thumbs_b_c_bef7efed6454fb5bfbf8a90711d0069c

Shqipëri, shënohet Dita e Dëshmorëve të Atdheut

Në Shqipëri është shënuar 5 Maji, Dita e Dëshmorëve të Atdheut, ku janë organizuar ceremoni dhe aktivitete në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, transmeton Anadolu.

Ceremonia qendrore për Ditën e Dëshmorëve është organizuar në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të vendit. Pjesë e ceremonisë ishin kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeparlamentarja Lindita Nikolla, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, si dhe zyrtarë të tjerë.

Zyrtarët bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule në Monumentin “Nëna Shqipëri”, në nderim të dëshmorëve.

Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se Presidenti Bajram Begaj, ka përcjellë një mesazh me rastin e Ditës së Dëshmorëve.

“Ata sigurisht që e deshën jetën e tyre, por më shumë deshën atdheun, ndaj dhe u martirizuan për atë që ne gëzojmë sot, lirinë. Kurajo, patriotizmi, shpirti i tyre i sakrificës deri në dhënien e jetës, kanë e do të kenë përjetësisht nderimin tonë”, thuhet në mesazhin e presidentit Begaj.

Ndërkohë, aktivitete dhe ceremoni të ndryshme me rastin e Ditës së Dëshmorëve janë organizuar edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

Kujtojmë se 5 Maji është caktuar me ligj nga Kuvendi i Shqipërisë si Dita e Dëshmorëve të Atdheut.