thumbs_b_c_a63bafc0de8eed9fc681296070740b5f

Shqipëri, tensione në protestën antiqeveritare

Në Shqipëri është mbajtur një protestë antiqeveritare, me thirrjen e partisë më të madhe të opozitës, Partisë Demokratike (PD), ndërkohë, protesta është shoqëruar me tensione dhe përplasje, raporton Anadolu.

Protestuesit nga qytete të ndryshme të Shqipërisë janë mbledhur para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas kanë marshuar në disa rrugë të kryeqytetit, si dhe kanë protestuar edhe para selive të disa institucioneve të tjera.

Gjatë protestës janë hedhur molotovë ndaj institucioneve, fillimisht ndaj selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, ndërkohë janë shënuar edhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.

Protestuesit më pas kanë marshuar në disa akse rrugore dhe kanë protestuar edhe para selisë së sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, Ministrisë së Brendshme, Bashkisë së Tiranës dhe së selisë së partisë në pushtet, Partisë Socialiste (PS), duke hedhur edhe molotovë dhe tymuese.

Gjatë protestës që ka zgjatur disa orë, policia ka hedhur gaz lotsjellës, duke i shpërndarë protestuesit. Gjithashtu, disa nga protestuesit kanë dëmtuar edhe mbrojtëset metalike të institucioneve, stacione të autobusëve, kazanë të mbeturinave, si dhe objekte të tjera.

Disa punonjës policie kanë mbetur të dëmtuar nga molotovi dhe sendet e tjera të hedhura ndaj tyre. Në një reagim, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë ka konfirmuar se paraprakisht “nga sulmet e qytetarëve në tubim, me molotov, lëndë piroteknike e sende të forta ndaj policisë, janë dëmtuar 10 punonjës policie”.

Në lidhje me protestën u angazhuan qindra forca policore shtesë, si dhe u bllokuan disa akse rrugore në kryeqytet për qarkullimin.

Vendimi për protestën është marrë pas dënimit me 1 vit burg të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji, për veprën penale “kallëzim i rremë”.

Gjithashtu, PD-ja kërkon krijimin e një qeverie teknike me qëllim mbikëqyrjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare që janë planifikuar të mbahen në vitin 2025.

PD-ja pretendon se vendimi i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i datës 26 shtator për dënimin e deputetit Salianji është i padrejtë dhe politik. Salianji është akuzuar nga autoritetet se disa vite më parë ka publikuar një audio-përgjim të rremë në lidhje me trafikun drogës dhe përfshirjen e të afërmeve të ish-zyrtarëve.