Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) me rastin e muajit të Ramazanit vazhdon të shpërndajë në Shqipëri ndihma në pako ushqimore për familjet në nevojë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në aktivitetin e ndarjes së 500 pakove me ushqime për familjet në nevojë ishin të pranishëm ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, koordinatorja e TIKA-s në Tiranë, Dr. Emine Gizem Başkan dhe përfaqësues të Shoqatës “Romët për Integrim”.
Ambasadori Yörük për AA tha se TIKA është një institucion që ka realizuar aktivitete, projekte shumë të rëndësishme që nga fillimi i viteve 1990-ta në mbarë Shqipërinë, duke përfshirë edhe kryeqytetin Tiranë. Ai bëri të ditur se TIKA deri më sot ka realizuar mbi 600 projekte shumë të rëndësishme në Shqipëri.
“TIKA, është një organizatë ndërkombëtare shumë e rëndësishme që kryen projekte dhe aktivitete të zhvillimit dhe ndihmës në të gjithë botën, në emër të shtetit të Turqisë, në emër të Republikës së Turqisë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë Ballkanin, si dhe në një game të gjerë nga Indonezia deri në Kolumbi”, tha ai.
Ambasadori Yörük tha se zyra e TIKA-s në Tiranë gjatë muajit të Ramazanit, duke përfshirë edhe pakot ushqimore të sotme, në Shqipëri ka shpërndarë 4 mijë pako ushqimore për familjet në nevojë, ndërsa me iftaret që ka organizuar në qytete të ndryshme të vendit ka arritur deri tek 5 mijë vëllezër të tyre shqiptarë.
Ai theksoi se muaji i Ramazanit është muaji i vëllazërisë, solidaritetit dhe ndarjes me njëri-tjetrin.
“Ne si shteti i Republikës së Turqisë, solidaritetin, vëllazërinë, dëshirën tonë për të ndarë me vëllezërit tanë shqiptarë ashtu si çdo Ramazan e realizojmë së bashku. Si ambasada turke në vend, gjithmonë përpiqemi të plotësojmë nevojat tuaja në kontakt të ngushtë me ju, jo vetëm në muajt e Ramazanit”, u shpreh Yörük.
Istref Pëllumbi, kryetar i Shoqatës “Romët për Integrim”, në emër të romëve të Shqipërisë falënderoi institucionet turke dhe popullin turk, sipas tij për “ndihmën që kanë dhënë për shumë vite”.
Gjithashtu TIKA shpërndan vakte të iftarit në Shqipëri për njerëzit në nevojë dhe ndihma në pako ushqimore për mijëra familje në nevojë në qytete të ndryshme të vendit.