria gjatë ditëve të fundit është përfshirë nga temperatura të larta, duke arritur deri në 41 gradë, të cilat kanë shkaktuar edhe zjarre në disa qarqe të vendit, kryesisht në zonat me pyje.